Rezulton pozitiv me Covid-19 një referente në Gjykatën e Vushtrrisë, seancat vazhdojnë të mbahen me rregull

Mitrovice
Author

Raporton: Amir BUNJKAU

Qershor 25, 2020

Vushtrri – Virusi Covid-19 tashmë është paraqitur edhe në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri.

Lajmin për “Betimin për Drejtësi” e ka bërë të ditur gjykatësi mbikëqyrës i kësaj gjykate, Rifat Bllata.

I njëjti tha se një referente e gjykatës në fjalë ka rezultuar pozitiv në testimin për koronavirus.

“Kemi një referente që ka dal pozitiv me covid-19 dhe për këtë është lajmëruar Këshilli Gjyqësor dhe kryetari i gjykatës”, ka thënë Bllata.

Ai bëri të ditur se referentja në fjalë është vetizoluar dhe se për momentin nuk ka persona tjerë të dyshuar, duke shtuar se janë duke u respektuar vendimet e Ministrisë së Shëndetësisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK).

Lidhur me këtë, Bllata tha se kryetari i Gjykatës Themelore në Mitrovicë, Nikolla Kabashiq, ka kërkuar të lirohen nga puna të gjithë personeli i gjykatës që kanë fëmijë nën moshën 15 vjeçare.

“Është kërkua që personeli in gjykatës që kanë fëmijë të moshës nën 15 vjeç, personat me sëmundje kronike dhe ata të moshës mbi 62 vjeç të lirohen” ka thënë Bllata.

Kurse, sipas tij, seancat në këtë degë janë duke u mbajtur dhe gjykata është duke funksionuar për palët. /BetimipërDrejtësi