Referohet në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarve për sulm

gjykata-themelore-mitrovice1-659x386
Author

Raporton: Egzon HALILI

Shtator 15, 2020

Vushtrri – Të martën, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri, është referuar në procedurë të ndërmjetësimit lënda ndaj të akuzuarve për sulm, Kujtim, Shpëtim dhe Lavdim Xhafa.

Fillimisht prokurorja Stojanka Kasaloviq ka bërë rikualifikimin e veprës penale “sulm” nga neni 187, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, në nenin 187 paragrafi 2 lidhur paragrafin 1 dhe nenin 31 të Kodit të Ri Penal, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas i akuzuari Shpëtim Xhafa  ka propozuar që lënda të shkojë në procedurën e ndërmjetësimit pasi edhe të akuzuarit Shpëtim dhe Lavdim Xhafa janë pajtuar me të dëmtuarin Arton Preniqi.

Kërkesën e të akuzuarit nuk e kanë kundërshtuar prokurorja Kasaloviq dhe as i dëmtuari Preniqi.

Pas kësaj, gjykatësi Agron Maxhuni ka marrë aktvendim me të cilin e ka aprovuar propozimin që çështja të dërgohet në procedurë të ndërmjetësimit.

Ndryshe gjatë kësaj seance nuk ishin prezent të akuzuarit Lavdim dhe Shpëtim Xhafa, pasi të njëjtit gjenden jashtë vendit.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 24 janar 2020, kishte ngritur aktakuzë ndaj Kujtim Xhafa, Shpëtim Xhafa në bashkëkryerje për veprën penale “Sulm” nga neni 187 par.2 lidhur me par.1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së, kurse Lavdim Xhafa i vetëm akuzohet për veprën penale “Sulm” nga neni 187 par. 1 të KPRK-së.

Sipas aktakuzës thuhet se ekziston dyshimi i bazuar mirë që me pjesëmarrjeje të përbashkët më 15 janar 2018 në rrugën “Tirana”, në Vushtrri afër kafes “Duo”, me dashje përdorën forcën ndaj palës së dëmtuar Arton Preniqi, pa pëlqimin e tij në atë mënyrë që kur panë se Artoni me vëllain e tij po kalonin rrugën në fjalë, vrullshëm e ndalën automjetin e tyre për arsye se i dëmtuari rastësisht e goditi në kalim djalin e Kujtim Xhafës, pas së cilës e sulmuan dhe i akuzuari i tretë Lavdim Xhafa të dëmtuarin e goditi me grusht në kokë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, thuhet se i akuzuari Shpëtim Xhafa morri amortizuesin e bagazhit të automjetit dhe të dëmtuarin e goditi në krah me mjet të përshtatshëm për të shkaktuar lëndime trupore ose paaftësi shëndetësore.

Sipas prokurorisë, pastaj në një moment i akuzuari Kujtim nxori dhe repertori pistoletën me ngjyrë të zezë me tubën e kthyer në drejtim të të dëmtuarit, kur arriti me e shty dhe së bashku me vëllain me ikë në kafenë më të afërt, ndërsa tre vëllezërit Xhafa me automjet u larguan në drejtim të panjohur./Betimipërdrejtësi