Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj të akuzuarit për posedim të narkotikëve

Besnik Shotani foto (1)
Author

Raporton: Senad LOKAJ

Shkurt 10, 2020

Gjakovë – Gjykata Themelore në Gjakovë, të hënën, e ka refuzuar kërkesën për hudhje të aktakuzës, në rastin ndaj të akuzuarit për posedim të narkotikëve me qëllim të shitjes, Besnik Shotani.

Një gjë e tillë, ka ndodhur në seancën e shqyrtimit të dytë, pasi që mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Masar Vula, i angazhuar sipas detyrës zyrtare, ka kërkuar që të hudhet poshtë aktakuza e ngritur ndaj klientit të tij.

Avokati Vula tha se i akuzuari në deklaratën e tij që e ka dhënë para prokurorit ka deklaruar se substancën narkotike e ka blerë nga një person me emrin Beli dhe më pas edhe nga një person tjetër me emrin Valon, dhe për të cilët, sipas tij, prokuroria të njëjtit nuk i ka marrë në pyetje që të vërtetohet saktësia e rastit në fjalë.

Ai kërkoi që kjo aktakuzë t’i kthehet në plotësim dhe përmirësim prokurorit të shtetit.

Ndërsa, prokurorja Ardita Beqiraj tha se i akuzuari mbrojtjen e tij që e ka dhënë në Prokurori e ka dhënë ashtu siç di më së miri për vete.

Ajo shtoi se aktakuza ka prova të mjaftueshme, duke kërkuar nga gjykata që ta refuzojë si të pabazuar kërkesën e mbrojtësi të të akuzuarit për hudhjen e aktakuzës.

Më pas, gjykatësi Shaqir Zika e ka refuzuar kërkesën për hudhjen e aktakuzës, pasi që sipas tij, nuk ekzistojnë kushtet ligjore për hudhjen e saj.

Ai i njoftoi palët se brenda afatit ligjor kanë të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.

Sipas aktakuzës, i akuzuari Shotani më 17 tetor 2019, rreth orës 10:15, në shtëpinë e tij në Gjakovë pa autorizim ka poseduar substanca narkotike me qëllim të shitjes.

Në aktakuzë thuhet se gjatë bastisjes së shtëpisë së tij dhe objekteve përcjellëse nga ana e patrullës së policisë, pikërisht në dhomën e gjumit të të pandehurit janë gjetur katër qese najloni të mbushura me substancë që dyshohet të jetë e llojit marihuanë, si dhe 14 qese të mbushura me substancë të dyshuar e llojit heroinë.

Sipas aktakuzës, pas ekzaminimit laboratorik të forenzikës ka rezultuar të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë, me peshë prej 30.59 gramë, dhe substancë narkotike e llojit heroinë me peshë prej 3.12 gramë. /BetimipërDrejtësi