Rigjykimi ndaj ish-zyrtarëve të BPB-së, prokurorja kërkon ballafaqimin e ekspertëve financiarë, mbrojtja e kundërshton

20200121_101425
Author

Raporton: Medina KADRIU

Janar 21, 2020

Prishtinë – Prokurorja speciale Habibe Salihi, ka propozuar që të bëhet ballafaqimi i ekspertëve financiarë në rigjykimin që po zhvillohet ndaj ish-zyrtarëve të Bankës për Biznes (BpB), të cilët akuzohen për lidhje të kontratave të dëmshme.

Në këtë rast, akuzohen Nazmi Mustafa, Skender Blakqori, Nail Reshiti, Ismet Brajshori, Pashk Balaj, Sherafedin Zhitia dhe Zylfi Arifaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas precizimit të aktakuzës nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, më 8 maj 2018, të akuzuarit Nazmi Mustafa, Skender Blakqori, Nail Reshiti, Ismet Brajshori, Sherafedin Zhitia dhe Zylfi Arifaj po akuzohen se në vazhdimësi në bashkim kriminal kanë kryer veprën penale ”lidhja e kontratave të dëmshme”, ndërsa i akuzuari Pashk Balaj, akuzohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale të lidhjes së kontratave të dëmshme.

I akuzuar në këtë rast ka qenë edhe Islam Zeka, por ndaj tij është pushuar procedura penale, meqenëse ai ka ndërruar jetë.

Propozimin e prokurores Salihi, për ballafaqimin e ekspertëve financiarë e ka kundërshtuar mbrojtja e të akuzuarve.

Paraprakisht, para propozimit të prokurores, gjatë kësaj seance, trupi gjykues i kryesuar nga gjykatësja Shpresa Hasaj- Hyseni ka bërë të ditur se ka marrë aktvendim me anë të së cilit refuzohet kërkesa e prokurores dhe përfaqësuesit të palës së dëmtuar për dërgimin e lëndës në ekspertizë të re financiare.

Gjykatësja Hasaj- Hyseni, ka thënë se ky vendim është marrë për shkak se gjykata konsideron se janë bërë ekspertiza të mjaftueshme, si dhe super ekspertiza, dhe se palët kanë pasur mundësi të bëjnë pyetje e vërejtje dhe të kërkojnë sqarime të mjaftueshme.

Tutje, ajo tha se pala e dëmtuar ekspertizë të re mund të bëj edhe vet nëse e ka interesin.

“Po ashtu BPB gjegjësisht përfaqësuesit e saj me 25 qershor 2015, në shqyrtimin gjyqësor është obliguar që të sjell raportin e auditimit të jashtëm të bërë për periudhën 2003-2005, periudha ndëshkuese nga kompanitë e jashtme si KPMB që është bërë në vitin 2003 sipas shkresave të lëndës, nga kompania “Deloitte” që është bërë në vitin 2004, raporti i Bankës Qendrore e që në atë kohë ka qenë ABQK, si dhe raporti i bërë me rastin e inspektimit të brendshëm të kësaj banke”, ka thënë ajo.

Në vijim, ajo tha se gjykata i ka kërkuar këto raporte dhe kurrë nuk ka marrë përgjigje, dhe se të njëjtat asnjëherë nuk i janë paraqitur gjykatës nga pala e dëmtuar apo prokurorja.

“Trupi gjykues konsideron që janë më se të rëndësishme sepse periudhën 2003-2005 është periudha që flitet për penalltitë që kanë ndodhur në BPB, janë bërë auditimet, e që këto raporte gjykatës nuk i janë prezantuar asnjëherë. Andaj edhe njëherë obligohet e dëmtuara që gjykatës t’ia sjell këto raporte të përkthyera në gjuhën shqipe e pas vlerësimit të tyre gjykata do të vazhdojë me seancat e shqyrtimit gjyqësor”, ka thënë gjykatësja Hasaj- Hyseni.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, Dastid Pallaska, ka kërkuar nga kryetarja e trupit gjykues që për mundësinë që pala e dëmtuar të bëjë ekspertizë të udhëzohet për bazën ligjore, dhe se çfarë cilësie ka kjo ekspertizë private.

“Qato pretendime që i keni shfaq me shkrim, vazhdoni me ekspertizë të re të shohim se çfarë po thonë. Të gjithëve jua lejon ligji”, është përgjigjur gjykatësja Hasaj- Hyseni.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ismet Brajshori, avokati Artan Qerkini, ka thënë se pajtohet me qëndrimin e Pallaskës se ekspertiza nga pala në procedurë me iniciativën e saj mund të bëhet vetëm në fazën e hetimeve.

“E para ka qenë iniciativë e prokurorisë, e dyta e gjykatës. Në shqyrtim gjyqësor nuk ka pa vendim të gjykatës ekspertizë”, ka thënë Qerkini.

Më pas, të gjithë mbrojtësit kanë deklaruar se pajtohen që raportet e kërkuara nga gjykata të dorëzohen nga ana e palës së dëmtuar, por nuk janë pajtuar që në këtë fazë kur çështja është në rigjykim, pala e dëmtuar të përpilojë ekspertizë të re të posaçme, duke pas parasysh ekspertizat që janë bërë deri më tani.

Përfaqësuesi Pallaska, deklaroi se nëse dy ekspertizat janë bërë pa dokumentet e kërkuara nga gjykata, atëherë dy ekspertizat nuk janë të plota dhe ky është argumenti më i madh që ka nevojë të bëhet ekspertizë me të gjitha dokumentet.

Njëjtë është deklaruar edhe prokurorja Salihi.

“Meqenëse kërkesa është refuzu për ekspertizë të re, nga kjo po rezulton se është bërë pa dokumentacion të plotë”, ka thënë ajo.

Ndërkaq, gjykatësja Hasaj- Hyseni deklaroi se askush nuk po thotë se janë bërë pa dokumentacion të plotë dhe se prokurorja i ka raportet, por prokurorja Salihi tha se ekspertët nuk i kanë pasur këto raporte.

“Nuk e di a i kanë pas apo jo”, tha kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni.

E më pas, prokurorja Salihi, ka propozuar që të ftohen dy ekspertët financiarë të ballafaqohen dhe të paraqesin sqarimet e tyre, pasi ka ekspertiza të kundërta që dallojnë shumë njëra me tjetrën.

Mirëpo, sipas avokatit Qerkini, Kodi i Procedurës Penale e rregullon çështjen e ekspertizës nëse ekspertiza dallon dhe në atë rast sipas tij, caktohet ekspert tjetër apo super ekspertizë tjetër, mirëpo siç tha ai, kodi nuk e rregullon çështjen e ballafaqimit të ekspertëve në gjykatë.

Kurse, prokurorja Salihi tha se është neni 142 i Kodit të Procedurës Penale, e avokati Hazër Susuri që mbron Zylfi Arifaj ka thënë se me super ekspertizë është tejkaluar ky nen në këtë fazë të procedurës.

Ndërkaq, avokati Mexhit Syla, që mbron Nail Reshitin, tha se prokurori i atëhershëm Blerim Isufaj, në pyetje të gjykatës ka deklaruar se e përkrah ekspertizën e parë dhe se nuk pajtohet me super ekspertizë.

“Në këtë situatë duke pasur parasysh kundërthëniet që kanë mbet logjikisht është kërkuar që gjykata të kërkojë super ekspertizë, çka është aprovuar propozimi me të drejtë, është përpiluar ekspertiza në bazë të urdhëresës së gjykatës, e cila i është dorëzuar të gjitha palëve dhe përfaqësuesi i ekspertëve ka dhënë sqarime në disa seanca në të gjitha pyetjet që janë parashtruar”, ka thënë ai.

Sipas tij, për këto arsye, konsideron se çështja e ekspertimit në këtë fazë të procedurës ka përfunduar dhe është përmbush ai obligim ligjor, duke kërkuar të refuzohet propozimi i prokurores.

Tutje, avokati Qerkini deklaroi se neni që duhet të zbatohet është 341, sepse ky nen sipas tij, e rregullon deklarimin e ekspertit në shqyrtim gjyqësor, siç tha ai, i njëjti nuk e parasheh ballafaqimin në shqyrtim gjyqësor.

Përfaqësuesi Pallaska tha se edhe mënyra e nxjerrjes së provës me anë të ekspertimit dhe përmbajtja e raportit të ekspertit qeverisen nga dispozitat që janë të vendosura në kapitullin e fazës së hetimeve.

“Po që se argumenti i kolegut Qerkini do të mirrej si i mirëqenë atëherë do të rrjedhte se as ky trup gjykues nuk ka pas të drejtë të caktojë ekspertimin gjatë shqyrtimit kryesor, kjo për shkak se kjo e drejtë nuk i njihet shprehimisht me kod ashtu si pretendon se duhet të jetë kolegu Qerkini”, tha ai.

Sipas tij, për këtë arsye është më se e qartë se si neni 138, ashtu edhe neni 142, që kanë të bëjnë me fazën e hetimeve duhet të aplikohen përshtatshmërish edhe gjatë shqyrtimit gjyqësor.

“Në ekspertizë në faqen e tretë thuhet se nuk ka pasur dokumentet e kërkuara nga gjykata”, shtoi Pallaska.

E më pas, Qerkini tha se baza ligjore për caktimin e ekspertizës nga gjykata qëndron në nenin 329, paragrafi 4.

“Ballafaqimi është mjet provues, kodi i procedurës penale i ka përcaktu tre lloje të mjeteve provuese dhe atë provat materiale, dëshmitarët dhe ekspertët, ballafaqimin ligjvënësi nuk e ka përcaktu”, tha ai.

Kurse, Pallaska tha se ekspertiza e ekspertit Morina dhe të tjerëve nuk është bërë nga gjykata sipas detyrës zyrtare, përkatësisht nenit 329, por sipas propozimit të të pandehurve.

Pas një pauze, ku trupi gjykues u tërhoq për konsultim lidhur me propozimet e bëra gjatë seancës, kryetarja e trupit gjykues, Shpresa Hasaj- Hyseni më pas ftoi prokuroren Salihi që të arsyetojë propozimin e dhënë lidhur me ballafaqimin e ekspertëve.

“Si rrethanë kryesore është pikërisht çështja e shkaktimit të dëmit, kurse pyetjet tjera që do t’i parashtrohen ekspertëve do t’i përpiloj në formë të shkruar”, tha prokurorja Salihi.

Ndërkaq, gjykatësja Hasaj- Hyseni tha se lidhur me këtë propozim të prokurores, gjykata do të vendos pas pranimit të raporteve të cekura më lartë nga pala e dëmtuar.

“Pala e dëmtuar detyrohet që deri më  27 shkurt gjykatës t’i sjell raportet e kërkuara, si dhe nëse e sheh të arsyeshme të përpiloj edhe ekspertizë të re lidhur me objektin e aktakuzës për periudhën 2003-2005 që precizohet në aktakuzë”, ka thënë ajo.

Kurse, seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet me 27 shkurt, nga ora 10:00.

Ky proces gjyqësor ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit, gjatë vitit 2017, pasi aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë ishte atakuar nga pala mbrojtëse.

Në dhjetor të vitit 2015, Nazmi Mustafa, Skender Blakçori dhe Islam Zeka ishin dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me nga tre vjet burg, ndërsa Nail Reshiti dhe Ismet Brajshori me nga dy vjet e gjashtë muaj burg.

Për lidhje të kontratave të dëmshme Pashk Balaj ishte dënuar me dy vjet burg, ndërsa për “keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi”, Sherafedin Zhitia, ishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burg, ndërsa Zylfi Arifaj ishte dënuar me një vit burgim.

Ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), e cila ishte ngritur në korrik të vitit 2011.

Kjo prokurori ngarkon të akuzuarit se duke punuar në Bankën për Biznes (BpB), me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore financiare në mënyrë të kundërligjshme, kishin lejuar dhe lidhur kontrata për të cilin e kishin ditur se ishin të dëmshme për organizatën e biznesit, ndërsa këto kredi ishin shfrytëzuar për qëllimet e vet të akuzuarve dhe për mbylljen e kredive të firmave që kishin qenë të ndërlidhura me ta.

Sipas aktakuzës, të akuzuarit me veprimet e tyre i kishin shkaktuar dëm BpB-së, në vlerë prej 10.000.300,10 euro. /Betimipërdrejtësi