Rasti Tolaj dhe të tjerët – Avokati Berisha: Në një sistem normal klienti im do duhej të ishte në cilësinë e të dëmtuarit

Raporton : Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në shqyrtimin kryesor të mbajtur të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ndaj zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Tolaj, Bekim Fusha dhe Zenel Kuqi, palët dhanë fjalët hyrëse.

Prokurori i rastit, Admir Shala e lexoi edhe një herë aktakuzën, ku theksoi se të akuzuarit kanë shpërdoruar detyrën zyrtare. Ai tha se në bashkëveprim, të pandehurit, i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Leshin dhe Shpend Aganin në vlerë prej 400 mijë  euro. Sipas prokurorit Shala, të lartë përmendurit kishin shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro. Tutje ai shtoi se të gjitha këto akuza do të vërtetohen gjatë shqyrtimeve gjyqësore që do të mbahen ne vazhdim.

Në fjalën hyrëse, mbrojta e Ilir Tolajt, avokati Besnik Gashi, tha se kjo aktakuzë është e pabazuar. “Në vazhdimin e shqyrtimeve gjyqësore, do të provohet e kundërta e asaj që tha prokurori. Do ta dëshmojmë që klienti im është dashur të jetë në cilësinë e të dëmtuarit e jo i akuzuar”, tha avokati Berisha.

Avokati Berisha, gjithashtu propozoi që në cilësinë e dëshmitarit, të thirret ish-Ministri i Shëndetësisë Ferid Agani.

Seanca e radhës e shqyrtimit gjyqësor u caktua më 14 tetor 2016, në ora 13:00.

Sipas aktakuzës së ngritur nga ana e Prokurorisë Speciale të akuzuarit Ilir Tolaj në cilësinë e Sekretarit të Përhershëm në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), Bekim Fusha në cilësinë e ushtruesit të detyrës së drejtorit të Departamentit Farmaceutik në MSH dhe Zenel Kuqi në cilësinë e menaxherit të prokurimit në MSH, kanë shfrytëzuar pozitën e tyre zyrtare.

Ata akuzohen se gjatë periudhës kohore 23 maj 2011 deri më 31 dhjetor 2011, në bashkëveprim i kanë sjellë përfitime kompanisë “KMI” SHPK Drenas me pronar Arian Leshin dhe Shpend Aganin, në vlerë prej 400 mijë  euro.  Prokuroria pretendon se të lartë përmendurit kanë shkelur Ligjin për Prokurim Publik përgjatë lidhjes së kontratës me kompaninë “KMI” kontratë kjo me vlerë totale prej 1.714.953.74 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë