Rasti “Stenta”, zyrtarja e MSH-së thotë se vetëm shumat mbi 10 mijë euro për shërim jashtë vendit janë nënshkruar nga ministri

Ferid
Author

Raporton: Leotrim GASHI

Gusht 7, 2018

Prishtinë – Në gjykimin e rastit të njohur si “Stenta”, në të cilin për keqpërdorim të pozitës zyrtare janë duke u ngarkuar ish-ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani dhe ish-sekretari i kësaj ministrie, Gani Shabani, në cilësinë e dëshmitares është dëgjuar Semra Mecihan.

Mecihan, aktualisht zyrtare në departamentin e shërbimeve shëndetësore, në Ministrinë e Shëndetësisë, deklaroi se nga viti 2004, e deri në janar të këtij viti, ka punuar në departamentin e trajtimeve mjekësore jashtë vendit.

Dëshmitarja duke iu përgjigjur pyetjeve të prokurores Florije Shamolli, mbrojtësve të të akuzuarve dhe gjykatës, sqaroi procedurën që është ndërmarrë nga Ministria e Shëndetësisë për pacientët që kanë kërkuar të shërohen jashtë institucioneve publike shëndetësore në Kosovë.

Sipas saj, ajo dhe shefi i zyrës, Bardhyl Jerliu, kanë pranuar dokumentet nga palët të cilët kanë aplikuar për shërim jashtë institucioneve publike dhe nëse të njëjtat kanë qenë në rregull i kanë dërguar në komisionin mjekësor të Ministrisë, anëtarët e së cilit e kanë vlerësuar gjendjen e pacientit nëse diagnoza e tij nuk mund të shërohet në institucionet mjekësore publike.

Micihan tha se pas miratimit të komisionit mjekësor, lënda ka shkuar në bordin ekzekutiv të cilët kanë vendosur përfundimisht për shumën të cilën Ministria ia ofron pacientit për shërim, vendim të cilin, sipas saj, e nënshkruan sekretari ose ministri, varësisht nga shuma e pagesës.

“Pala është me rëndësi me sjellë së pari mendimin konsiliar të QKUK-së, tre nënshkrime të doktorëve të QKUK-së, dhe të drejtorit të klinikes, pastaj letërnjoftimi kopje, në qatë raport shënon se ajo diagnozë nuk kryhet në Kosovë, aplikacioni në fotokopje dhe zgjedhja e pacientit me profaturë, pacienti ka mujtë me zgjedhë çfarëdo spitali për me u sheru”, tha dëshmitarja.

“Lënda së pari shkon në komisionin mjekësor dhe vlerësohet a ka nevojë të trajtohet jashtë institucioneve shëndetësore, bordi e cakton shumën. Kur aprovohet shtypet vendimi, prej shumës deri në 10.000 euro e nënshkruan sekretari, shuma që e kalon 10.000 deri në 30.000 ka qenë në atë kohë, shkon deri te ministri. Kur lënda është e nënshkruar nga sekretari edhe ministri lënda shkon për pagesë në departamentin e financave, ata e kryejnë pagesën, kur të kryhet pagesa e njoftojmë pacientin dhe fillon trajtimi shëndetësor”, tha dëshmitarja.

Ajo po ashtu sqaroi se në bazë të Udhëzimit Administrativ me të cilin kanë punuar rastet sociale, invalidët e luftës dhe fëmijët deri në 18 vjet janë paguar deri në 100%, ndërsa për të tjerët 70% të shpenzimeve të shërimit.

I akuzuari Gani Shabani, kërkoi të dijë nga dëshmitarja nëse gjatë kohës sa ka punuar në atë zyrë a e ka vërejtur nëse ndonjëherë është ndryshuar shuma e pagesës nga ajo që është vendosur në bordin ekzekutiv, por kjo gjë u mohua nga dëshmitarja.

Ndryshe, ashtu siç ishte vendosur në seancën e 6 gushtit, këtë të martë, mbrojtësit e të akuzuarve ia dorëzuan gjykatës dhe prokurores provat materiale të propozuara për plotësimin e provave, për të cilat kryetarja e trupit gjykues, gjykatësja Shadije Gerguri tha se do të vendoset në seancën e radhës më 21 shtator 2018.

Ish-ministri Agani dhe ish-sekretari Shabani, të cilët nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje akuzat me të cilat ngarkohen në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 26 shkurt të këtij viti.

Në shqyrtimin fillestar të 26 shkurtit, po ashtu ishte bërë e ditur nga gjykatësja e këtij rasti, Shadije Gërguri, që të akuzuarit Agani dhe Shabani tash e tutje do të vazhdojnë të gjykohen veçmas nga të akuzuarit tjerë, të cilët do të gjykohen në dy procedura të tjera.

Prokuroria e Shtetit, më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizikë dhe 4 personave juridikë. Mirëpo, për 56 persona fizikë nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.