“Rasti Veteranët”, prokuroria prezanton provat, mbrojtja i kundërshton disa nga to

Veteranet - 17,01.2020
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Janar 17, 2020

Prishtinë – 13 prova i ka prezantuar të premten, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), me të cilat beson se do të vërtetojë që të akuzuarit në rastin “Veteranët”, janë fajtorë për veprën penale për të cilën akuzohen.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Për shumë nga provat e prezantuara nga prokurori Enver Krasniqi, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre nuk patën vërejtje, përkundër se e theksuan se në ato prova nuk ka asgjë inkriminuese.

E kundërshtimet më të mëdha, të akuzuarit i patën për provën në të cilën është prezantuar lista prej 19,500 veteranëve, për të cilët, PSRK pretendon se e kanë përfituar statusin e veteranit pa i plotësuar kushtet ligjore.

Lidhur me këtë provë, mbrojtësi i Agim Çekut, avokati Ramë Gashi, tha se deri më sot, prokuroria ka dështuar që të dal me të dhëna konkrete për këtë numër prej 19,500, pasi sipas tij, për asnjë nga ata emra, nuk është zhvilluar ndonjë procedurë e ligjshme e në bazë të së cilës të jetë konstatuar se ata persona nuk i plotësojnë kushtet për të qenë në listë për të cilën pretendon prokuroria.

E këtë listë, si të kompromentuar plotësisht e cilësoi edhe vet i akuzuari Çeku.

“Kjo provë nuk mund të tregojë ndonjë akt që kishte mujt me vërtetu diçka, sepse nuk është çështje e komisionit për të vlerësuar nëse kanë ofruar dëshmi të rrejshme apo jo një aplikues. Nëse përmbajtja ka qenë e rrejshme, vet aplikanti duhet të jep përgjegjësi”, tha i akuzuari Shkumbin Demaliaj.

E mbrojtësi i Demaliajt, avokati Arianit Koci, si dhe të akuzuarit Sadik Halitjaha dhe Shukri Buja, kërkuan që kjo provë të përjashtohet plotësisht.

“Të hudhet poshtë komplet kjo listë, sepse 19,500 emra tanimë janë dal në publik dhe mos përfshirja e kësaj prove do t’i rehabilitonte këta persona”, tha Buja.

Pasi që e prezantoi si provë, listën me emrat e 19,500 veteranëve, të cilës sipas prokurorisë nuk është dashur të fitojnë këtë status, prokurori Krasniqi e prezantoi si provë edhe 19,500 aplikacionet, për të cilat tha se janë vërtetuar se janë të parregullta.

“Nga kjo provë do të vërtetohet se gjatë verifikimit të aplikacioneve nuk janë respektuar kriteret ligjore për statusin e veteranit luftëtar dhe për pasojë, këtyre personave komisioni ju ka njohur të drejtën edhe pse u takonin kategorive të tjera. Propozojmë që disa nga këto aplikacione si ilustrim të paraqiten edhe në ekran”, tha prokurori Krasniqi.

Lidhur me këtë propozim të prokurorit që disa nga këto aplikacione, mbrojtësi i të akuzuarit Qelë Gashi, avokati Gafurr Elshani, tha se ato aplikacione ose duhet të shfaqen të gjitha në ekran ose asnjë.

Avokati Koci, pati vërejte edhe në mënyrën se si ishin siguruar provat në këtë rast, pasi siç tha, në momentin kur janë konfiskuar ‘folderët’, të njëjtit nuk kanë pasur indeks dhe nuk dihet se sa aplikacione kanë qenë në secilin prej atyre ‘folderëve’.

Si prova tjera që prokurori Krasniqi prezantoi në seancën e së premtes, ishin edhe vendimi i Qeverisë së Kosovës për themelimin e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së.

Këtë provë, mbrojtësi i Nuredin Lushtakut, avokati Tahir Rrecaj e cilësoi si shfajësuese për të mbrojturin e tij, pasi tha se e vërteton se Lushtaku nuk ka qenë anëtar i komisionit. Edhe avokati Koci tha se kjo provë vërteton se i mbrojturi i tij, Demaliaj, nuk ka qenë anëtar i komisionit, por aty kishte shkuar si zëvendësim i Ramush Haradinajt. Të njëjtin pretendim e pati edhe avokati Nysret Islami, mbrojtës i të akuzuarit Smajl Elezaj.

Si provë tjetër, prokurori e prezantoi edhe një vendim tjetër të Qeverisë, ku kryesues i komisionit ishte caktuar Agim Çeku, në vend të Azem Sylës, kurse në vend të Ahmet Isufit, si anëtar i komisioni ishte caktuar Ahmet Daku.

Po ashtu, prokurori Krasniqi i prezantoi si provë edhe procesverbalet e mbledhjeve të Komisionit, ku tha se me to do të vërtetohet se Komisioni ka qenë i vetëdijshëm për kompetencat e tyre lidhur me procesin e verifikimit dhe njohjes së statusit të veteranëve dhe se ata në cilësi të anëtareve të komisionit kanë qenë të vetëdijshëm lidhur me ecurinë e procesit të verifikimit, duke përfshirë rritjen e numrit të veteranëve dhe zbatimit të kritereve në mënyrë të ndryshme.

Derisa shumica e të akuzuarve thanë se nuk i kundërshtojnë përmbajtjen e procesverbaleve, por pretendimet e prokurorisë lidhur me to, avokati Koci tha se e kundërshton këtë provë pasi procesverbalet janë bërë nga i njëjti person që ka bërë edhe audio incizimet.

Si prova tjera, prokurori prezantoi edhe audio incizimet e mbledhjeve të Komisionit, listat përfundimtare të përfituesve të statusit, raportin me shkrim të Komisionit për kategorizim të listave, vendimin e Qeverisë për përfundim të mandatit të Komisionit, vendimin e Qeverisë për aprovimin e raportit të Komisionit, disa lista të vjetra të periudhave të ndryshme të të gjitha zonave operative të siguruara nga shoqatat e veteranëve dhe ato të hartuara nga ana e Trupave Mbrojtëse të Kosovës, një raport informues i kontrollit nga ana e Policisë së Kosovës, një raport për këqyrje të vendit të ngjarjes, si dhe një raport i ekspertizës nga Drejtoria Kriminialistike.

Ndryshe, prokurori Krasniqi tha se nuk ka prova të reja, pos atyre që i kanë propozuar në aktakuzë.

Për shkak të përfundimit të orarit të punës në gjykatë, prokurori nuk arriti t’i prezantojë të gjitha provat, ashtu që të njëjtat do të prezantohen në seancën e radhës, e cila u caktua të mbahet më 6 shkurt 2020.

Ndryshe, sa i përket propozimeve për dëshmitar së të akuzuarve dhe propozimit për përjashtim të një prove, përkatësisht të audio incizimit të mbledhjeve të Komisionit, që u propozua nga avokati Artan Qerkini, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj tha se do të vendosë pas seancës.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi