Refuzohet padia e noterit që kërkonte 200 mijë euro nga Oda e Noterëve dhe anulimin e vendimit për shkeljet disiplinore

84336376_471830343486429_1180657926663045120_n
Author

Raporton: Gzime HASHANI

Shkurt 11, 2020

Prishtinë – Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore në Prishtinë, e ka refuzuar si të pabazuar padinë e noterit Sefadin Blakaj, për anulimin e vendimit të Odës së  Noterëve, me të cilin ai ishte gjobitur për shkak të shkeljeve disiplinore.

Ndërkaq, pjesën sa i përket kompensimit në shumë prej 200 mijë euro, gjykata e ka hedhur një kërkesë të tillë si të palejueshme, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Sipas vendimit të Këshillit për Arbitrazh dhe Disiplinë (KAD) të Odës së Noterëve, Blakaj për shkak të shkeljeve disiplinore ishte dënuar me 4500 euro gjobë, si dhe përkohësisht i ishte pezulluar ushtrimi i funksionit të noterit, me arsyetimin se ai së bashku me bashkëshorten e tij, kishin themeluar kompaninë “Eurolex” L.L.C. si dhe “EuroLex&Estates” SH.P.K, si dhe ai, sipas vendimit, në mënyrë të kundërligjshme kishte ngarkuar palët edhe me pagesën për letrat e printuara.

Por, një procedurë të tillë disiplinore, gjatë shqyrtimit gjyqësor të mbajtur më 14 janar 2020, paditësi e kishte konsideruar të orkestruar nga KAD-i, duke kërkuar nga gjykata që vendimin e atakuar ta anulojë si të kundërligjshëm.

Madje, për dëmin moral të cilin pretendonte se i është shkaktuar, ai kishte kërkuar edhe 200 mijë euro kompensim.

Ai përmes padisë kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit të Odes së Noterëve të Kosovës, me pretendimin se vendimi ndaj tij, është marrë në mënyrë të kundërligjshme dhe me qëllim të dëmtimit të reputacionit të tij.

Por, gjykata përmes aktgjykimit ka konstatuar se vendimi i të paditurës është i ligjshëm dhe kërkesëpadia është e pabazuar.

“Gjykata vlerësoi edhe pretendimet e paditësit të dhëna në padi dhe në seancën e shqyrtimit gjyqësor, por të njëjtat i vlerësoi të pabazuara për faktin se paditësi me veprimet e tij ka rënë ndesh me nenin 19.1 të Ligjit me nr.03/L-010 për Noterinë, dhe neni 21.1. dhe 2 lidhur me nenin 27 të Udhëzimit Administrativ me nr.02/2012 për Tarifat e Përkohshme Noteriale”, thuhet në aktgjykim.

Ndërsa, kjo gjykatë ka hedhur poshtë si të palejueshme kërkesëpadinë sa i përket kompensimit të dëmit jo material me vendimet e konstatuara.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 28 korrik 2017, paditësi Sefadin Blakaj, kishte kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti për Çështje Administrative, anulimin e vendimit me të cilin Oda e Noterëve, gjegjësisht Këshillit për Arbitrazh dhe Disiplinë (KAD) e kishte shpallur përgjegjës për shkelje disiplinore.

Sipas këtij vendimi, ai ishte dënuar me 4500 euro gjobë dhe ndaj tij ishte pezulluar përkohësisht ushtrimi i funksionit të noterit.

Kjo për faktin, se siç thuhet në padi, i njëjti së bashku me bashkëshorten e tij kishin themeluar kompaninë “Eurolex” L.L.C. si dhe “EuroLex&Estates” SH.P.K, si dhe ai sipas vendimit në mënyrë të kundërligjshme kishte ngarkuar palët edhe me pagesën për letrat e printuara.

Sipas padisë, një vendim i tillë është i kundërligjshëm, andaj kishte kërkuar nga kjo gjykatë që të njëjtin ta anulojë.

Përpos anulimit të vendimit, Blakaj ka kërkuar edhe kompensimin e shpenzimeve të shkaktuara me rastin e procedurave disiplinore dhe atyre në konfliktin administrativ. /BetimipërDrejtësi