Refuzohet kërkesa për hudhje të aktakuzës ndaj ish-drejtorit të Inspeksionit në Pejë, por përjashtohen nga lënda dëshmitë e disa dëshmitarëve

peje
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Dhjetor 5, 2018

Pejë – Gjykata Themelore në Pejë, ka refuzuar kërkesën e ish-drejtorit të Inskepsionit në Komunën e Pejës, Demë Dashi për hudhjen e aktakuzës që e ngarkon atë për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Ndërsa, e ka aprovuar pjesërisht kërkesën për përjashtimin e disa dëshmitarëve nga shkresat e lëndës.

Dashi akuzohet se në cilësinë e drejtorit të Inspektimeve në Komunën e Pejës, me dashje nuk kishte përmbushur detyrat e tij zyrtare, ashtu që gjatë periudhës 7 maj 2014, deri 14 nëntor 2016, ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe me tejkalim të lejeve urbanistike.

Kryetari i trupit gjykues, Sali Berisha ka marrë vendim që të aprovojë si të bazuar kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Demë Dashi, avokati Isë Osdautaj për kundërshtimin e provave si të papranueshme, duke përjashtuar nga shkresat e lëndës dëshmitë e dëshmitarëve Hasan Idrizaj, Visar Kelmendi, Bashkim Hadërgjonaj, Arben Qakaj, Sali Qelaj, Gani Mavraj, Mendu Mende, Bakir Burri, Metë Ademaj, Astrit dhe Alma Imami, Abedin Kurtulaj, Gjihad Deçani, Ekrem Lluka, Tafil Alimusaj, Smajl Temaj, Rexhë Zeka, Kujtim Hadërgjonaj, Isa Selimaj, Haxhi Karaqica, Shkelzen Hadërgjonaj, Ideal Gashi dhe Adem Berisha.

Në arsyetimin e aktvendimit të siguruar nga “Betimi për Drejtësi”, theksohet se dëshmitë e këtyre dëshmitarëve janë shpallur si të papranueshme për arsye se të njëjtit në fazën e hetimeve nuk janë dëgjuar fare në cilësinë e dëshmitarëve lidhur me këtë çështje penale, por janë dëgjuar në cilësinë e të pandehurve.

Më tutje, në aktvendim jepet konkludim se disa nga dëshmitarët e propozuar si dëshmitarë për këtë çështje penale, janë kryes të veprimeve konkrete inkriminuese, për të cilat akuzohet Demë Dashi.

“Siç konstatohet edhe nga shkresat e lëndës, dëshmitarët e propozuar nuk janë dëgjuar fare në cilësinë e dëshmitarëve në fazën e hetuesisë lidhur me këtë çështje penale, por janë dëgjuar në cilësinë e të pandehurve, ndaj të cilëve disa kanë edhe aktakuza, për disa janë pushuar hetimet edhe pse ata janë kryesit e veprimeve konkrete inkriminuese, për të cilat tani, akuzohet i pandehuri Demë Dashi”, theksohet në aktvendimin e gjykatësit Berisha.

Ndryshe, në seancën e fillestare të mbajtur në Gjykatën Themelore në Pejë me 25 qershor të këtij viti, i akuzuari Demë Dashi, ishte deklaruar i pafajshëm për veprën për të cilën akuzohet.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjakovë, më 27 mars 2018, Demë Dashi akuzohet se si person zyrtar, në pozitën e drejtorit të Drejtorisë së Inspeksionit në Komunën e Pejës, me dashje nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare të domosdoshme të përcaktuara me ligj, ashtu që gjatë periudhës 7 maj 2014 deri më 14 nëntor 2016, ka lejuar ndërtimin e mbi katërmbëdhjetë objekteve shumë banesore në regjionin e Pejës, pa leje dhe tejkalim të lejeve urbanistike.

Sipas aktakuzës, me këto veprime, i pandehuri Dashi ka mundësuar përfitim të kundërligjshëm për Hasan Idrizaj, Arben Qakaj, Artan Gjoci, Metë Ademaj, Agim Lokaj, Sami Karaqica, Visar Kelmendi, Abedin Kurtulaj, Hekuran Selimaj, Kujtim Hadërgjonaj, Rexhe Zeka, Sali Qekaj, me mbi 500.00 euro.

Kjo çështje penale është deleguar prej Prokurorisë Themelore në Pejë, në Prokurorinë Themelore në Gjakovë, për shkak të hetimit të drejtë dhe objektiv.