Rigjykimi për dallavere me prona në Fushë Kosovë, gjykata konstaton prezencën e një dëshmitareje tjetër gjatë dëgjimit të të dëmtuarit

Foto
Author

Raporton: Tringa RAMADANI

Prill 12, 2021

Prishtinë – Pasi kishte kaluar një orë e gjysmë nga dëgjimi i dëshmitarit–të dëmtuarit Murat Tërnava, kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi ka konstatuar prezencën e një dëshmitareje tjetër në seancën e rigjykimit të mbajtur të hënën, ndaj të akuzuarve për krim të organizuar, detyrim dhe falsifikim të dokumenteve, Arben Bashota dhe vëllezërit Osman dhe Sylejman Bajrami.

Përkundër njoftimit nga gjykatësi Krasniqi, lidhur me largimin e dëshmitarëve të tjerë dhe publikut me rastin e dëgjimit të të dëmtuarit Tërnava, dëshmitarja Halime Shaqiri–bashkëshortja e tani të ndjerit Ruzhdi Shaqiri, ka qëndruar në sallë, duke bërë që të ndërpritet seanca për disa minuta, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas deklarimit të identitetit të saj, dëshmitarja Shaqiri tha se nuk ishte ftuar në mënyrë të rregullt që të dëgjohej sot dhe se nuk e kishte dëgjuar udhëzimin e gjykatësit Krasniqi, për largimin nga salla.

Në këto rrethana, trupi gjykues mori aktvendim që dhënia e dëshmisë së të dëmtuarit Tërnava të filloj rishtazi, ku pas pyetjes së prokurores së rastit, Merita Bina–Rugova se a mbetet pranë deklaratës së dhënë deri para largimit të dëshmitares Shaqiri, i dëmtuari Murat Tërnava deklaroi se po.

Po ashtu, gjykatësi Krasniqi mori aktvendim që dëshmia e të njëjtit të mos publikohet në media.

Seanca e radhës është caktuar më 26 prill 2021, në ora 09:30.

Ndryshe, më 6 maj 2019, tre të akuzuarit ishin shpallur fajtorë, ku për veprën penale të detyrimit, lidhur me veprën penale të bashkimit kriminal, i akuzuari Bashota ishte dënuar me 6 vjet burgim, Osman Bajrami ishte dënuar me 4 vjet e 6 muaj burgim, ndërsa Sylejman Bajrami ishte dënuar me 3 vjet burgim.

Me rastin e shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues i kryesuar atëherë nga gjykatësi Arben Hoti, kishte bërë të ditur së kanë rikualifikuar veprën penale të  krimit të organizuar, për çka akuzoheshin të pandehurit nga PSRK-ja, në veprën penale “detyrimi”, lidhur me veprën penale bashkim kriminal.

Mirëpo, ky aktgjykim është prishur nga Gjykata e Apelit, e cila kishte gjetur se dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë dhe kontradiktor me vetveten, pasi që nga përshkrimi i veprimeve inkriminuese të të akuzuarve, nuk kuptohet me saktësi se për cilat veprimet konkrete të akuzuarit janë shpallur fajtorë.

Sipas aktakuzës së ngritur më 8 gusht 2016, nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, tre të akuzuarit së bashku me tani të ndjerin Ruzhdi Shaqiri, dhe me disa persona të tjerë të paidentifikuar, duke vepruar si grup kriminal në krye me të akuzuarin Bashota, gjatë periudhës kohore shumë vjeçare kishin kryer krime të rënda me qëllim të përfitimit financiar.

Në aktakuzë thuhet se të njëjtit, që nga viti 2004 kishin bërë presione të vazhdueshme në të dëmtuarit Murat Ternava, Hysen Shahini dhe Ismet Osmani, që ta lirojnë pronën kontestuese në sipërfaqe prej mbi 10 hektarësh e cila gjendet në Fushë-Kosovë, të cilën pronë e kishte marrë në shfrytëzim i dëmtuari Tërnava për 10 vjet nga KBI Ndërmarrja Shoqërore “Bujqësia”.

Në këtë pronë, të dëmtuarit kishin ndërtuar objekte në vlerë prej më shumë se 5 milion euro.

I akuzuari Bashota pretendohet se kishte siguruar aktgjykimin e falsifikuar të Gjykatës Komunale në Prishtinë, i datës 21 shkurt 1997, sipas të cilit, kjo ngastër kadastrale i kthehej në pronësi personit Marko Mitroviq, si dhe një tjetër aktgjykim po ashtu të falsifikuar, me të cilin kinse Mitroviq e kishte autorizuar atë që në emër të tij të ndërmarrë veprime juridike.

Pas kësaj, me këto dokumente false, Bashota kishte kërkuar regjistrimin e ndryshimeve pronësore në kadastër duke vënë ne lajthim drejtorin për Kadaster dhe Gjeodezi, i cili më 10 mars 2004, kishte marrë aktvendim që kjo ngastër kadastrale të kalojë në emër të personit Mitroviq Marko.

Në aktakuzë thuhet se me përpjekje për të përvetësuar këtë pronë, të akuzuarit kishin siguruar 6 kontrata të falsifikuara, sipas të cilave Marko Mitroviq pronën ia kishte shitur personave Xhavit dhe Shemsije Bashota, Smajl Mehmeti, Xhyle Maraj, Violeta Ahmeti dhe Myzafer Maliqi.

Duke përdorur këto dokumente, të akuzuarit kishin insistuar tek të dëmtuarit që ta lirojnë pronën, duke u paraqitur se toka ishte e tyre, dhe që nga viti 2007 kishin filluar të përdornin edhe kërcënime serioze për t’i detyruar të dëmtuarit që të veprojnë në dëm të pasurisë së tyre.

Gjithashtu, në këtë rast ka qenë i akuzuar edhe Ruzhdi Shaqiri, por ai ishte vrarë në gusht të vitit 2014 në Skenderaj, për të cilin rast Gani Geci, më 3 qershor të vitit 2016, ishte dënuar nga Gjykata Themelore e Mitrovicës me 4 vjet e gjashtë muaj burgim, por Gjykata e Apelit, në tetor të vitit 2017, këtë rast e kishte kthyer në rigjykim. /BetimipërDrejtësi