Rasti “Veteranët”, gjykata kundërligjshëm vendos që mediave t’u ndalohet publikimi i dëshmive të dëshmitarëve

79019711_1006589983047278_2159182675057836032_n
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Dhjetor 5, 2019

Prishtinë – Të enjten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në të cilin akuzohet ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ministri në detyrë i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, ish-deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pasi në seancën e kaluar ishin dhënë fjalët hyrëse nga prokurori Valdet Gashi, si dhe të akuzuarit me mbrojtësit e tyre, të enjten, ka vazhduar procesi gjyqësor me dëgjimin e disa dëshmitarëve, por publiku për një kohë të caktuar s’do të mund të informohet për deklaratat që ata do të japin në këtë proces gjyqësor.

Në këtë seancë, kryetarja e trupit gjykues, Nushe Kuka Mekaj, ka marr vendim që asnjë dëshmi e dëshmitarëve mos të publikohet në media, derisa sipas saj, të përfundojë procedura e të provuarit.

Kjo me arsyetimin se një formë e tillë e publikimit të deklaratave të dëshmitarëve dëmton procesin gjyqësor në këtë rast.

Gjithashtu, sipas aktvendimit, është ndaluar publikimi i emrave të dëshmitarëve, duke bërë që atyre t’u referohen vetëm me iniciale.

Në seancën e së enjtes, ka nisur ta jep dëshminë e tij, dëshmitari Rr.R.

Por, që një vendim i tillë është i kundërligjshëm, për shkak se në këtë rast, dëshmitari nuk gëzon cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur, që për të njëjtin të dhënat e tij personale dhe deklarata e tij të jenë konfidenciale dhe të mbyllura për publikun. Kurse, në këtë rast as nuk ka pasur kërkesë për përjashtimin e publikut nga salla, e cila gjithashtu rregullohet me Kodin e Procedurës Penale.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.  e ka refuzuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për ndaljen e përkohshme të pensioneve për “veteranët e rrejshëm”.

Por, më 1 prill 2019, e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi