Rigjykimi për korrupsion, sërish shpallen fajtorë tre ish-zyrtarët e bankës “NLB”, i katërti lirohet nga akuza

Burim Ademaj - 08.02.2019
Author

Raporton: Sabina PERGEGA

Shkurt 8, 2019

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë, të premten, i ka rishpallur fajtorë tre ish-zyrtarët e bankës “NLB”, Burim Ademaj, Ilir Kryeziu dhe Besnik Deliaj, të akuzuar për vepra të ndryshme penale që lidhen me korrupsionin, ndërsa ish-zyrtarin Maliq Behluli, e ka liruar nga akuza.

Ademaj për veprën penale “mashtrim”, është dënuar me dy vjet burgim, kurse për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës”, është dënuar me një vit burgim, ndërsa për “shpërdorim i detyrës zyrtare”, është dënuar me një vit burgim, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjykata ndaj tij ka shqiptuar dënim unik prej tre vjet e gjashtë muaj burgim, të cilit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej 17 maj 2011, e deri me 26 mars 2013.

I akuzuari Kryeziu për dy vepra penale të përvetësimit gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare, si dhe për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, është dënuar me nga një vit burgim për tri veprat penale.

Ndaj tij, gjykata ka shqiptuar dënimin unik në kohëzgjatje prej tre vjetësh, duke ia llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim prej 17 majit 2011, e deri me 26 mars 2013.

Kurse, i akuzuari Delijaj për veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, është dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim, për “keqpërdorim të detyrës zyrtare”, një vit burgim.

Gjithashtu, edhe ndaj tij më pas është shqiptuar dënimi unik prej dy vjetësh, të cilit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga 18 maji 2011, e deri me 27 mars 2013.

Ndërkaq, i akuzuari Maliq Behluli për veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës”, është liruar nga akuza, për shkak se sipas kryetarit të trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismaili nuk ishte vërtetuar se ai kishte kryer veprën penale për të cilën akuzohej.

Pos këtyre dënimeve, të akuzuarit Ademaj, Kryeziu dhe Delijaj janë obliguar që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë secili veç e veç nga 200 euro.

Ndërsa, palët e dëmtuara janë udhëzuar në kontest civil.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 25 tetor 2018, ngase sipas kësaj gjykate, aktgjykimi i shkallës së parë ishte i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, dispozitivi i aktgjykimit ishte i paqartë dhe kontradiktor me vetveten dhe mbi arsyet për të cilat mbështetet.

Gjykata Themelore në Prishtinë, me 22 janar 2018, Ademajt i kishte shqiptuar dënim unik prej 3 vitesh e 6 muajsh, ku ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 maj 2011, deri më 26 mars të vitit 2013. Ai për veprën penale “mashtrim”, ishte dënuar me 2 vite burgim me kusht dhe gjobë prej 8 mijë euro, për veprën penale “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrë”, ishte dënuar me 1 vit burgim e 5 mijë euro gjobë, ndërsa, për “shpërdorim i detyrës zyrtare”, me 1 vit burgim dhe gjobë në vlerë prej 3.000 euro.

Kryeziu ishte dënuar me 3 vite burgim, ku i ishte llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 maj 2011, deri më 26 mars 2013 si dhe dënimi me gjobë prej vlerës 7 mijë euro. Për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare” në bashkëkryerje me Ademaj ishte dënuar me 1 vit burgim, për bashkëkryerjen në vazhdimësi të veprës penale “keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, me 1 vit burgim, si dhe për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, 1 vit burgim.

Deliaj ishte dënuar me burgim unik prej 2 vitesh, duke iu llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim nga 17 maji i vitit 2011 deri më 27 mars të vitit 2013.

Për “përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, ishte dënuar me 1 vit e 4 muaj burgim, kurse për kryerjen e veprës penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, me 1 vit burgim.

Ndaj Behlulit, për kryerjen e veprës penale “përvetësimi gjatë ushtrimit të detyrës”, gjykata kishte shpallur aktgjykim lirues.

Kurse, në seancën e 18 janarit 2018, në fjalën e tij përfundimtare, prokurori i shtetit Feti Tunuzliu ishte tërhequr nga ndjekja penale kundër Miradije Morinës, me arsyetimin se në rastin e saj, në asnjë rrethanë nuk ishte vërtetuar se ajo kishte dashur apo dëshiruar kryerjen e veprës penale për të cilën ishte akuzuar, prandaj, ndaj Morinës ishte shpallur aktgjykim refuzues.

Ademaj dhe  Kryeziu kishin arritur marrëveshja për pranim të fajësisë me prokurorin e shtetit Feti Tunuzliu.

Ata në seancën e 5 shkurtit 2019, pas kthimit të lëndës në rigjykim, kishin mbetur në tërësi pranë marrëveshjes për pranimin e fajësisë por kishin kërkuar që gjykata t’ua heq dënimet me gjobë.

Ish-Prokuroria Publike e Qarkut në Prishtinë, më 10 nëntor 2011, kishte përpiluar aktakuzë kundër Ademajt, Kryeziut, Behlulit dhe Delijajt me pretendimin se në cilësinë e personave zyrtarë me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të pasurisë, kishin shpërdorur detyrën zyrtare.

Ata akuzoheshin se kishin shkelur detyrën zyrtare me rastin e deponimit–afatizimit të parave nga klientët e dëmtuar, duke përvetësuar shumave të mëdha të të hollave.

Sipas aktakuzës, Ademaj në cilësinë e drejtorit të ekspoziturës së NLB-së në Suharekë, gjatë viteve 2008-2011, kishte përvetësuar para të klientëve të ndryshëm të cilët kishin deponuar-afatizuar para me kontratë në këtë bankë, në shumën e përgjithshme prej 138.100.00 euro, pa autorizim të klientëve kishte bërë transfere dhe tërheqje të këtyre shumave të parave.

Ai akuzohej se përmes paraqitjes së rreme të fakteve e kishte mashtruar të dëmtuarit Afrim Gashi, duke i premtuar se në rast të depozitimit të parave në shuma të mëdha do të merr interes vjetor në shumën prej 7%, ku i dëmtuari Gashi ia kishte dorëzuar në kesh shumën prej 140.000 euro, mirëpo këtë shumë të parave i akuzuari Ademaj nuk i kishte inkorporuar në sistem të bankës duke e përvetësuar.

Njëjtë i akuzuari Ademaj kishte mashtruar edhe të dëmtuarin Rahim Kolgeci, duke ia marrë 300.000 euro.

I akuzuari Kryeziu dyshohej se gjatë viteve 2008-2011, në cilësinë e arkatarit-këshilltarit të klientëve të ekspoziturës së NLB-së në Suharekë, kishte përvetësuar para të klientëve të ndryshëm në shumë prej 568.650 euro, duke bërë transfere dhe tërheqje të këtyre shumave për interesa personale, duke dëmtuar të dëmtuarit dhe bankën NLB.

Ndërkaq, i akuzuari Behluli gjatë shkurtit 2009, në cilësinë e arkëtarit të NLB-së, kishte përvetësuar shumën e parave prej 24.925 euro nga e dëmtuara Nazile Gashie cila kishte deponuar këtë shumë të parave në bankë, ndërkaq Behluli pa autorizim të saj kishte bërë transfere dhe tërheqje të kësaj shume.

I akuzuari Delilaj dyshohej se nga viti 2008 në cilësinë e arkëtarit të NLB-së, kishte përvetësuar shumën e parave prej 54.600 nga klienti Naim Mustafa, si dhe shumën e parave prej 18.000 euro nga Lumnije Mustafa, të cilët kishin deponuar këto shua të parave në bankë, ndërsa Delilaj pa autorizim i kishte përvetësuar 72.600 euro nga të dëmtuarit.

Po ashtu, i njëjti prej 31 gushtit e deri me 1 shtator 2010 prej xhirollogarisë së klientit Daut Shukolli pa dijeninë e tij kushte transferuar shumën prej 27.000 euro në xhirollogarinë e personit Mehmet Ahmetaj, si dhe prej xhirollogarisë së Arberie Bashës kishte tërhequr 6.500 ku një pjesë prej 3000 e kishte deponuar në xhirollogarinë e Mehmet Ahmetaj, dhe pasi ishte zbuluar ky veprim të njëjtat shuma i kishte deponuar në këtë filial të bankës.  /BetimipërDrejtësi