Rasti “Veteranët”, ftohet si dëshmitar Hisen Berisha, refuzohet dëgjimi i Anton Qunit

20200207_120054
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Shkurt 7, 2020

Prishtinë – Ish-komandanti i Batalionit 1 të Brigadës “Agim Ramadani”, Hisen Berisha është ftuar si dëshmitar në gjykimin e rastit të njohur si “Veteranët”.

Në këtë rast, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar, akuzohen ish-kryeministri i Kosovës, Agim Çeku, ish-ministri i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj, si dhe nëntë persona të tjerë.

Ata akuzohen për kohën sa ishin pjesë Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Përveç Hisen Berishës, si dëshmitarë janë ftuar edhe dy ushtarakë të tjerë, Fazli Rugova, si komandant i brigadës “Mërgimi”, si dhe shefi i operativës, Ahmet Alishani.

Për dëgjimin e këtyre dëshmitarëve ka propozuar mbrojtësi i të akuzuarit Rrustem Berisha, avokati Artan Qerkini, e të cilin më pas e ka aprovuar trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj.

Qerkini, së bashku me këta dëshmitarë, ka propozuar që të dëgjohet edhe ministri aktual i Mbrojtjes Anton Quni, por ky propozim është refuzuar nga trupi gjykues.

Gjithashtu, janë refuzuar edhe propozimet për t’u dëgjuar edhe Afrim Sylejmni dhe Gani Gjuka, me arsyetimin se me dëshmitarët që janë aprovuar, do të jenë të mjaftueshëm për t’u sqaruar rrethanat e kërkuara nga ana e mbrojtjes.

Ndryshe, trupi gjykues ka aprovuar edhe propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, avokatit Arianit Koci, që në cilësi të dëshmitarit të ftohet ish-kryeministri dhe ish-komandanti i zonës së Dukagjinit, Ramush Haradinaj.

Sipas Kocit, Haradinaj është personi më kompetent që të sqarojë rrethanat që janë evidentuar në aktakuzë, me qëllim për të treguar rrjedhën e procedurës së verifikimit, të kategorizimit të ushtarëve të dalë nga lufta.

Para se gjykata të merrte vendimin për aprovimin që Haradinaj, të jetë dëshmitar, prokurori i PSRK-së, Valdet Gashi, e ka kundërshtuar një propozim të tillë, me arsyetimin se dëshmia e tij nuk është relevante për procesin gjyqësor dhe se po bëhet me qëllim të zvarritjes së procesit.

Ndryshe, në seancën e 6 shkurtit, trupi gjykues kishte refuzuar propozimin e mbrojtësit të të akuzuarit Fadil Shurdhaj, avokatit Skënder Musa, që si dëshmitarë të dëgjohen Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish-kryeministrat Ramush Haradinaj e Isa Mustafa.

Në seancën e së premtes, është dëgjuar dëshmitari Vesel Maliqaj, që ishte propozuar nga ana e të akuzuarit Sadik Halitjaha, por me vendimin e trupit gjykues, dëshmitë e këtij dëshmitari, ashtu si edhe të dëshmitarëve tjerë, nuk do të mund të publikohen deri në përfundim të dëshmisë së të gjithë dëshmitarëve të propozuar nga mbrojtja.

Një vendim të tillë, gjykatësja e ka marr në mënyrë që sipas saj, të mos dëmtohet procesi gjyqësor në këtë rast, ashtu që dëshmitarët të mos jenë në gjendje të lexojnë dëshminë e njëri-tjetrit dhe në këtë mënyrë siç ka thënë ajo, edhe të koordinojnë dëshmitë, ndërsa pas përfundimit të dëshmive të dëshmitarëve të prokurorisë, mediat ishin lejuar që të publikojnë ato dëshmi.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 19 qershor të vitit 2019, e kishte konfirmuar aktakuzën, ndërsa këtë vendim e kishte konfirmuar edhe Gjykata e Apelit në gushtin e këtij viti.

Me aktakuzën e PSRK-së, po ashtu ishte kërkuar që Gjykata Themelore në Prishtinë, që të urdhërohet Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS), që të pezullonte pagesën e pensioneve për 19.500 veteranë, deri në përfundimin e procesit gjyqësor.

Por, më 1 prill 2019, gjykata e kishte refuzuar këtë kërkesë me arsyetimin se propozimi për masën e përkohshme nuk është ndaj të akuzuarve, por ndaj MPMS-së, si palë e tretë.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori special, Elez Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa, me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. /Betimipërdrejtësi