Rasti “Veteranët”, Agim Çeku, Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj dhe të tjerët deklarohen të pafajshëm (Video)

Author

Raporton: Leotrim GASHI

Mars 14, 2019

Prishtinë – Ish-kryeministri i Kosovës Agim Çeku, ministri i Mbrojtjes Rrustem Berisha, deputeti Shkumbin Demalijaj si dhe të akuzuarit e tjerë, janë deklaruar të pafajshëm se në cilësinë e anëtarëve të komisionit për verifikimin e statusit të veteranëve dhe invaldiëve të UÇK-së, e kishin keqpërdorur pozitën e tyre zyrtare.

Pas dështimit në herën e parë, seanca fillestare ndaj tyre, është arritur të mbahet pas tentimit të dytë, në të cilën është veçuar procedura ndaj dy të akuzuarve të tjerë, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, të cilët kanë munguar në seancën e së enjtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me rastin e leximit të shtojcës së aktakuzës lidhur me “veteranët e rrejshëm”, është vendosur që të përjashtohet publiku, në mënyrë që mbrohen të dhënat e cekura në shtojcë.

Agim Çeku ka thënë se ndihet tërësisht i pafajshëm. “E kundërshtoj në tërësi aktakuzën”, ka thënë Çeku.

Të pafajshëm janë deklaruar edhe Rrustem Berisha, Shkumbin Demalijaj si dhe të akuzuarit e tjerë, të cilët kanë thënë se në tërësi e kundërshtojnë këtë aktakuzë, duke e cilësuar atë si të pabazuar.

Pasi që të akuzuarit janë deklaruar të pafajshëm, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj i ka njoftuar ata dhe mbrojtësit e tyre se kanë afat deri më 15 prill 2019, që të paraqesin kërkesat për hudhjen e aktakuzës apo kundërshtimin e provave, e që sipas saj, shqyrtimi i dytë nuk do të mbahet.

Ndryshe, para deklarimit të të akuzuarve rreth fajësisë, në seancën e së enjtes, Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka veçuar procedurën ndaj dy të akuzuarve në rastin e njohur si “Veteranët”, Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, të cilët kanë munguar në këtë seancë.

Gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, ka thënë se i akuzuari Xhavit Jashari, ka qenë i njoftuar në mënyrë të rregullt, por personi me emër Ramiz Rama, më 12 mars 2019, i ka dorëzuar gjykatës kërkesën me arsyetim për mungesën e tij në seancën e së enjtes, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në kërkesë thuhej se i akuzuari Jashari ka udhëtuar në Austri, pasi një familjar i tij ka qenë me probleme shëndetësore.

Sipas gjykatëses, Gjykata i është drejtuar Aeroportit, stacionit për kontrollin e kufirit dhe nga këto të dhëna ka rezultuar se më 7 mars 2019, Xhavit Jashari, ka udhëtuar përmes pikës kufitare në Vërmicë dhe se para kësaj seance në emër të Xhavit Jasharit është dorëzuar një kërkesë e datës 11 mars, ku thuhet se ai nuk mund të jetë prezent në këtë seancë.

Gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, i ka pyetur palët nëse është e nevojshme të veçohet procedura.

Prokurori i Prokurorisë Speciale, Enver Krasniqi, ka kërkuar nga Gjykata që të zbatohet neni 307 i Kodit të Procedurës Penale që të lëshojë udhërarrest për të pandehurit, pasi janë njoftuar në mënyrë të rregullt dhe sipas tij, nuk ka nevojë të veçohet procedura.

Por, të akuzuarit dhe mbrojtësit e tyre kanë kundërshtuar propozimin për lëshimin e urdhërarestit dhe veçimin e procedurës.

Megjithatë, më pas, Gjykata mori vendim për veçimin e procedurës për të akuzuarit Xhavit Jashari dhe Ahmet Daku, dhe ndaj tyre do të merret numër i ri i lëndës.

Gjatë kësaj seance fillestare, prokurori Enver Krasniqi, ka paraqitur edhe kërkesën për caktimin e masës së përkohshme, duke i propozuar gjykatës që ajo të kërkojë nga Ministria e Punëve dhe Mirëqenies Sociale, të pezullojë dhënien e pensioneve për 19.500 personave, që pretendohet se pa të drejtë gëzojnë statusin e veteranit të UÇK-së.

Sipas prokurorit Krasniqi, me veprimet e të akuzuarve, buxhet i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 88.769.217.04 euro, e sipas tij, ky dëm vetëm nga fillimi i vitit 2015 e deri në fillim të muajit gusht dhe sipas kërkesës së prokurorisë, ky dëm vazhdon çdo ditë të rritet.

“Në rastin konkret si rezultat i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Republikës së Kosovës dhe vazhdon të dëmtohet, prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, Prokurori i Shtetit, ka autorizime ligjore dhe ekziston bazueshmeria ligjore për caktimin e masës së përkohshme”, tha prokurori Krasniqi.

Prokurori i PSRK-së, në fund të elaborimit të kërkesës për masë të përkohshme, i propozoi gjykatës që të aprovohet kjo kërkesë dhe të lëshohet kjo masë e përkohshme deri në përfundim të procedurës penale.

Propozimin e PSRK-së, për caktimin e masës së përkohshme e kundërshtuan mbrojtësit dhe të akuzuarit.

Mbrojtësi i të akuzuarit Agim Çeku, avokati Ramë Gashi, e cilësoi kërkesën e prokurorisë si kërkesë të pabazuar dhe të paqëndrueshme juridikisht.

Sipas tij, gjykata nuk ka asnjë dokument me të cilën evidentohet se  19.500 personat për të cilët është kërkuar pezullimi i pensioneve të tyre si veteranë luftëtarë, që me veprimet e tyre të kenë kryer ndonjë vepër penale.

“Pretendimi i prokurorisë së kanë ardhur në përfundim se 19.500 veta nuk e meritojnë statusin e veteranit nuk është i bazuar me asnjë fakt, i pabazuar juridikisht”, tha avokati Gashi.

Lidhur me këtë propozim, gjykatësja Nushe Kuka-Mekaj, ka thënë se do të vendos jashtë seancës, me ç’ rast ajo ka thënë se do të njoftohen palët në procedurë.

Seanca fillestare e paraparë për 28 janar të këtij viti kishte dështuar të mbahej, pasi në sallën e gjykimit nuk ishte paraqitur ministri aktual i Mbrojtjes, Rrustem Berisha, si dhe e dy të akuzuarit tjerë, Faik Fazliu dhe Smajl Elezaj.

Sipas kryetares së trupit gjykues, gjykatëses Nushe Kukaj – Mekaj, i akuzuari Berisha kishte qenë i ftuar në mënyrë të rregullt, por që mungesën e tij nuk e kishte arsyetuar.

Kurse, për të akuzuarin Fazliu, kishte thënë se ai e kishte njoftuar gjykatën se është në një trajtim shëndetësor në Shqipëri, derisa sipas saj, i akuzuari Elezaj, nuk e kishte arsyetuar mungesën e tij.

Për shkak të mungesës së të akuzuarve, gjykatësja Kuka-Mekaj, kishte vendosur që tentimi i dytë për mbajtjen e seancës fillestare të caktohet më 14 mars 2019.

PSRK-ja, në aktakuzën në të cilën për akuza për korrupsion ka akuzuar Agim Çekun, Rrustem Berishën, Shkumbin Demalijajn, Nuredin Lushtakun dhe shtatë persona të tjerë, i kishte propozuar kësaj gjykate që të caktojë masë të përkohshme për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtar të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale.

Ndryshe, PSRK-ja aktakuzën të cilën e kishte hetuar prokurori special Elez Blakaj, që kishte ofruar dorëheqjen nga pozita e prokurorit, e kishte dorëzuar në gjykatë 14 shtator 2018, por e nënshkruar nga prokurori Afrim Shefkiu.

E njëjta aktakuzë ishte kthyer në plotësim dhe përmirësim nga gjyqtarja Nushe Kuka-Mekaj, pasi sipas saj, kjo aktakuzë nuk ishte formuluar sipas ligjit.

Pasi ishte kthyer prapa, PSRK-së i ishin dhënë 30 ditë që të bëjë përmirësimin e kësaj aktakuze, por kjo gjë nuk kishte arritur të ndodhte, pasi PSRK-ja kishte kërkuar nga gjykata edhe 30 ditë të tjera afat, për të bërë përmirësimin e aktakuzës, sipas vërejtjeve të gjykatës.

PSRK-ja, këtë aktakuzë e kishte dorëzuar në gjykatë për herën e dytë, në versionin e përmirësuar më 7 dhjetor 2018.

Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” kishte raportuar ekskluzivisht për ngritjen e aktakuzës së prokurorit tani të dorëhequr, Elez Blakaj, për rastin e njohur si “Veteranët”.

Sipas aktakuzës së përgatitur nga ish-prokurori Blakaj, personat e përfshirë akuzohen se prej vitit 2011 deri në vitin 2017, duke vepruar si anëtarë të Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kanë shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, duke tejkaluar kompetencat me dashje dhe duke mos i përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitojnë personat e tjerë në mënyrë të kundërligjshme, në vazhdimësi, në dëm të Buxhetit të Republikës së Kosovës.

Në këtë aktakuzë janë të përfshirë 12 persona të cilët ngarkohen me veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Siç kishte raportuar “Betimi për Drejtësi”, listës së personave të akuzuar i prinë Agim Çeku, i pasuar nga Nuredin Lushtaku, Sadik Halitjaha, Shkumbin Demaliaj, Qelë Gashi, Shukri Buja, Ahmet Daku, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj dhe Xhavit Jashari.

PSRK-ja, po ashtu i kishte propozuar kësaj gjykate që ta lëshoj masën për ndalimin  e pagesës së pensioneve të fituara në mënyrë të kundërligjshme si veteran luftëtarë të UÇK-së, deri në përfundimin e procedurës penale..

Tutje, sipas PSRK-së, nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  68.153.533.14 euro.

Ndërsa me aktakuzën e dorëzuar në gjykatë më 7 dhjetor 2018, pretendohet se buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej  88.769.217.04 euro. /BetimipërDrejtësi