Rigjykimi për korrupsion, ish-gjyqtari dhe ish-polici thonë se nga dëshmitari morën nga 1 mijë e 500 euro hua

Raporton: Lavdim MAKSHANA

Prishtinë – Në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, të premten ish- gjyqtari Rafet Ismajli dhe ish-polici Blerim Gashi kanë dhënë mbrojtjen e tyre, ku kanë deklaruar se paratë e marra nga dëshmitari F.S. në vlerë nga 1 mijë e 500 euro secili, kanë qenë hua. 

Në këtë rast, ish-gjyqtari Ismajli dhe ish-zyrtari policor Blerim Gashi po akuzohen për korrupsion, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në deklarimin e tij para trupit gjykues, i akuzuari Ismajli duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Naim Rudari, ka deklaruar se në polici ka dhënë dy deklarata, por që pas deklaratës së parë ai ka thënë se nuk qëndron, me arsyetimin se nuk ka qenë në gjendje të mirë e se nuk e di edhe çka ka deklaruar.

Ish-gjyqtari Ismajli ka deklaruar se dëshmitarin F.S. e ka njohur përmes Abit Nezirajt në gjysmën e dytë të vitit 2019 dhe se herën e parë ishin takuar në një restorant në Fushë Kosovë. Para këtij viti ai ka mohuar ta ketë njohur dëshmitarin në fjalë.

Ai tha se dëshmitari e kishte njoftuar atë se kishte një çështje ligjore, e se pas kërkesës së tij, e kishte udhëzuar për ndonjë avokat, duke i përmendur emra konkretë të avokatëve.

Ish-gjyqtari tha se këtë ndihmë nuk e kishte bërë asnjëherë me qëllim të ndonjë përfitimi.

Sipas Ismajlit, nëse në përgjime dhe në biseda gjendet vetëm një euro që është marrë nga dëshmitari F.S. ose të njëjtin e ka takuar me ndonjë gjykatës ose prokuror, ai është i gatshëm të marr përgjegjësi.

Gjatë mbrojtjes së tij, i akuzuari Ismajli ka thënë së më 28 nëntor 2019, dëshmitari F.S. e kishe marrë me makinë për të shkuar në Prishtinë dhe se gjatë udhëtimit nga i njëjti i ishin ofruar 5 mijë euro, por që tha se nuk e kishte pranuar atë shumë.

Ai shtoi se nga dëshmitari në fjalë ka marrë vetëm hua shumën prej 1 mijë e 500 euro, për t’ia kthyer më 31 dhjetor 2019.

“Mi ka ofru 5 mijë euro dhe i thash s’kom mundësi me t’i kthy dhe i kam marrë 1 mijë e 500 euro dhe këto t’ia kthej deri më 31 dhjetor. Më 28 gusht i kam marrë dhe më 31 dhjetor kam pas me ja kthy, janë marrë si institut ligjor, moral dhe njerëzor për me ja kthy dhe pa asnjë qellim tjetër, pa as një kamatë dhe as nuk janë marrë me qëllim përfitimi e as ndikimi, janë marrë për çështje private si hua dhe nuk e di se cili institut ligjor e ndalon huan, afatin e kam shkel”, deklaroi Ismajli.

Ai gjithashtu tha se gjatë bisedës me F.S., ky i fundit i kishte treguar se gjyqtarë të Apelit dhe Supremes kishin kërkuar para nga ai.

Ismajli ka mohuar se ka pasur kontakt me kryetarin e Gjykatës Themelore të Mitrovicës, me gjykatës të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme për çështjen e F.S.

Sipas të akuzuarit Ismajli, dëshmitari F.S. edhe ditën e arrestimit i kishte ofruar para në vlerë prej 700 euro dhe se i njëjti kishte insistuar nga i akuzuari disa herë që ky t’i pranoj ato para. Mirëpo, ai tha se nuk i kishte pranuar.

Prokurorja Ilriiana Qollaku-Tafa e ka pyetur të akuzuarin nëse është i vërtetë fakti se i njëjti, më 6 shator 2019, gjatë bisedës që e ka pasur me dëshmitarin F.S., i ka thënë këtij të fundit se po ia jep kryetarin me fol, duke aluduar në kryetarin e Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq.

Lidhur me këtë, i akuzuari Ismajli ka thënë se kurrë nuk ka biseduar me Kabashiqin, duke shtuar se në seancën e fundit ai ishte përgjigjur vetë.

Duke u përgjigjur në pyetjet e anëtarit të trupit gjykues, i akuzuari Ismajli tha se e pranon shkeljen e etikës që ka bërë kur dëshmitarit i ka sugjeruar avokat, duke e ditur pozitën e tij si gjyqtar e se një gjë e tillë është e ndaluar.

Ai ka shtuar se nga 26 shtatori 2019 është privuar nga liria falë një persekutimi dhe trajtimi të prokurorisë sa i përket provave në mënyre të njëanshme, selektive dhe se për të gjitha këto akuza ai ka thënë se nuk e ndien veten fajtor.

Pas dëgjimit të tij, seanca e së premtes ka vazhduar me dhënien e mbrojtjes nga i akuzuari Blerim Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të tij, avokatit Ramë Gashi, i akuzuari Gashi ka thënë se dëshmitarin F.S. e kishte takuar përmes një personi me emrin Cima. Sipas tij, nga ky i fundit kishte mësuar se dëshmitari F.S. po rregullonte pensionet e ish-Jugosllavisë dhe se nga ai kishte kërkuar t’ia rregullojë pensionin e prindit të tij, ku kishin lidhur një marrëveshje.

I akuzuari Gashi ka deklaruar se nga dëshmitari në fjalë kishte marrë një shumë prej 500 euro përmes xhirollogarisë, e se një herë tjetër shumën prej 1 mijë euro.

Ai ka thënë se paratë në fjalë i kishte marrë si hua për ta mbuluar këstin e kredisë, e që sipas tij kjo ka qenë edhe pjesë e marrëveshjes për pensionin.

Gashi tha se shumat e marra nga dëshmitari F.S nuk kanë pasur lidhje me ndonjë punë tjetër për çështjen e këtij të fundit.

Nga trupi gjykues të akuzuarit Gashi i janë lexuar transkriptet e përgjimeve, por që i njëjti ka thënë se ato transkripte nuk qëndrojnë, duke shtuar se janë të prera dhe të copëtuara.

Ndryshe, në fillim të seancës mbrojtja e të akuzuarve ka kërkuar që përgjimet e telekomunikimeve të shpallen si prova të papranueshme, por që ky propozim është refuzuar nga trupi gjykues.

Seanca radhës për këtë rast është caktuar më 26 janar 2022, ku pritet të jepet fjala përfundimtare nga palët në procedurë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 4 mars 2020 nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), i akuzuari Rafet Ismaili në cilësinë e gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe i akuzuari Blerim Gashi në cilësinë e zyrtarit policor kanë kryer veprën penale “ushtrim ndikimi”.

Për këto akuza, Departamenti Special i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2020 kishte marrë aktgjykim dënues ndaj tyre, duke shqiptuar dënim me nga dy vite e gjashtë muaj burgim dhe me 2 mijë euro gjobë, për secilin veç e veç.

Gjykata atyre u kishte shqiptuar edhe dënime plotësuese, ndalimi i ushtrimit të funksioneve në Administratën Publike ose në shërbimin publik në kohëzgjatje prej dy vitesh pas ekzekutimit apo vuajtjes së dënimit.

E pakënaqur me dënim e shqiptuar, PSRK kishte ushtruar ankesë mbi lartësinë e dënimit me të cilën kishte kërkuar nga gjykata e shkallës së dytë që ndaj të akuzuarve të shqiptohen dënime më të ashpra.

Por Gjykata e Apelit të Kosovës me 22 prill 2021, pas ankesës, vendimin e shkallës së parë e kishte anuluar dhe çështjen e kishte kthyer në rigjykim, për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës, vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike, shkeljes së ligjit penal dhe vendimin mbi dënimin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, më 4 mars 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj gjyqtarit të Departamentit të Përgjithshëm të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj, Rafet Ismajli dhe zyrtarit policor Blerim Gashi.

Sipas aktakuzës, Ismajli në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar.

Po ashtu, sipas aktakuzës i pandehuri më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., derisa së bashku po udhëtonin nga Skenderaj për në Prishtinë, ka marrë nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë e 500 euro, me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikimin e padrejtë tek kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, për të marrë vendim për shtyrjen e ekzekutimit të dënimit me burgim, i shqiptuar me Aktgjykimin e formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018 ndaj dëshmitarit F.Z., në kohëzgjatje prej 4 vjet 10 muaj dhe ushtrimit të ndikimit të njëjtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të lartcekur me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesën për mbrojtjen e ligjshmërisë.

Ndërsa sipas prokurorisë, i akuzuari Blerim Gashi, në cilësi të personit zyrtar, polic në Policinë e Kosovës, në mënyrë të drejtpërdrejtë ka pranuar përfitim pasuror, me pretendimin që i njëjti është në gjendje të ushtrojë ndikim të padrejtë mbi vendimmarrjen e personit zyrtar, ashtu që i njëjti më 28 gusht 2019, në veturën e dëshmitarit F.Z., në Fushë Kosovë, ka marr nga dëshmitari të hollat në shumë prej 1 mijë euro me qëllim që i pandehuri të ushtrojë ndikim të padrejtë tek gjyqtarët e Gjykatës Supreme të Kosovës për prishjen e aktgjykimit të formës së prerë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, të datës 26 korrik 2018, me mjetin e jashtëzakonshëm juridik, kërkesë për mbrojtjen e ligjshmërisë, aktgjykim me të cilin dëshmitarit i ishte shqiptuar dënim me burgim në kohëzgjatje prej 4 vjet e 10 muaj.

Ndryshe, Policia e Kosovës, në një komunikatë për medie, kishte njoftuar se nën dyshimet për vepra penale të korrupsionit, është arrestuar një gjykatës në Departamentin Penal të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, dega në Skenderaj dhe një zyrtar policor, në mbrëmjen e 26 shtatorit.

Kurse, një ditë pas arrestimit, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) e kishte pezulluar nga detyra gjykatësin Ismajli. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë