Rigjykimi për fajde, policia nuk e solli me përcjellje në seancë të dëmtuarin që thotë se është i rrezikuar

Raporton: Driton NOCAJ

Pejë- Policia e Deçanit nuk i ka siguruar përcjellje të dëmtuarit, Rifat Jasiq, pasi ky i fundit, për shkak të rrezikut kishte kërkuar përcjellje nga ana e policisë për ardhjen e tij në gjykatë.

Kryetarja e trupit gjykues, Violeta Husaj-Rugova i kishte lëshuar urdhër Policisë së Deçanit që i dëmtuari Jasiq të sjellet nën përcjelljen, mirëpo sipas saj, ajo nuk e dinte përse policia nuk e kishte sjellë atë në seancë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Gjykata ka urdhëruar Policinë e Pejës-Dega në Deçan që i dëmtuari të përcjellet në seancën e sotme, mirëpo policia nuk e ka sjellë dhe s’kemi informacion nga policia pse nuk është sjellë i dëmtuari”, tha Husaj- Rugova.

Sipas gjykatëses, nuk ishte shkelje procedurale të vazhdohet në shqyrtim gjyqësor, pasi i dëmtuari ishte njoftuar me rregull për seancën e sotme.

Me mungesën e të dëmtuarit nuk u pajtuan i akuzuari Artan Gjocaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Gëzim Kollqaku, sipas të cilëve të dëmtuarin e shohin duke lëvizur në Pejë dhe sipas tyre nuk ishte arsyetim mungesa e tij në seancë.

Gjocaj shtoi se kishte shtyrë operacionet në Gjermani për të qenë i pranishëm në seancën e sotme.

Ndryshe, në këtë seancë të rigjykimit u lexua vetëm aktakuza nga prokurorja e rastit, Sahide Gashi, për të cilin akuzë, përsëri i pafajshëm u deklarua i pandehuri Artan Gjocaj.

Pas kësaj, seanca u ndërpre për shkak se palët u pajtuan se nuk mund të vazhdohet me fjalën hyrëse pa praninë e të dëmtuarit.

Seanca e radhës u caktua më 19  janar dhe 7 shkurt 2022.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 17 maj të vitit 2019, në mungesë të provave, Gjocajn e kishte liruar nga akuza për fajde.

Gjykata e Apelit më 9 shtator 2019, e ka konsiderur si të paqartë dhe në shkelje të dispozitave të procedurës penale, aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Pejë, të gjykuar nga ish-gjykatësi Sylë Lokaj, me të cilin ishte shpallur i pafajshëm i akuzuari dhe anuloi aktgjykimin e Themelores.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Pejë më 30 nëntor 2017, i pandehuri Artan Gjocaj akuzohet se gjatë periudhës 13 mars 2015 e deri më 29 janar 2016 në Deçan, ka shfrytëzuar mendjelehtësinë e të dëmtuarit Rifat Jasiq, me qëllim që të përfitojë pa asnjë angazhim duke kontraktuar kamatë joproporcionale për borxhin e dhënë.

Sipas akuzës, pasi të dëmtuarit i kishte arritur për pagesë shuma prej 140 mijë euro nga “ProCredit Bank”, i njëjti ka kërkuar hua nga i akuzuari Gjocaj për ta shlyer kreditin, në mënyrë që pastaj me kredi tjetër t’ia kthejë huanë të akuzuarit.

I pandehuri thuhet se pasi ia kishte dhënë shumën prej 45 mijë eurove, me kusht kthimi prej një muaji, në momentin kur i dëmtuari nuk ka pasur mundësi ta kthejë këtë shumë brenda këtij afati, i pandehuri ka kërkuar dhe pranuar për çdo muaj vonesë 4.2 %, gjegjësisht 1 mijë e 900 euro në muaj, përveç borxhit bazë, duke përfituar kështu shumën prej 26 mijë euro. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë