Rigjykimi për korrupsion ndaj ish-zyrtarit të Komunës së Drenasit, dëshmitari: “Masi mi kanë dhanë paret, kanë tentu me këtë avokat që unë ta ndryshoj deklaratën në gjykatë”

IMG_5767
Author

Raporton: Mirvet THAQI

Prill 8, 2021

Prishtinë – Gjatë dëshmisë së tij, Bardhyl Geci, i dëmtuar në rastin ku ish-zyrtari i Administratës së Kuvendit Komunal në Drenas, Xhemë Binaku, po akuzohet për korrupsion, ka thënë se i akuzuari me avokatin e tij kanë tentuar që ta bëjnë atë të ndryshojë deklaratën e dhënë në gjykatë, gjatë gjykimit të parë.

Një gjë të tillë Geci e ka thënë në seancën e mbajtur të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, pas kthimit në rigjykim të rastit ku Binaku po akuzohet se gjatë periudhës kohore 2008-2012, kishte kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, i cili ndodhej në Qendrën Tregtare në Drenas dhe këto të holla nuk i kishte evidentuar dhe paguar Komunës së Drenasit.

Fillimisht, para dëgjimit të Gecit, i akuzuari Binaku mohoi në tërësi fajësinë për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“E kam kuptu akuzën, nuk mund të pranoj diçka që nuk e kom bo”, tha i akuzuari Binaku, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas këtij deklarimi, seanca ka vazhduar me dhënien e dëshmisë nga i dëmtuari, Bardhyl Geci, i cili ka edhe cilësinë e dëshmitarit në këtë çështje penale.

Dëshmitari Geci deklaroi para gjykatës se në fund të vitit 2007 ai kishte kontraktuar me qira një lokal, i cili tha se ishte mbyllur më pas nga inspekcioni, për shkak të mungesës së lejes së punës.

Pas refuzimit për t’ia dhënë lejen e punës për shkak të obligimeve të papaguara të pronarit të lokalit F8, dëshmitari Geci tha se ishte takuar me tani të akuzuarin Xhemë Binaku.

Sipas dëshmitarit Geci, tani i akuzuari Binaku fillimisht i kishte propozuar atij pagesën e tërë borxhit, e më pas i kishte ofruar si mundësi që shumën e destinuar për qiranë e lokalit ai ta paguante për shlyerjen e këtyre detyrimeve ndaj komunës.

“Shuma prej 16 mijë deri në 18 mijë euro borxh ndaj Komunës, nuk e di saktë. Xhema, në njëfarë forme këqyrke që unë mi pagu krejt paret, ka insistu që me pagu unë krejt borxhin ndaj komunës, i kom thonë që unë s’kom mundësi me pagu ashtu, edhe ma ka dhon ky ni propozim, më ka pyet “sa e ki qiranë për lokalin “F8”?”. I thash 300 euro. Mu kthy, ti me pagu me komunë, me ja shly borxhin e pronarit Blerimit”, deklaroi dëshmitari Geci.

Shumën mujore prej 300 euro, gjatë viteve 2008-2011, dëshmitari Geci pohoi t’ia ketë paguar të akuzuarit Binaku, por se mohoi të ketë pranuar faturë përkitazi me këto pagesa.

“Ka ardhë koha me pagu qiranë, ja kom lyp xhirollogarinë e komunës Xhemës, edhe më ka thonë unë jam marr vesh për këtë punë, tha ti mi jep mu paret, unë merrna me këtë punë. I kam besu shumë, jo pak po shumë, më vjen keq me i akuzu, por unë kërkoj prej juve veç drejtësi, asgjë tjetër. Unë ja kom pagu Xhemë Binakut e jo komunës, pasi ky më ka thon Hyrija e ka marr përsipër me i qit në emër të komunës. Faturë për këto pagesa nuk mu ka lëshu”, shtoi dëshmitari Geci.

Dëshmitari Geci pranoi se në fund të gjykimit paraprak, ai kishte hequr dorë nga kompensimi i dëmit në vlerë prej 10,800 euro, pas një marrëveshjeje të arritur me të akuzuarin, për kthimin e shumës prej vetëm 2,500 euro tek ai.

“Veç te seanca e fundit ka një ndryshim, ku kam hek dorë nga kompensimi dëmi, mirëpo nuk heqi dorë mo, kërkoj paret e mia nga Xhemë Binaku, të cilat ia kam dhanë. Niher mi ka dhanë 1,500 euro, edhe niher mi ka dhon 1,000, në emër të borxhit, edhe ka kërku që mos me ndjek mo unë penalisht, ku ky ka kërku prej meje që unë të vij edhe në gjykatë, ma herët, dhe të them që kam qenë në presion prej familjes tem, i nervozun që mu kanë mshel lokalet dhe se kam thonë fjalë të pavërteta, nën presion dhe mos ta akuzoj që mi ka marr paret”, ka thënë dëshmitari Geci.

Si pasojë e mos kthimit të këtyre parave nga i akuzuari Binaku, dëshmitari Geci tha se po ballafaqohet me probleme të mëdha familjare.

“Unë kam problem me familje, për shkak të qetyne pareve, për shkak se ata po i kërkojnë paret e veta, unë prape hisen tem ja fali, unë i lypi edhe 8,300 euro, se 2,500 i kom marr. Unë jam i leqitun prej familjes për shkak të kësaj pune. Masi mi kan dhanë paret kanë tentu me këtë avokat që unë ta ndryshoj deklaratën në gjykatë, dhe për këtë shkak unë vetëm kam heq dorë prej dëmit, por se kam ndryshu deklaratën”, deklaroi dëshmitari.

Dëshmitari deklaroi se kishte pasur besim të madh tek tani i akuzuari Binaku, për shkak të pozitës së tij zyrtare dhe se asnjëherë nuk kishte dyshuar se ai mund ta keqpërdorë atë.

“Kam pas besim të madh te Xhema, edhe 100 mijë euro me mi pas lyp e mi pas ja kisha dhanë, se ka pas ni pozitë zyrtare të naltë, s’kam dyshu se ky e keqpërdor atë pozitë, e kom konsideru si anëtar të familjes”, shtoi dëshmitari.

Më pas, dëshmitari Geci ka mohuar se paratë që ai po pretendon se ia ka paguar të akuzuarit, ishte dhënë si avans për blerje të lokalit “F10”.

Në fund, dëshmitari Geci ka parashtruar kërkesë pasurore juridike në vlerë prej 8,300 euro.

Në këtë seancë, në cilësi të dëshmitares është dëgjuar edhe Hyrije Xhemajli, e cila deklaroi se qëndronte pranë dëshmive të dhëna në gjykimin paraprak.

“Qëndroj pranë deklaratës që e kam dhënë në gjykatë si dëshmitare në rastin në fjalë. Besoj që gjithçka që kam thonë e kam thënë në mënyrë të sinqertë dhe dëshiroj që ajo pjesë e deklarimit të shërbej në këtë gjykim”, tha dëshmitarja Xhemajli.

Po ashtu, gjatë kësaj seance palët në procedurë kanë paraqitur edhe fjalën e tyre hyrëse, duke theksuar se mbeten pranë deklarimeve të bëra në gjykimin paraprak.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 23 prill, nga ora 09:30, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, Gjykata e Apelit, me vendimin e saj të nxjerrë më 30 janar 2020, këtë çështje penale e kishte kthyer në rigjykim në shkallë të parë.

Paraprakisht Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 gusht 2019, e kishte liruar nga akuza Xhemë Binakun, me arsyetimin se nuk ishte provuar se i akuzuari e ka kryer veprën penale që i vihej në barrë.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 30 dhjetor 2014, i akuzuari Xhemë Binaku akuzohet se me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore në mënyrë të kundërligjshme e kishte keqpërdorur detyrën zyrtare.

Gjithnjë sipas akuzës, i akuzuari Xhemë Binaku, duke qenë në cilësinë e personit zyrtar në Administratën e Kuvendit Komunal në Drenas, prej vitit 2008 e deri në vitin 2012, ka kërkuar dhe marrë para nga i dëmtuari Bardhyl Geci, në emër të qirasë së lokalit “F8”, në Qendrën Tregtare në Drenas.

Prokuroria pretendon se i akuzuari, për çdo muaj kishte marrë nga i dëmtuari shumën prej 300 eurove, ku gjithsej shuma ka arritur në 10.000 euro dhe se këto pagesa nga i dëmtuari Geci, i akuzuari Binaku nuk i kishte evidentuar dhe paguar komunës.

Me këto, veprime prokuroria e ngarkon të akuzuarin se ka kryer veprën penale të “keqpërdorimit të pozitës apo autorizimit zyrtar”, nga neni 422 par.1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi