Rigjykimi ndaj “Burdushit”, dëshmitarja: Na tha se mund ta shëronte edhe sëmundjen e Alzheimerit, paguam 2000 euro

Burdushi
Author

Raporton: Avni BERISHA

Tetor 7, 2019

Prizren – Dëshmitarja T.P ka deklaruar se i akuzuari Hysni Peqani, i njohur ndryshe si “Burdushi”, i kishte thënë asaj se ai mund të shëronte, nënën e saj nga sëmundja e Alzheimerit.

Një deklaratë të tillë, ajo e ka dhënë, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është mbajtur seanca e rigjykimit ndaj “Burdushit”, i cili akuzohet veprën penale të mashtrimit.

“Burdushi”, akuzohet më 20 qershor 2014 deri më 12 gusht 2014, në Prizren, me qellim që t’i fsheh faktet dhe në mënyrë të kundërligjshme të fitojë dobi pasurore për vete apo për personin tjetër, e mashtron dhe e vë nën lajthim personin tjetër dhe me këtë e nxit të dëmtuarin Q.P, duke i thënë se do t’ia shërojë bashkëshorten, e cila vuan nga depresioni, në kompensim të shumës prej 2000 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për këtë vepër ai ishte dënuar me një vit burgim dhe me pesë mijë euro gjobë, por më pas Gjykata e Apelit e ka kthyer lëndën në rigjykim.

Në seancën e së hënës, dëshmitarja T.P, duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit Petrit Kryeziu, ka deklaruar se në Kosovë, kishte ardhur së bashku me prindërit, pasi që ishte njoftuar nga mjetet e informimit dhe rrjetet sociale mbi veprimtarinë e “Burdushit”

“E pranoj deklaratën që kam dhën në polici, është e saktë dhe e ka nënshkrimin tim, dhe sot deklaroj se nga Amerika, në vitin 2014, kam ardhur me prindërit për shërimin e nënë pasi që jemi informuar në mjetët e informimit dhe rrjetet sociale për veprimtarinë e Burdushit, kemi ardhur për shërim tek ky mjek”, ka deklaruar dëshmitarja.

Ajo ka thënë se përkundër faktit që “Burdushin” e kishin njoftuar mbi diagnozën e sëmundjes së nënës, sipas saj, ai i kishte premtuar shërim 100%.

“Burdushi na ka thënë se nëna juaj ka sehire, ka shkrim, dhe magji të zezë nga e kaluara dhe të tjera që unë nuk di si i thonë”, ka thënë ajo.

Dëshmitarja ka thënë se i akuzuari u kishte dhënë disa “hajmalia” dhe i kishte udhëzuar që t’i thonë disa fjalë në shtëpinë e tyre.

“Burdushi na ka dhënë disa hajmalia, na ka thënë me than disa fjalë, me marr dhe te vorrezat me ndez qira etj.”, ka deklaruar ajo, ku sipas saj, të gjitha këto gjëra nuk i ka kuptuar, pasi që nuk është rritur me to dhe se për të ishin absurde.

Duke u përgjigjur në pyetjen e prokurorit Petrit Kryeziu, nëse ajo i ka ndërmarr këto veprime dhe nëse ato kanë pasur sukses në shërimin e nënës së saj, dëshmitarja mes lotësh, është përgjigjur duke thënë se ajo i kishte ndërmarrë të gjitha veprimet e kërkuara nga “Burdushi”, por sipas saj, nëna nuk kishte pasur asnjë përmirësim shëndetësor.

Ajo gjatë deklaratës së saj ka thënë se tek “Burdushi”, kanë qenë tre-katër herë dhe se herën e fundit, babai i saj kishte bërë pagesën e shumës prej 2000 euro, si shpërblim për shërimin e nënës.

“Mesazhi i ardhjes sime këtu sot, që të dëshmoj në këtë gjykatë është që jo vetëm që të kërkoj dëmin që na është shkaktuar neve këtu para pesë viteve, por ndaj mendimin që të akuzuarit t’i mbyllet dera sa i përket njerëzve tjerë që mos t’i rrej, dhe mashtroj për t’i shëruar, ngase kjo është vetëm një rrenë e profesionit të tij dhe asgjë tjetër”, ka deklaruar ajo.

Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjen mbrojtësit të të akuzuarit Hysri Peqani, avokatit Skender Morina, nëse e ka ditur para se të vinte në Kosovë se “Burdushi” nuk është mjek, dëshmitarja  ka deklaruar se te zyra e tij ishte prezantuar si mjek popullor, mirëpo sipas saj, se çfarë do të thotë kjo ajo nuk e dinte.

Ajo ka thënë se “Burdushi” asnjëherë nuk i kishte dhënë nënës së saj ilaçe, por sipas saj, ai kishte përdorur metoda të shërimit si në Indi.

“Me sa më kujtohet mu “Burdushi”, një hajmali e ka djeg me cibritë, me parë e ka sjell rreth qafës së nënës, si një lloj magjie qe bëjnë në Indi, që unë i kam parë përmes televizionit”, ka thënë dëshmitarja.

Gjatë seancë të së hënës është dhënë edhe fjala hyrëse e palëve në procedurë.

Prokurori Petrit Kryeziu, ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të 10 tetorit 2018, mirëpo ai ka propozuar gjykatës që në cilësi të provës të pranohet vendimi mbi ndalimin e ushtrimit të veprimtarisë shëndetësore në institucionin privat të shëndetësisë, përkatësisht ordinancës “Burdushi”.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Skender Morina ka deklaruar se mbetet në tërësi pranë fjalës hyrëse të shqyrtimit kryesor të kaluar, duke kërkuar nga gjykata që gjatë procedurave të provave të kërkojë një vendim nga Ministria e Shëndetësisë, ku sipas tij, në bazë të ligjit për veprimtaritë private shëndetësore të sqarohet se si trajtohen këto veprimtari që ka ushtruar i mbrojturi i tij.

Gjyqtari Fatmir Krasniqi, pasi që ka bërë leximin e provave, e ka ndërprerë seancën e së hënës dhe seancën e radhës e ka caktuar më 1 nëntor 2019, në ora 10:00.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 19 nëntor 2018, kishte marr aktgjykim, me të cilin i akuzuari Peqani, ishte shpallur fajtor për mashtrim dhe ishte dënuar me një vit burgim dhe 5000 euro gjobë.

Ndaj tij, po ashtu gjykata kishte shqiptuar edhe dënimin plotësues, ndalim i ushtrimit të profesionit në kohëzgjatje prej tre vjetësh.

Ndërsa, pas ankesës së mbrojtjes në Gjykatën e Apelit, rasti është kthyer në rigjykim.

Në aktvendimin që e ka siguruar “Betimi për Drejtësi” thuhet se gjykata e shkallës së parë gabimisht ka aplikuar dispozitat ligjore.

Sipas Apelit, gjykata e shkallës së parë ka lexuar deklaratën e të dëmtuarës të dhënë në polici, pa pajtimin e palëve në procedurë dhe se edhe pas kundërshtimit të mbrojtësit dhe të akuzuarit, ka aprovuar propozimin e prokurorit.

“Gjykata e shkallës së parë as nuk ka dhënë arsye për leximin e deklaratës së dëshmitares ashtu siç kërkohet me par. 3 të nenit 338. Shkeljet e lartcekura sipas vlerësimit të kolegjit penal të kësaj gjykate janë të karakterit absolut dhe detyrimisht kushtëzojnë anulimin e këtij aktgjykimi”, thuhet ndër të tjera në aktvendimin e Gjykatës së Apelit.

Prokuroria Themelore në Prizren, në vitin 2015, kishte ngritur aktakuzë ndaj të akuzuarit Hysni Peqani, me arsyetimin se i njëjti, më 20 qershor 2014 deri më 12 gusht 2014, në Prizren, me qellim që t’i fsheh faktet dhe në mënyrë të kundërligjshme të fitojë dobi pasurore për vete apo për personin tjetër, e mashtron dhe e vë nën lajthim personin tjetër dhe me këtë e nxit të dëmtuarin Q.P, duke i thënë se do t’ia shërojë bashkëshorten, e cila vuan nga depresioni, në kompensim të shumës prej 2000 euro.

Me këto veprime, Peqani akuzohet se ka kryer veprën penale të mashtrimit. /BetimipërDrejtësi