Rasti “Z-Mobile”, udhëheqësi i Departamentit Ligjor në Telekom thotë se gjetjet e tyre nuk ishin respektuar nga Bordi

Lavdim Bajraktari - Rasti Agron Mustafa etj. - 10.06.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Qershor 10, 2019

Prishtinë – I ftuar për të dëshmuar në gjykimin për korrupsion ndaj ish-krerëve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj, udhëheqësi i Departamentit Ligjor në Telekomin e Kosovës, Sabahudin Ramxhiku, tha se gjetjet që kishte bërë departamenti i tij, para nënshkrimit të kontratës me Dardafon.net, nuk ishin respektuar nga ana e Bordi t të PTK-së.

Një deklaratë të tillë, Ramxhiku e ka dhënë në seancën e së hënës në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ndaj ish-kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa dhe të akuzuarve Ejup Qerimi e Rexhë Gjonbalaj, të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorim i detyrës apo autoritetit zyrtar”, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mustafa bashkë me Ejup Qerimin, që drejtoi PTK-në në periudhën 2012-2014, si dhe Rexhë Gjonbalajn, ish-kryesues i Bordi t të drejtorëve të kësaj ndërmarrjeje, akuzohen se i kanë shkaktuar Telekomit të Kosovës humbje afro 30 milionë euro, lidhur me kontratën me Z-Mobile.

Se gjetjet e departamentit të tij nuk ishte respektuar nga Bordi, një deklaratë të tillë Ramxhiku e ka dhënë pasi që nga prokurori i Prokurorisë Speciale, Naim Abazi është pyetur nëse kontrata e lidhur ndërmjet Telekomit të Kosovës dhe Dardafonit, ishte aprovuar nga ana e Bordit të PTK-së dhe pse ishte caktuar arbitrazhi ndërkombëtar, si klauzolë në kontratë.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se për kontratën në fjalë, Bordi  kishte vendosur në tetor 2008 dhe e njëjta kishte shkuar pastaj te kryeshefi ekzekutiv për nënshkrim, ndërsa lidhur me caktimin e arbitrazhit si klauzolë për zgjidhjen e kontesteve të mundshme, dëshmitari tha se kjo ka qenë në vullnetin e palëve dhe ato e kanë parë të arsyeshme të caktohet.

Mirëpo, Ramxhiku tha se për aq sa i kujtohet, ka qenë kundër një klauzole të tillë, pasi e kishte parë si një proces të shtrenjtë dhe të komplikuar për të cilin nuk kishte pasur simpati, mirëpo, i njëjti shtoi se rekomandimet që kishte dhënë ai para nënshkrimit të kontratës me Dardafon, nuk ishin respektuar nga ana e Bordi t të PTK-së.

“Kush nuk i ka respektu rekomandimet e juaja ?”, e pyeti prokurori Abazi dëshmitarin, me këtë të fundit që u përgjigj se Bordi  kishte qenë ai që nuk kishte respektuar këto rekomandime.

Sa i përket kontratës në fjalë, dëshmitari tha se e njëjta është zbatuar për aq sa e kanë kuptuar ata si palë, në këtë rast Telekomi, ndërsa, roli i departamentit ligjor që udhëheq, dëshmitari tha se ka qenë vetëm kontrollimi i kontratës nga aspekti legal i saj.

“Konform një dokumenti zyrtar në korporatë që quhet matrica e autorizimeve, departamenti ligjor kontrollon të gjitha kontratat komerciale nga aspekti legal dhe ky ka qenë roli edhe te kontrata me Dardafonin. Janë dhënë komente për Bordi n dhe menaxhementin, ndërsa gjatë zbatimit te operatori mobil virtual, departamenti ligjor nuk ka punë aty, por është aty menaxheri i projektit dhe njësitë relevante”, deklaroi dëshmitari.

Për më tepër, Ramxhiku tha se ata si departament ligjor nuk ndërhyjnë në detaje komerciale e teknike të kontratave, por ato i kontrollojnë vetëm nga aspekti legal, ndërsa tha se nuk mbajnë përgjegjësi as për ligje speciale, sikurse ai i prokurimit publik.

Pas vitit 2008, kur ishte nënshkruar kontrata, dëshmitari tha se nuk kishte pas më kontakt me këtë kontratë deri në vitin 2015, kur tha se kishin lindur disa keqkuptime për disa dispozita që ju referoheshin disa shërbimeve të reja që PTK kishte filluar t’i komercializojë si produkte të reja.

“Qatë pjesë jena mundu e interpretu bashkërisht pastaj se kjo kontratë është tejet-tejet e komplikuar”, tha Ramxhiku.

Për sqarimin e dilemave në fjalë, dëshmitari tha se ishte formuar një ekip në përbërje nga Valon Zhuniqi, Mehdi Latifaj, Fatmir Tërnva, Valbona Tahiri dhe vet ai, ekip ky që kishte zhvilluar takime me ekipet e Dardafon, me të cilët ishin munduar siç tha, për gjetjen e një zgjidhje lidhur me keqkuptimet që iu kanë referuar shërbimeve të 3G dhe 4G.

Këto shërbime, Ramxhiku tha se kanë qenë tërësisht të reja dhe në kohën kur ishte lidhur marrëveshja bazë, PTK nuk i kishte pasur këto shërbime, e as pajisjet për to.

“Ne nëse nuk gaboj i kemi investu rreth 80 milionë euro për këto shërbime dhe ka qenë mendim kolektiv që të njëjtat të mos i ipen Dardafonit. Nuk kemi qenë kundër që të mos ia japim, por kemi qenë të bindur që nuk i takojnë”, tha tutje në dëshminë e tij, Ramxhiku.

Sipas Ramxhikut, të gjithë ata, përfshirë Bordi n dhe menaxhmentin e PTK-së kishin qenë unik që këto shërbime nuk i takojnë me automatizëm operatorit virtual.

Mirëpo, mendim të kundërt siç tha dëshmitari, kishte pasur Dardafoni, të cilët kishin konsideruar si të drejtë kërkesën e tyre për marrjen e këtyre shërbimeve, për çka pastaj edhe kjo çështje kishte përfunduar në arbitrazh.

“Gjatë takimeve, mu me kanë thënë që është afru shumë te marrëveshja.. Përveç 3G dhe 4G kemi pas mos pajtime edhe lidhur me pagesën e kodit shtetëror, se ata kanë qenë të bindur se nuk duhet të paguajnë, kurse ne kemi thëne se duhet, por diçka pastaj ndodhi dhe bisedimet u ndërprenë. Pastaj rasti përfundojë në arbitrazh”, tha dëshmitari pasi që u pyet nga prokurori lidhur me qëndrimin e Dardafonit lidhur me mosmarrëveshjet që kishin pasur.

Kur nga ana e prokurorit u ballafaqua me deklaratën që dëshmitari kishte dhënë në polici më 16 maj 2017, kur kishte deklaruar se askush nuk i kishte kërkuar që të jap interpretim lidhur me këto shërbime, dëshmitari tha se interpretim individual nuk kishte dhënë, por kanë punuar si ekip dhe mendimet kishin qenë kolektive.

Sipas dëshmitarit, asnjë drejtor në PTK nuk kishte qenë kundër që Dardafonit të mos i jepen shërbimet, por shërbimet që nuk janë në marrëveshjen bazë, sipas dëshmitarit, nuk kanë mundur të shkojnë me automatizëm, por të njëjtat është dashur të negociohen.

Për këtë, dëshmitari tha se është pritur të bëhet edhe një ekspertizë lidhur me kostot e shërbimeve që të gjendet vlera e shërbimeve 3G dhe 4G në mënyrë që pastaj ato të shiten.

Kur nga prokurori Abazi u pyet nëse këto detaje ia kishte përmendur drejtorit ekzekutiv dhe Bordi t, dëshmitari tha se në kohën kur e kishin bërë raportin para nënshkrimit të kontratës bazë, as që e kishte ditur që ekzistojnë shërbime të tilla si 3G dhe 4G.

Dëshmitari u pyet gjithashtu nga prokurori nëse është në dijeni lidhur me një vendim të nxjerrë nga ana e Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), me të cilin PTK ishte obliguar që Dardafonit t’ia ofron shërbimet si dhe numrat e ri telefonik.

“Po jemi në dijeni, këtë vendim sa më kujtohet e kemi eskalu në gjykatë me padi. Kemi hap kontest administrativ se kemi konsideru së është nxjerr pa bazë dhe pa respektu procedurat e ARKEP-it, por sa e di, ky vendim nuk i referohet shërbimeve 3G dhe 4G. Ky rast është ende në gjykatë”, tha Ramxhiku.

Duke treguar mënyrën se si ishin zhvilluar procedurat para arbitrazhit, Ramxhiku tha se departamenti ligjor i Telekomit mbulon të gjitha aksionet legale të PTK-së deri në Gjykatën Supreme, kurse për arbitrazhe që involvojnë shuma të mëdha parash, siç tha dëshmitari është paraparë me matricën e autorizimeve të përfaqësohen nga ekspert ligjor të jashtëm.

Dëshmitari tha se ai së bashku me Valon Zhuniqin dhe Arben Shabanin kishin përbërë delegacionin që kishte përfaqësuar PTK-në në arbitrazh, mirëpo tha se ata nuk kishin mundur të merrnin vendime, por vetëm të ndihmonin ekipin e ekspertëve ligjorë, që ishin angazhuar me anë të procedurave të tenderimit.

Kompania që ishte angazhuar për të përfaqësuar PTK-në në arbitrazh, dëshmitari tha se ka qenë “Studio Ligji”, e cila pastaj kishte angazhuar edhe dy ekipe tjera për të ndihmuar, një kompani nga Bullgaria dhe një tjetër nga Austria, ndërsa vlera e gjithë kontratës kornizë tha se kishte qenë 400 mijë euro.

Pas marrjes së vendimit të arbitrazhit, ku PTK kishte humbur betejën me Dardafonin, dëshmitari tha se e vetmja mundësi ka qenë që të sfidohet ky vendim në gjykatën kompetente në Londër dhe siç tha, me procedura emergjente ishte angazhuar një kompani angleze për të përfaqësuar PTK-në në Londër, por edhe aty ishte humbur procesi.

E kur nga prokurori Abazi u pyet se pse nuk ishte angazhuar edhe ne procedura të ankimimit, “Studio Ligji”, por është angazhuar kompani tjetër, dëshmitari tha se kontrata me “Studio Ligji”, nuk ka paraparë përfaqësim në gjykata speciale të vendeve të treta, por vetëm në arbitrazhe vendore dhe ndërkombëtare.

Duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtësit të Ejup Qerimit, avokatit Ramiz Krasniqi, dëshmitari tha se i akuzuari Qerimi nuk kishte qenë i punësuar në kohën kur kanë qenë duke u zhvilluar bisedimet me Dardafon për dhënien e shërbimeve të 3G dhe 4G.

Po ashtu, dëshmitari e pohoi edhe konstatimin e mbrojtësit të Agron Mustafës, avokatit Artan Qerkini, se problemet me interpretimin e kontratës së nënshkruar mes PTK-së dhe Dardafonit, kanë filluar para se Mustafa të vinte në krye të PTK-së.

Avokati Qerkini e pyeti dëshmitarin edhe lidhur me atë se a ka qenë gjuha angleze që është përdorur në arbitrazh dhe a ka qenë mungesa e njohjes së gjuhës angleze një nga kushtet që ka ndikuar në angazhimin e kompanisë angleze nga PTK-në, me dëshmitarin që u përgjigj se vetëm gjuha angleze është përdorur në arbitrazh dhe ky fakt ka ndikuar edhe në angazhimin e kompanisë angleze.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe i akuzuari Rexhë Gjonbalaj.

“Gjendja e 100 mijë numrave, cili është fati i saj”, e pyeti Gjonbalaj dëshmitarin.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se nëse është fjala për vendimin e ARKEP-it, i cili kishte obliguar PTK-në t’i ja jap numrat Dardafonit, procesi është ende aktiv në gjykatë.

“A është e vërtetë që përkundër kësaj, arbitrazhi ka vendosur që t’i jepen 100 mijë numra”, ishte pyetja pasuese e Gjobalajt, me dëshmitarin që u përgjigj se jo vetëm 100 mijë numra, por arbitrazhi ka vendosur që t’i jepen pa kufi numra.

Për vendimin e ARKEP-it, dëshmitari u pyet edhe nga ana e gjykatëses Nushe Kukaj-Mekaj,

“Vendimet e ARKEP-it nuk janë në kompetencë të departamentit ligjor. Mosmarrëveshja me numeracion ka qenë në kohën kur Ejup Qerimi ka qenë kryeshef. Na e kena vlerësu rastin se ka pas disa lëshime formale në procedurat rregullative dhe për atë kena bo padi administrative. Asnjë seancë nuk është mbajt deri tash. Shërbimet 3G dhe 4G janë tërësisht të ndara nga numeracioni. Këto kanë filluar shumë më vonë të komercaliohen”, u përgjigj dëshmitari.

Sa i përket numrave të cilët është dashur t’i jepen Dardafonit, dëshmitari tha se në kontratën bazë ka paqartësi pasi në një vend siç tha, ceket një numër i caktuar, pastaj më vonë një numër tjetër, mirëpo sipas tij, strategjia e tyre ka qenë që operatori virtual të veprojë me një numër të caktuar, por pastaj siç tha, me vendim të arbitrazhit doli se ata veprojnë me numër të pakufizuar.

E nëse nuk kishte pasur probleme te interpretimi i kontratës, gjykatësja Kukaj-Mekaj e pyeti dëshmitarin se kush ka qenë kompetentë që t’i lëshon këta numra.

“Kryeshefi ekzekutiv është figura numër 1, pastaj për strategjia e tjera vjen Bordi ”, u përgjigj dëshmitari.

Krejt në fund të seancës, dëshmitari u pyet nga kryetari i trupit gjykues, Lutfi Shala se a ka pas ndonjë pengesë ligjore për zbatimin e kontratës mes PTK-së dhe Dardafonit.

“Në aspektin formal ligjor nuk ka pas. Një proces penal ka qenë nga ana e EULEX-it për anëtaret e Bordi t, kryeshefin dhe disa zyrtarë të Dardafon, ndërsa ne kemi qenë aty si palë e dëmtuar, unë kam qenë edhe dëshmitar aty, por në fund ka qenë aktgjykim lirues për të gjithë. Ky proces nuk ka interferu me zbatimin e kontratës”, deklaroi dëshmitari.

Për kundërthëniet e mundshme mes dëshmisë që dha të hënën në gjykatë dhe asaj që kishte dhënë në polici, dëshmitari e luti trupin gjykues që t’i referohet asaj që kishte deklaruara në polici pasi siç tha, atëherë i kishte pasur gjërat më të qarta.

Seanca e së hënës u ndërpre para se të dëgjoheshin dëshmitarët Mehdi Latfiaj dhe Valon Zhuniqi, për arsye se siç tha gjykatësi Shala, në Pallatin e Drejtësisë ka disa probleme teknike që ka ndikuar edhe në ajrin dhe nxehtësisë së krijuar në sallë.

Seanca e radhës është caktuar të mbahet më 8 korrik, ora 9:30.

Ndryshe, në shkurt të vitit 2019, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), të ushtruar ndaj aktvendimit të gjykatës së shkallës së parë në rastin ndaj ish-drejtuesve të Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa, Ejup Qerimi dhe Rexhë Gjonbalaj.

Kështu, Apeli ka vlerësuar se çështja ndaj ish-drejtuesve të Telekomit që po akuzohen për korrupsion, duhet të gjykohet pasi që paraprakisht, gjykata e shkallës së parë kishte hudhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në dhjetor të vitit 2018, e kishte hedhur poshtë aktakuzën ndaj tyre.

Sipas aktvendimit të gjykatësit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Lutfi Shala, të marr më 7 dhjetor 2018, hudhja e aktakuzës  ndaj Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe Rexhë Gjonbalajt, ishte bërë për shkak se nuk është vërtetuar që të akuzuarit kanë kryer veprën penale me të cilën ngarkoheshin.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 17 gusht 2018, kishte ngritur aktakuzë, ndaj Ejup Qerimit, Agron Mustafës dhe Rexhë Gjonbalajt, me pretendimin se të njëjtit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422 i KPRK-së.

Sipas aktakuzës, nga 19 shkurti 2015 kur Agron Mustafa ishte zgjedhur në pozitën e Kryeshefit Ekzekutiv të PTK-së e deri me 24 maj 2017, edhe pse nuk kishte qenë kompetent në kontestin mes PTK-së dhe tani të dëmtuarës DARDAFON.net (Z-Mobile), kishte lidhur marrëveshjen për ekzekutimin e vendimit final të arbitrazhit.

Me ketë veprim, sipas prokurorisë, janë shkaktuar vonesa në lifterimin e Sim-kartelave, nuk kishte furnizuar me bllokun e numeracionit dhe nuk i kishte dhënë shërbimet 3G dhe 4G të dëmtuarës.

Edhe pse për këtë kontratë, për veprën penale “lidhja e kontratave të dëmshme”, me aktgjykim të formës së prerë në qershor 2011, ishin liruar pesë persona, e po ashtu edhe pse autoriteti rregullativ i komunikimeve elektrike dhe postare, tani të dëmtuarës Z-Mobile iu ishte lejuar përdorimi i numeracionit jo-gjeografik 045, i njëjti këto vendime nuk i kishte zbatuar.

Në këtë mënyrë, siç pretendon prokuroria, përkundër përpjekjeve të të dëmtuarës për zgjidhje të kësaj marrëveshje dhe për eliminimin e arbitrazhit të mundshëm, Mustafa nuk kishte ndërmarrë ndonjë veprim në lidhje me këtë.

Gjithnjë sipas aktakuzës, Mustafa, në procedurën e arbitrazhit kishte angazhuar kompaninë “Studioligji”, për të përfaqësuar kompaninë në arbitrazh, në të cilën procedurë gjykata ndërkombëtare e Arbitrazhit kishte marrë vendim në dobi të së dëmtuarës.

Në bazë të këtyre veprimeve të Mustafës, prokuroria po pretendon, se PTK-ja ka qenë e detyruar që ti paguajë të dëmtuarës Z-Mobile 32.856.407.28 euro, pa llogaritur shpenzimet tjera të procedurës së arbitrazhit, në vlerë mbi 500.000 euro dhe 65.000 funte.

Lidhur me këtë kontest në mes PTK-së dhe Z-Mobile, si në gjykatat vendore ashtu edhe në atë të arbitrazhit, pas të cilave procedura gjyqësore, PTK-ja ishte dëmtuar miliona euro, përpos Mustafës, për periudhën 2012-2014, është duke u akuzuar edhe kryeshefi ekzekutiv i PTK-së, Ejup Qerimi, dhe kryesuesi i Bordi t të Drejtorëve të PTK-së, Rexhë Gjonbalaj.

Sipas prokurorisë, të njëjtit kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në dëm të të dëmtuarës Z-Mobile, e po ashtu duke i shkaktuar dëm edhe PTK-së. /Betimipërdrejtësi