Refuzohet pranimi i fajësisë nga i akuzuari për mashtrim dhe falsifikim të dokumenteve

f4
Author

Raporton: Flutura Rraqi

Prill 7, 2021

Suharekë – Të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren- dega në Suharekë është refuzuar pranimi i fajësisë nga ana e të akuzuarit Sadik Berisha i cili po akuzohet për “rastet e posaqme të falsifikimit të dokumenteve” si dhe së bashku me të akuzuarin e dytë Dashnim Bajrami po akuzohen se kanë kryer veprat penale “mashtrimi”.

Deri te refuzimi i pranimit të fajësisë ka ardhur pasi prokurori, Petrit Kryeziu e ka kundërshtuar atë, duke shtuar se “pavarësisht që pranimi është bërë vullnetarisht dhe pa presion nga i akuzuari, ai duhet të refuzohet, sepse i njëjti së bashku me të akuzuarin Dashnim Bajrami kanë ndërmarr veprime inkriminuese, andaj gjykata në këtë fazë të procedurës nuk duhet ta pranojë fajësinë, ndërsa të njëjtën duhet ta ketë parasysh gjatë matjes së dënimit”, ka deklaruar prokurori Kryeziu.

Gjyqtari i çështjes, Qemail Suka ka refuzuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Sadik Berisha të mbështetur edhe nga mbrojtësi i tij avokati Besim Kuqi.

Me qëllim që në procedurën e provave të merren dëshmitarët Durak Durmishi dhe Milazim Voci, gjyqtari Suka ka shtyrë seancën e sotme për datën 15 prill 2021 në ora 11:00, duke kërkuar nga zyrtarët policor që dëshmitarët ti shoqërojnë me forcë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të akuzuarit Sadik Berisha dhe Dashnim Bajrami, akuzohen se më 10 dhjetor 2010 në Suharekë me qëllim që vetes t’i sjellin dobi  pasurore të kundërligjshme, e mashtrojnë të dëmtuarin Isni Berisha, ashtu që e sjellin në lajthim me anë të paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet dhe me këtë e shtytin që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që i pandehuri i dytë Dashnim Bajrami, kinse përmes një parakontrate i shet të dëmtuarit Isni Berisha banesën e cila gjendet në lagjen “Sllogja” në Suharekë, në sipërfaqe prej 61 m2 në vlerë prej 31 mijë euro dhe merr prej tij 23 mijë euro me ç’rast përmes falsifikimit të kontratës së mëparshme, me ndihmën e të pandehurit të parë Sadik Berisha- djali i të dëmtuarit, ia shesin Bajram Bytyqit në shumë prej 31 mijë euro.

Andaj, me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Mirëpo gjyqtari i çështjes ka konstatuar se për këtë vepër është arritur parashkrimi.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës të lartcekurit kah mesi i prillit 2011 në Suharekë, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore, e mashtrojnë të dëmtuarin Bajram Bytyqi ashtu që e sjellin në lajthim me anë të paraqitjes së rreme duke i fshehur faktet dhe me këtë e shtytin që të veprojë në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që banesën e njëjtë si në dispozitivin e parë, ia shesin në shumë prej 31 mijë euro.

Me këto veprimë në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës të lartcekurit më 24 maj 2011 në Suharekë e mashtrojnë pronarin e kompleksit banesor Milazim Voci dhe të dëmtuarin Durak Durmishi, me qëllim që vetes t’i sjell dobi pasurore, ashtu që e sjellin në lajthim të dëmtuarit me anë të paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet dhe me këtë e shtytin që Milazim Voci si pronarë i kompleksit banesor, të bartë banesën në emër  të të dëmtuarit Durak Durmishi, duke ia shitur atij banesën e cila është objekt i dispozitivit l dhe ll të aktakuzës në shumë prej 30,750 mijë euro.

Me këto veprime akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Ndërsa i pandehuri Sadik Berisha, akuzohet se gjatë muajit maj të vitit 2011 në Suharekë mashtron të dëmtuarin Bajram Bytyqi  lidhur me përmbajtjen e parakontratës të datës 25 maj 2011, kinse i pandehuri i parë është pronar i banesës duke vënë nënshkrimin e vet në këtë dokument.

Andaj, me këto veprime akuzohet se ka kryer veprën penale “rastet e posaqme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 333 paragrafi 1 nënparagrafi 2 i KPK-së. /BetimipërDrejtësi