Referentja e akuzuar për korrupsion dhe dy të tjerët kërkojnë të pajisen me provat e aktakuzës

20190314_094703
Author

Raporton: Medina KADRIU

Mars 14, 2019

Prishtinë – E akuzuara për keqpërdorim të detyrës zyrtare, Natasha Maksimoviq dhe dy të akuzuarit tjerë Valmir Lleshaj e Ismet Mehmeti, kanë deklaruar se ende nuk janë pajisur me provat e aktakuzës.

Të akuzuarit Lleshaj e Mehmeti po akuzohen për legalizim të përmbajtjes së pavërtetë, kurse e akuzuara Maksimoviq po akuzohet se ka keqpërdorur detyrën e saj zyrtare në cilësinë e referentes së Gjykatës Themelore në Prishtinë, dega në Graçanicë.

Tre të akuzuarit, në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë kanë kërkuar që Prokuroria Themelore në Prishtinë t’i pajisë me këto prova.

I akuzuari Lleshaj ka thënë se ka qenë te prokurorja Dulina Hamiti, mirëpo e njëjta i ka thënë se nuk po i punon printeri për t’i bërë kopje dhe se do ta thërras.

Mirëpo, sipas tij, e njëjta nuk e ka thirrur , kurse e akuzuara Maksimoviq ka thënë se as nuk është ftuar nga prokurorja për tu pajisur me prova e as nuk ka shkuar.

I akuzuari Mehmeti, ka thënë se ka qenë dhe ka dhënë dëshmi te prokurorja, por me prova nuk është pajisur dhe nuk ka as numrin e lëndës.

Kurse, prokurorja Dulina Hamiti ka thënë se  janë përgatitur kopjet për të akuzuarit dhe mund të shkojnë në zyre për tu pajisur me prova.

Kryetarja e trupit gjykues, Naime Krasniqi – Jashanica ka thënë se obligohet prokurorja t’i pajis me provat e lëndës të akuzuarit.

Të njëjtit janë informuar se pas seancës mund të shkojnë dhe të pajisen me to.

Mirëpo, me kërkesë të të akuzuarës Natasha Maksimoviq, kjo seancë e shqyrtimit fillestar është shtyrë.

Ajo ka kërkuar që të shtyhet seanca fillestare pasi nuk kishte të pranishëm mbrojtësin në gjykatore.

E akuzuara Maksimoviq, ka deklaruar se ka caktuar një avokat për ta mbrojtur, por i njëjti nuk ka mundur të jetë i pranishëm në këtë shqyrtim fillestar, andaj ka kërkuar që shqyrtimi të mos mbahet në mungesë të tij.

Kurse, i pandehuri Ismet Mehmeti, ia ka dorëzuar gjykatës autorizimin për avokatin mbrojtës të tij,  Ekrem Agushin , por ka thënë se i njëjti sot nuk ka mundur të jetë i pranishëm pasi që është në një shqyrtim tjetër .

Kurse,  i akuzuari Lleshaj ka deklaruar se nuk ka angazhuar avokat dhe se nuk ka dëshirë të caktojë një.

Gjykata ka aprovuar kërkesën e të akuzuarës për shtyrje të seancës dhe e njëjta është caktuar për 26 mars, me fillim nga ora 9:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 27 gusht 2018, Ismet Mehmeti akuzohet se ka shkuar në degën e ish-Gjykatës Komunale në Prishtinë – Dega në Graçanicë, dhe më 16 gusht 2012, paraqet dhe vërteton autorizimin e falsifikuar për bartjen e paluajtshmërisë të të dëmtuarve, Tomisllav Arsiq dhe Bozhidar Arsiq.

Paluajtshmëria në fjalë, sipas aktakuzës, gjendet në zonën kadastrale “Zllatar”, Komuna e Prishtinës.

Tutje, sipas aktakuzës, të akuzuarit Ismet Mehmeti dhe Valmir Lleshaj, më 21 gusht 2012, hartojnë kontratën mbi shitblerjen e paluajtshmërisë së lartcekur, me sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq, ashtu që të akuzuarit e vënë në lajthim referentin për legalizim të dokumenteve për të vërtetuar një çështje të pavërtetë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit e vërtetojnë kontratën në fjalë me vlerë prej 9500 euro me autorizimin e lartcekur të falsifikuar, ku më pas, i akuzuari Lleshaj, më 7 shtator 2012, paraqet kërkesë për bartjen e paluajtshmerisë në fjalë në emër të tij, dhe me ç‘rast, vë në lajthim edhe personat e autorizuar në Komunën e Prishtinës, ku edhe ka arritur të bëjë bartjen e paluajtshmërisë në fjalë, në emër të tij.

Me këtë veprime të tyre, Mehmeti dhe Lleshaj akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, “Legalizim i përmbajtjes së pavërtetë”.

Kurse, dispozitivi i dytë i aktakuzës, e ngarkon Natasha Maksimoviq, se në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm për vete apo për personin tjetër, si referente në Gjykatën Komunale në Prishtinë, dega Graçanicë, më 16 gusht 2012, me vulë zyrtare e vërteton autorizimin e falsifikuar të paraqitur nga i akuzuari, Ismet Mehmeti.

Në bazë të këtij autorizimi që vërtetohet me numër, Vr.nr.4801/2012, sipas aktakuzës, vërtetohet pastaj edhe kontrata në vlerë prej 9500 euro mbi shitblerjen e paluajtshmerisë në sipërfaqe prej 13271 m2, pronë e të dëmtuarve Arsiq.

Me këtë rast, e akuzuara Maksimoviq, akuzohet se ka kryer veprën penale, “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. /BetimipërDrejtësi