Rasti “Toka”, dëshmitari thotë se besimi që kishte te Shaban Syla dhe Shpresim Uka e kishte shtyrë atë të blinte pronë mbi 200 mijë euro pa e ditur se kush ishte shitësi

20191127_095116
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Nëntor 27, 2019

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar gjykimi i rastit “Toka”, ku për vepra të ndryshme penale që lidhen me krimin e organizuar akuzohen Azem Syla dhe 17 persona tjerë.

Të mërkurës gjykimi ka vazhduar me dëgjimin e dëshmitarëve Faton Majaci, Sherif Salihu dhe dëshmitarit bashkëpunues V.A, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Dëshmitari Sherif Salihu, që ishte propozuar nga i akuzuari Sami Maqedonci, deklaroi se në vitin 2008 kishte synuar ta blinte një pronë në “Veternik” të Prishtinës, me sipërfaqe prej 1 hektarë e 10 ari, por që për këtë pronë ai vetëm i kishte paguar 212 mijë euro, por asnjëherë nuk kishte arritur që të shfrytëzonte atë.

Siç tha ai, blerja e kësaj prone ishte bërë pas bisedave me tani të akuzuarit Shaban Syla dhe Shpresim Uka, ndaj të cilëve kishte shumë besim, sa nuk e dinte se as kush është pronar i pronës, pronar i të cilës ai synonte të bëhej.

Salihu, tha se për këtë pronë i ka dhënë 212 mijë euro në katër këste të ndryshe, tri nga të cilat ia kishte dhënë serbit me emrin Zoran, mirëpo mbiemrin e të cilit nuk e dinte, ndërsa 50 mijë eurot e fundit, pas kërkesës së “Zoranit”,  ia kishte dhënë Shaban Sylës, në shtëpinë e tij në Kishnarekë të Drenasit.

“Shpresimi me Shabanin, kanë thonë hajde po hijmë po investojmë pe blejmë këtë tokë ndoshta e fitojmë naj dinar. Këstin e parë prej 136 mijë euro ia kam dhanë Zoranit, pare kesh. Sipas fjalëve të Shpresimit dhe Shabanit edhe unë kam hy për atë tokë për me fitu. U ardhë Zorani, ia ka kërku Shabanit edhe 26.000 euro, e Shabani u ardhë te unë dhe ia kam dhanë 26.000 euro Zoranit, ka qenë prezent edhe Shabani. Kësti i katërt , në shumën prej 50.000 euro ia kam dhonë Shaban Sylës në shtëpi të tij në Kishnarekë”, tha dëshmitari Salihu.

Ai para trupit gjykues tha se edhe pse kishte bërë pagesën e këtyre parave, vetëm rreth 30 mijë euro ishin të tij, ndërsa pjesa tjetër ishin para të cilat i kishte marrë nga shoqëria e tij, por që nuk kishte mundur të ia kthente, në mesin e tyre edhe 54 mijë euro dhe një veturë edhe nga babai të të akuzuarit Sami Maqedoncit.

Sipas tij, prona për të cilën kishte synuar më vonë kishte kaluar në emër të të akuzuarit Shaban Syla, ndërsa ai kishte kërkuar nga Syla që ai për pronën që kishte paguar ta transferonte te borxhelinjet e tij, me parcela tokësore, gjë të cilën e kishte pranuar edhe i akuzuari Sami Maqedonci.

Kur dëshmitari u pyet se përse ai nuk kishte kërkuar nga Shaban Syla dhe Shpresim Uka, që t’i ktheheshin paratë e investuara për atë pronë, Salihu tha se ai ka kërkuar vetëm që t’i kompensonte borxhlinjtë e tij me prona e asgjë tjetër, ndërsa shtoi se kur e kishte paguar këtë pronë, ai e kishte bërë me kënaqësi, pasi sipas tij, vlera e asaj toka ka qenë shumë më e madhe sesa paratë që kishte paguar.

Në fundk dëshmitari Salihu tha se problemet e shfaqura me këtë pronë kanë qenë njëra nga arsyet e përkeqësimit të gjendjes së tij shëndetësore, pasi pas asaj kohe ka pasur tri ndërhyrje kirurgjike, dy nga të cilat në zemër.

Ndërsa, dëshmitari i prokurorisë Faton Majaci iu përgjigj vetëm disa pyetjeve të prokurores Habibe Salihi, pasi palët e tjera nuk patën pyetje për të, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Majaci, në dëshminë e tij të shkurtër deklaroi se familja e tij ka trashëguar një pronë në lagjen “Veternik” të Prishtinës, me mbi dy hektarë nga babai i tij i cili kishte vdekur në vitin 2013, por të njëjtën akoma nuk ka arritur ta shfrytëzoj, pasi janë në procedurë gjyqësore.

Ai tha se procedurën e bartjes së pronës përmes procedurave gjyqësore nga babai i tij e kishte filluar në vitin 2007, e për këtë kishte angazhuar për përfaqësues tani të akuzuarin Gazmend Gashi, mirëpo nuk i kujtohej se me çfarë dokumentesh e kanë pajisur të njëjtin.

Majaci shtoi se pasi kishte menduar që tani i akuzuari Gashi nuk është duke pasur kohë që të kujdesej për trajtimin e kësaj lënde, ai ka autorizuar avokatin Shemsi Uka, të cilin e ka edhe aktualisht.

