Referohet në procedurë të ndërmjetësimit rasti ku ish-ministri Numan Baliq po akuzohet për kanosje

Numan Baliq
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Prill 7, 2021

Pejë – Është referuar në procedurën e ndërmjetësimit lënda penale për kanosje, ku i akuzuar është ish-ministri i Shëndetësisë dhe ish-zëvendësministër në Qeverinë Haradinaj, Numan Baliq.

Në seancën fillestare të mbajtur të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Pejë, pasi aktakuza u konsiderua e lexuar, gjykatësi Ahmet Rexhaj e njoftoi të pandehurin se kjo çështje penale mund të zgjidhet në procedurën alternative të ndërmjetësimit.

Lidhur me këtë, Baliq deklaroi se ka vullnet që kjo lëndë të kryhet në procedurën e ndërmjetësimit, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Nga koha kur ka ndodhur rasti, me të dëmtuarin nuk kemi raporte të përkeqësuara dhe kam dëshirë të dëgjoj opinionin e tij lidhur me rastin, ashtu që procedura e ndërmjetësimit është adekuate për këtë fazë të gjykimit”, tha i akuzuari Baliq.

Meqenëse një gjë e tillë nuk u kundërshtua as nga prokurori Ersan Qavolli, gjykatësi Rexhaj bëri të ditur se kjo lëndë referohet në procedurë të ndërmjetësimit.

Sipas aktakuzës së ngritur me 12 mars 2019, nga Prokuroria Themelore në Pejë, Numan Baliq po akuzohet se me 20 shtator 2018, rreth orës 21:45 minuta, në fshatin Vitomericë të Komunës së Pejës, seriozisht e ka kanosur të dëmtuarin Avdullah Gjesheviq më fjalë dhe gjeste se do t’i shkaktojnë ndonjë të keqe, me qëllim të frikësimit ose shkaktimit të ankthit.

Në këtë dispozitiv akuzues thuhet se pasi që në linkun “Indeks Online” ishin postuar shkresa dhe foto të ndryshme në emër të të akuzuarit Baliq, ky i fundit së bashku me katër djemtë e tij ka shkuar në shtëpinë e këtu të dëmtuarit Gjesheviq dhe gjatë bisedës i akuzuari i është drejtuar me fjalët “Ose fshijë shkrimet ose do të godas”, ku njëkohësisht ka gjestikuluar duke e goditur dorën e vet me grusht, ashtu që i dëmtuari si pasojë e shkaktimit të ankthit e lajmëron rastin në Polici.

Për këto veprime, Numan Baliq po akuzohet se ka kryer veprën penale “Kansoje”, nga neni 185, paragrafi 1 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi