Referentja e Gjykatës në Graçanicë e akuzuar për korrupsion thotë se është e sigurt në pafajësinë e saj

Raporton: Anesa HOXHA

Prishtinë – Referentja e suspenduar e Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë, Natasha Maksimoviq, e cila po akuzohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ka thënë se është e sigurt në pafajësinë e saj, duke pohuar me përgjegjësi të plotë që nuk është fajtore.

Këtë deklaratë, e akuzuara Maksimoviq e bëri të martën gjatë dhënies së mbrojtjes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me këtë aktakuzë dhe kallëzimin penal është lëkundur nderi dhe autoriteti im, pa asnjë provë që kam qenë pjesë dhe kam bashkëvepruar në këtë punë me vullnetin tim, e mos të flas për gjendjen time psiqike dhe të gjitha këtyre që i përjetoj, sepse asnjëherë por as në jetën time private nuk kam qenë në këtë lloj të situatës”, tha ajo.

Në këtë rast, bashkë me të, po akuzohen edhe Ismet Mehmeti dhe Valdrin Lleshaj se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Gjatë përgjigjeve në pyetjet e mbrojtëses së saj, avokates Drita Rexhepi, e akuzuara Maksimoviq ka thënë se fillimisht ka punuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës (KGJK), ndërsa me hapjen e degës së gjykatës edhe në Gracanicë, e njëjta tha se pas konkurrimit kishte fituar pozitën si referente.

Mirëpo, përveç këtyre detyrave ajo tha se në gjykatë ka kryer edhe detyra të tjera me vendim të KGJK-së dhe kryetares së Gjykatës Themelore në Prishtinë, Makifete Saliuka.

“Puna ime zyrtare ka qenë referent i përmbarimit, mirëpo unë kam kryer edhe detyrat e referentes për vërtetim të dokumenteve si dhe punët e arkës, ashtu që zyrtarisht isha edhe arkatare”, tha ajo.

Këto dy punë shtesë, Maksimoviq tha se ishte caktuar t’i kryente gjatë kohës kur zyrtarët adekuat ishin në pushime vjetore apo mjekësore.

Për vërtetimin e dokumenteve, e akuzuara Maksimoviq tha se pala ka qenë e detyruar të kishte mjet të identifikimit të Republikës së Kosovës, të kishte dy dëshmitarë që jetojnë dhe banojnë në territorin e RKS-së dhe të cilët posedojnë letërnjoftim apo pasaportë të RKS.

“Kopjet e letërnjoftimit të dëshmitarëve, faturat e pagesës së taksës gjyqësore, çdo herë pas vërtetimit ka qenë e arkivur në shkresat e lëndës, kurse në regjistrin e gjykatës u evidentonte pala e cila jepte autorizimin si dhe evidentohen dëshmitarët që vërtetojnë identitetin e tij”, tha ajo.

Ndërsa, shtoi se ajo nuk ishte e obligur të vërtetone identitetin e palëve, por se vetëm t’i verifikonte ata në bazë të fotografisë së letërnjoftimit apo pasaportës.

Tutje, tha se çdo herë ka pyetur palët nëse të njëjtit e dinë arsyen për çfarë janë në gjykatë, për qartësinë e tekstit të cilin e nënshkruajnë dhe nëse janë të pajtimit me tekstin të cilin do e vërtetojnë.

E akuzuara ka mohuar ta ketë njohur të akuzuarin Lleshaj, ndërsa për të akuzuarin Mehmeti ka thënë se e njeh ashtu siç ka njohur avokatët e tjerë, të cilët kanë shkuar shpesh në gjykatë.

Ndërsa, për të dëmtuarit Tomislav dhe Bozhidar Arsiq, ajo tha se nuk i kujtoheshin pasi që sipas saj në gjykatë ka pasur shumë palë gjatë ditës ku e njëjta tha se ka ndodhur që janë vërtetuar rreth 60 dokumente.

Ajo tha se asnjëherë gjatë punës së saj nuk ka marrë vendime e vetme dhe nuk ka kryer punët sipas vlerësimit të saj, por se gjithmonë ka marrë mendimin e administratorit të gjykatës e më pas edhe përgjigjen nga kryetari i gjykatës.

E pyetur nga prokurorja Dulina Hamiti nëse e njëjta më 16 korrik 2012 kishte vërtetuar autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë së të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq, e njëjta e ka pranuar se e ka vërtetuar duke shtuar se është autorizim gjeneral.

Lidhur me këtë, e njëjta i ka prezantuar trupit gjykues si dëshmi edhe vërtetimin ku shihej vula e gjykatës, nënshkrimi i saj, fatura e pagesës së taksave gjyqësore, kopjet e letërnjoftimeve të dëmtuarve dhe kopjet e letërnjoftimit të dëshmitarëve.

Të gjitha këto, sipas të akuzuarës Maksimoviq ekzistojnë në arkivin e gjykatës në Degën e Gracaniçës, si dhe nënshkrimet të të dëmtuarve si dhe dëshmitarëve në regjistrin e gjykatës.

Lidhur me këtë, e akuzuara Maksimoviq ka thënë se meqenëse kolegja e saj Biserka Agjanqiq ishte në pushim, e njëjta në gusht ka punuar në punët e vërtetimit të dokumenteve dhe se nënshkrimet nga ana e saj janë bërë duke u referuar në zyrtaren Agjanqiq.

“Kam nënshkruar në emër timin personal, në emër të koleges time Biserka Agjanqiq dhe shihet qartë ku shkruhet “për kolegen time Biserka Agjanqiq” dhe e kam nënshkruar me nënshkrimim tim personal”, u shpreh ajo.

Ndërsa nëse më këtë datë, në gjykatë kishte qenë i akuzuari Mehmeti, e akuzuara Maksimoviq tha se nuk i kujtohej mirëpo nga praktika sipas saj kur kishin qenë më shumë se dy palë në zyrë, i kishte lutur avokatët dhe palët përcjellëse që të prisnin jashtë.

Të gjith këto, e akzuuara Maksimoviq tha se i kishte deklaruar edhe në prokurori, ku edhe kishte dorëzuar edhe regjistrin e gjykatës dhe ishin nënshkruar dëshmtiarët.

Në fund, ajo ka thënë se gjykatës i ka sjellë edhe gjendjen e xhirollogarisë së bankës për të vërtetuar se e njëjta nuk ka përfituar materialisht  si dhe vërtetimin nga Kadastri i Kosovës, me të cilën dëshmon që nuk ka patundëshmëri në emër të saj pasi që jeton në banesë të fituar nga Qeveria e Kosovës.

Në këtë seancë, gjykata ka aprovuar propozimin e të akuzuarës që gjykata zyrtarisht të shikojë regjistrin origjinal në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Graçanicë lidhur me vërtetimin  e dokumentit kritik.

Paraprakisht, i akuzuari Lleshaj ka thënë se do ta shfrytëzojë të drejtën e tij për t’u mbrojtur në heshtje.

Ndërsa, i akuzuari Mehemti mbrojtjen e tij e ka dhënë në seancën e 16 majit 2022

Seanca e radhës, ku pritet të jepet fjala përfundimtare në këtë rast, është caktuar për 2 qershor.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 gusht 2018, Ismet Mehmeti akuzohet se ka shkuar në degën e ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë – Dega në Graçanicë, dhe më 16 gusht 2012, kishte paraqitur dhe vërtetuar autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë të të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq. Paluajtshmëria në fjalë, sipas aktakuzës, gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj, më 21 gusht 2012, kishin hartuar kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë së lartcekur, me sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq, ashtu që të akuzuarit e kishin vënë në lajthim referentin për legalizim të dokumenteve për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Në aktakuzë thuhet se ata e kishin vërtetuar kontratën në fjalë, me vlerë prej 9 mijë e 500 euro me autorizimin e lartcekur të falsifikuar, ku më pas, i akuzuari Lleshaj, më 7 shtator 2012, kishte paraqitur kërkesë për bartjen e kësaj paluajtshmerisë në emër të tij, duke venë në lajthim edhe personat e autorizuar në Komunën e Prishtinës, ku edhe kishte arritur të bëjë bartjen e paluajtshmërisë në fjalë, në emër të tij.

Me këto veprime të tyre, Mehmeti dhe Lleshaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Kurse, dispozitivi i dytë i aktakuzës, e ngarkon Natasha Maksimoviq, se në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, si referente në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dega Graçanicë, më 16 gusht 2012, me vulë zyrtare e vërteton autorizimin e falsifikuar të paraqitur nga i akuzuari, Ismet Mehmeti.

Në bazë të këtij autorizimi që vërtetohet me numër, Vr.nr.4801/2012, sipas aktakuzës, vërtetohet pastaj edhe kontrata në vlerë prej 9 mijë e 500 euro mbi shitblerjen e paluajtshmërisë në sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq.

Me këtë rast, e akuzuara Maksimoviq, ngarokohet se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë