Rigjykimi ndaj policëve se liruan veturën e pazhdoganuar, eprori i tyre thotë se raporti duhet të plotësohet në stacion policor

Flurim Tafolli etj. 3
Author

Raporton: Avni BERISHA

Shkurt 12, 2020

Prizren – Shefi i Njësisë së Hetimeve në Drejtorinë Rajonale të Policisë në Prizren, Sabit Kabashi, ka deklaruar se raporti i çdo aksidenti, duhet të plotësohet në stacionin policor, pas disa masave paraprake që sipas tij, duhet të merren në këso rastesh.

Ai ka thënë është në diskrecion të zyrtarëve policorë se si të bëhet verifikimi i veturave dhe personave.

Një deklaratë të tillë, ai e ka dhënë në seancën e rigjykimit që është mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, në rastin ku dy zyrtarët policorë, Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi, akuzohen për keqpërdorim të detyrës zyrtare, por që nga një akuzë e tillë ata ishin shpallur të pafajshëm në gjykimin e parë.

Tafolli dhe Krasniqi, akuzohen se e kanë liruar një veturë të vetaksidentuar, megjithëse ajo ka rezultuar e pazhdoganuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Kabashi, ka deklaruar se është në diskrecion të policëve që të zgjedhin rrugën apo metodën e identifikimit të mjetit dhe personave ku sipas tij, kjo bëhet duke e pyetur personin direkt apo duke verifikuar nëpërmjet komunikimit me qendrën e kontrollit.

Ai ka shtuar se raporti i aksidentit duhet të plotësohet në stacionin policor.

“Raporti duhet të plotësohet në stacion, për shkak se duhet të futen të gjitha të dhënat e personit dhe të automjetit, kështu që raporti i aksidentit nuk mund të bëhet në vend të ngjarjes, si dhe duhet të nënshkruhet nga mbikëqyrësi, deri te komandanti”, ka thënë dëshmitari Kabashi.

Duke i përgjigjur në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Rexhep Krasniqi, avokatit Asman Hoxha, dëshmitari ka thënë se patrulla policore nuk ka qasje të drejtpërdrejtë me Qendrën e Regjistrimit të Automjeteve.

“Jo nuk ka, por qasje ka operativa, qendra rajonale që ka databazën dhe që mund të ketë qasje”, ka deklaruar ai.

Sipas dëshmitarit Kabashi, në rastet kur është inkuadruar vetëm një automjet, atëherë formulari evropian nuk plotësohet, mirëpo sipas tij, policët e kanë për obligim ta menaxhojnë aksidentin.

“Policia duhet të menaxhoj me atë aksident, nëse personi zyrtar e bën zhvendosjen e automjetit-respektivisht jep urdhër për zhvendosjen e mjetit, atëherë duhet të plotësohet formulari për konfiskimin e mjetit, i cili duhet të nënshkruhet nga personat e autorizuar, kontraktuesi që bënë tërheqjen dhe pala dhe secilit i jepet nga një kopje, ndërsa lirimi i automjetit bëhet në stacionin policor ku plotësohet një formular tjetër bazuar në formularin për konfiskimin e mjetit”, ka thënë Kabashi.

Ai ka thënë se njoftimi i bazës është vetëm se ka ndodhur një aksident, pastaj në librin e aksidenteve sipas tij, duhet të jenë të gjitha të dhënat e vozitësit, të mjetit dhe të jepet numri i rastit, ku siç ka deklaruar ai, këtu fillon inicimi i rastit në procedurën kundërvajtëse.

Pas dëgjimit të dëshmitarit, prokurorja e rastit, Ervehe Gashi, ka propozuar marrëveshje për pranimin e fajësisë, por një kërkesë të tillë e kanë refuzuar të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre.

Ndërsa, të akuzuarit Tafolli dhe Krasniqi, gjatë paraqitjes së mbrojtjes së tyre kanë thënë se qëndrojnë pranë deklaratave të dhënë në shqyrtimin e kaluar.

Fjala përfundimtare për këtë rast, pritet të jepet më 2 mars 2020, nga ora 10:00.

Gjykata Themelore në Prizren, më 3 prill 2019, Flurim Tafollin dhe Rexhep Krasniqin i kishte liruar nga akuza, në mungesë të provave.

Ndërsa, pas ankesës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 20 gusht 2019, Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Në aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 26 shkurt 2018, me të cilën të pandehurit Flurim Tafolli dhe Rexhep Krasniqi akuzohen se duke vepruar në cilësinë e zyrtarëve policorë më 12 shtator 2017, kanë liruar një veturë të vetaksidentuar,  megjithëse e njëjta ka rezultuar e pazhdoganuar.

Sipas aktakuzës, në automjetin e liruar nga të pandehurit kanë qenë të vendosura tabelat e regjistrimit të një automjeti tjetër, andaj sipas organit të akuzës, ata është dashur ta dërgojnë automjetin në terminal doganor, e jo ta lirojnë. /Betimipërdrejtësi