Siç tha ai, sipas informacioneve që ka marrë nga nëna e tij, pas vdekjes së babit, ky i fundit këtë pronë e kishte fituar pasi e kishte shkëmbyer me një pronë tjetër në Podujevë.

Ndërsa, me kërkesë të prokurores Habie Salihi, dëshmia e dëshmitarit të cilësuar si bashkëpunues V.A u zhvillua prapa dyerve të mbyllura për publikun.

Në këtë seancë ishte paraparë që të dëgjohej edhe dëshmitari Idriz Kadriu, për të cilin gjykatësi Kalludra tha se gjykata nuk ka të dhëna për vendbanimin e tij, ndërsa më pas për këtë arsye edhe e refuzoi tërësisht këtë propozim të prokurorisë, që Kadriu të ftohët si dëshmitar i këtij rasti.

Kalludra, gjatë kësaj seance po ashtu i njoftoi palët se gjykata ka refuzuar propozimin e prokurorisë që të lexohen deklaratat e dëshmitareve të propozuar në aktakuzë, Naser Hoxha, Minster Jusaj, Bratisllav Stajoneviq, Faton Ramadani, Naser Abazi, Sllonodon Kerstiq, Januz Mustafa, Mehemt Nuredini dhe Shyqeri Spahiu, pasi sipas trupit gjykues, nuk ishin përmbushur kushtet ligjore për leximin e këtyre deklaratave.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 5 dhjetor në ora 9:00, në të cilën seancë do të ftohet dëshmitari Enver Çoqaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndryshe, ky shqyrtim nga fillimi i gjykimit është karakterizuar me zvarritje, në masën më të madhe, në kohën që gjykohej nga gjykatësit e EULEX-it.

Më 12,13 dhe 15 dhjetor të vitit 2016, ishte mbajtur seanca fillestare, në të cilin Azem Syla dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Pas seancave fillestare, mbrojtja brenda afatit prej 30 ditësh, kishte paraqitur kundërshtimet e tyre për provat dhe kërkesat për hedhjen e aktakuzës.

Kryetari i atëhershëm i trupit gjykues, gjykatësi Arkadiusz Sedeck, pasi kishte pranuar kundërshtimet e mbrojtjes, kishte refuzuar të njëjtat dhe më 4 prill 2017, kishte konfirmuar aktakuzën në shkallën e parë, ndërsa pas ankesave në Gjykatën e Apelit, shkalla e dytë e kishte konfirmuar aktakuzën më 26 tetor 2017.

Sedeck, fillimin e shqyrtimit gjyqësor e kishte caktuar, pas më shumë se një viti nga vendimi i Apelit, më 9 janar 2018, por e njëjta kishte dështuar për shkak të mosplotësimit të trupit gjykues.

Edhe pse kishte caktuar shumë seanca të tjera, gjyqtarët e EULEX-it nuk kishin mundur që të fillojnë këtë shqyrtim, pasi EULEX-i hoqi dorë nga ky rast dhe lënda kaloi të gjyqtari vendor Beqir Kalludra.

Ndërsa, pas disa dështimesh seanca e parë e këtij shqyrtimi ishte mbajtur më 3 shtator 2018, ndërsa fjala hyrëse në këtë rast ishte dhënë në seancën e 25 qershorit 2019.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), ka ngritur dy aktakuza, njëra me 17 persona dhe tjetra me 22 persona, ku në këtë të fundit, që ishte ngritur më 24 tetor 2016 përfshihet edhe ish-deputeti i PDK-së Azem Syla, që sipas PSRK-së, ai kishte qenë edhe udhëheqës i këtij grupi.

Bashkë me Sylën, në këtë proces janë duke u gjykuar edhe Shaban Syla, Arton Vila, Fahredin Gashi, Shpresim Uka, Ramadan Uka, Avdurrahman Brajshori, Gazmend Gashi, Lubisha Vujoviq, Sabedin Haxhiu, Avni Maxhuni, Elhame Uka, Lumnije Sopjani, Nyrtene Brajshori, Sami Maqedonci, Ndue Palushi, Ramadan Mavraj.

Pjesë e kësaj aktakuze kanë qenë edhe Nuhi Uka, Shqipe Maxhuni, Ilaz Syla, Mustafë Haliti dhe Hajrullah Berisha, por për dy të parët është pushuar procedura pasi ata kanë ndërruar jetë, ndërsa për shkak se gjykata nuk ka arritur të siguroi prezencën e Ilaz Sylës, Mustafë Halitit dhe Hajrullah Berishës, për të njejtit është vecuar procedura.

Aktakuza i ngarkon të pandehurit me vepra penale “krim i organizuar”, “pastrim i parave”, “marrje të mitos”, “mashtrim i rëndë”, “mashtrim në detyrë”, “nxjerrje të vendimeve gjyqësore të kundërligjshme”, “keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “legalizimi i përmbajtjes së falsifikuar” dhe “evazion fiskal”.

Gjithashtu, të pandehurit akuzohen se në bashkëpunim, përmes veprimtarive kriminale i kanë privuar Kosovës pronat shoqërore, duke përfshirë falsifikimin e vendimeve dhe dokumenteve zyrtare, mashtrim dhe veprime tjera korruptive.

Hetimet në këtë rast ishin bërë edhe në bashkëpunim me Prokurorinë e Lartë për Krim të Organizuar në Beograd./Betimipërdrejtësi