Referohet në procedurë të ndërmjetësimit lënda për keqpërdorimin e energjisë elektrike

Raporton: Florentina OSMANI

Podujevë – Gjykata Themelore në Prishtinë, dega Podujevë, e ka referuar në procedurë të ndërmjetësimit, lëndën për veprën penale “vjedhje të shërbimeve”, ku i akuzuar është Muhamet Fetahu.

Ky vullnet u aprovua nga gjykata në fjalë, pasi e njëjta bazuar në nenin 8 par.1 dhe 2 të Ligjit për Ndërmjetësim numër 06/L-009, i kishte sugjeruar palët të shfrytëzojnë këtë të drejtë ligjore, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, i akuzuari Fetahu, tha se kërkon që kjo çështje të zgjidhet në procedurën e ndërmjetësimit.

Që kjo çështje të zgjidhet në këtë formë, u pajtua edhe prokurori Fatmir Behrami.

Gjykatësi i çështjes, Gazmend Bahtiri, tha se pranohet deklarimi i palëve dhe vullneti i tyre për zgjidhjen e kësaj çështjeje në ndërmjetësim.

“Obligohet Zyra e Ndërmjetësimit në Prishtinë, që në afatin sa më të shkurtër kohor të njoftoj gjykatën dhe t’i dërgoj një kopje të marrëveshjes së palëve nëse arrihet”, përfundoi gjykatësi Bahtiri.

Ndryshe, sipas aktakuzës së datës 26.07.2019, Muhamet Fetahu akuzohet se më datë 31.01.2019, në shtëpinë e tij, me qëllim të përvetësimit të sendeve të huaja të luajtshme, e që vetes t’i sjellë përfitim pasuror të kundërligjshëm, e ka shfrytëzuar energjinë elektrike pa autorizimin e furnizuesit përkatës KEDS-it, duke bërë lidhje direkte jashtë pikës matëse, në atë mënyrë që ka pamundësuar matjen e energjisë elektrike të shpenzuar, me ç’rast të dëmtuarës KEDS i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 153,06 euro.

Me këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “vjedhja e shërbimeve”, nga neni 314 i KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë