Refuzohet marrëveshja për pranimin e fajësisë në rastin e të akuzuarit për aksidentin me fatalitet

Ibrahim Krasniqi (1)
Author

Raporton: Dhurata RAMOJA

Nëntor 8, 2018

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, nuk e ka aprovuar marrëveshjen mbi pranimin e fajësisë, në rastin e të akuzuarit për veprën penale “rrezikim i trafikut publik”, Ibrahim Krasniqi.

Gjykatësi i rastit, Mentor Bajraktari, në seancën e së enjtes, ka deklaruar se arsye e mos pranimit të marrëveshjes, është se dënimi nuk është në harmoni me rregullat për matjen e dënimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Dënimi që është propozuar me marrëveshje për pranimin e fajësisë nuk është në harmoni me rregullat për matjen e dënimit nga neni 73 dhe 74 të KPRK-së, duke pasur parasysh minimumin dhe maksimumin e paraparë për këtë vepër penale e posaçërisht peshën e veprës penale, shkallën e përgjegjësisë penale, intensitetin e rrezikimit dëmtimit të vlerës së mbrojtur përkatësisht jetës. Po ashtu dënimi i propozuar me marrëveshje për pranimin e fajësisë nuk është në harmoni me nenin 233 par.7 nënpar.7.1 lidhur me par.1 të KPK-së”, ka deklaruar gjykatësi Bajraktari.

Në marrëveshjen e lidhur më 3 tetor 2018, në mes prokurores së rastit, Mone Syla dhe të akuzuarit Ibrahim Krasniqi, ishte propozuar që i akuzuari të dënohet me dënim me burgim prej gjashtë muajsh dhe arrest shtëpiak prej katër muajsh, duke i llogaritur edhe kohën e kaluar në paraburgim, ndërsa pjesa tjetër të shndërrohet në dënim me gjobë në shumë prej dy mijë euro.

Mbrojtësi i të akuzuarit Ibrahim Krasniqi, avokati Vegim Maloku propozoi që të shtyhet seanca që të arrihet një marrëveshje në mes të akuzuarit dhe Prokurorisë Themelore në Gjakovë në harmoni me kushtet dhe rregullat.

Ky propozim, është aprovuar nga gjykatësi Mentor Bajraktari, i cili seancën e radhës e caktoi më 10 dhjetor, në ora 10:30.

Sipas aktakuzës, Ibrahim Krasniqi, akuzohet se më 26 korrik 2017, rreth orës 16:15, në aksin rrugor Prishtinë-Gjakovë, pikërisht në fshatin Qerim, i pandehuri duke drejtuar automjetin e markës “Porche”, ka rrezikuar trafikun publik, ku ka goditur automjetin e markës “Opel Combo-C-Van”, të cilin po e drejtonte tani i ndjeri P.M, i cili ishte duke lëvizur në drejtimin Gjakovë-Prishtinë, ku si pasojë e inercionit të goditjes pëson ky i fundit, del jashtë rrugës në krahun e djathtë të lëvizjes ku dhe ka humbur jetën P.M.

Me këtë, akuzohet se ka kryer veprën penale “rrezikim i trafikut publik” nga neni 378 par.9 lidhur me par.6 të KPRK-së.