Refuzohet kërkesa për hudhjen e aktakuzës ndaj të akuzuarit për shmangie nga tatimi

Foto e gjykates Podujevë
Author

Raporton: Florentina OSMANI

Janar 20, 2020

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Podujevë, e ka konfirmuar aktakuzën ndaj të akuzuarit për shmangie nga tatimi, Naser Luta.

Në seancën e së hënës, kjo gjykatë e ka refuzuar kërkesën e të akuzuarit për hudhjen e aktakuzës ndaj tij, të cilën së bashku me mbrojtësin e tij, avokatin Mentor Neziri, e kishin dorëzuar më 14 janar 2020.

Pasi që këtë kërkesë, fillimisht e ka kundërshtuar prokurorja Hava Krasniqi, atë e ka refuzuar edhe gjykatësi i çështjes, Minir Hoti.

“Sa i përket kërkesës së mbrojtësit të të akuzuarit për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimit të provave, prokuroria e kundërshton për arsye se i pandehuri dhe mbrojtësi i tij nuk kanë ofruar ndonjë provë të mjaftueshme materiale, me të cilën do të kundërshtonin provat të cilat gjenden në shkresat e lëndës, e mbi të cilat është ngritur aktakuza, andaj i propozojmë gjykatës që të njejtën ta refuzoj dhe të vazhdoj me shqyrtimin gjyqësor”, ka deklaruar prokurorja Krasniqi.

Ndërkaq, i akuzuari Luta, tha se qëndron pranë kërkesës me shkrim, dhe se nuk ka propozime të tjera.

Seanca e së hënës, është mbajtur pa prezencën e mbrojtësit të autorizuar të të akuzuarit Luta, avokatit Mentor Neziri, pasi që një gjë të tillë, nuk e ka kundërshtuar i akuzuari.

Në lidhje me shmangien nga tatimi, për çka edhe akuzohet Naser Luta, i njëjti në seancën e 20 dhjetorit 2019, ishte deklaruar i pafajshëm.

Luta në aktakuzë, është i akuzuar me emrin Musë, mirëpo mbrojtësi i tij në shqyrtimin fillestar të 20 dhjetorit 2019, ka deklaruar se në procedurë administrative ai ka ndërruar emrin dhe tashmë quhet Naser.

Ndryshe, sipas aktakuzës së 15 tetorit 2012, Luta akuzohet se në cilësinë e pronarit të biznesit “TINA”, veprimtaria e të cilit ka qenë tregtia me derivate të naftës dhe tekstilit, duke i fshehur faktet për të hyrat gjatë veprimtarisë së tij ekonomike, sipas prokurorisë, nuk ka deklaruar fare tatimin gjatë periudhës 2008, 2009 dhe 2010.

Në aktakuzë thuhet se ai nuk ka kooperuar me ATK-në, me ç’rast tatimi bazë i fshehur është 37.245.15 euro dhe me këtë i ka shkaktuar dëm material buxhetit të Republikës së Kosovës.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “shmangie nga tatimi”, nga neni 249, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së. /BetimipërDrejtësi