Rasti “Stenta 2”, dëshmitari thotë se pagoi nëntë mijë euro për tri stenta, por i ishte vendosur vetëm një, mbrojtja kërkon ekspertizë

Lavdim Bajraktari - Rasti Stenta 2 - 07.06.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Qershor 7, 2019

Prishtinë – Nëntë mijë euro ka deklaruar se ka paguar për vendosjen e tri stentave në spitalin turk “IMH”, dëshmitari Bedri Imeri, por më vonë gjatë një kontrolle në Shkup, ai ka thënë se kishte kuptuar se i ishte vendosur vetëm një stentë.

Këtë deklaratë, Imeri e ka dhënë të premten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në gjykimin ku për korrupsion po akuzohen 43 mjekë në rastin e njohur si “Stenta 2”.

Siç tha Imeri, në janar të vitit 2013, kishte qenë i sëmurë me ç’rast kishte shkuar në spitalin e Mitrovicës dhe mjeku që e kishte kontrolluar aty kishte qenë Besnik Koliqi. Ky mjek, sipas tij, e kishte kontrolluar dhe i kishte bërë “EKG”-në dhe i kishte treguar se ka probleme me zemër.

Në të njëjtën ditë kur kishte shkuar në spital, Imeri tha se rreth orës 24:00, kishte pasur dhimbje më të mëdha dhe pas një kontrolle që mjeku Mjekiqi së bashku më disa mjekë tjerë ia kishin bërë, e kishin njoftuar edhe djalin e tij.

“Besniku ka biseduar me djalin dhe i ka thënë nëse i keqësohet gjendja me thirr. Kur ka ardh djali nuk e di çka kanë biseduar më të. Rreth orës 3 të mëngjesit kanë ardh nga spitali turk dhe më kanë marrë. 3-4 mjekë kanë qenë dhe më kanë çu në spital privat dhe aty më kanë vendos stentën dhe më s’kam pas dhimbje”, tha dëshmitari Imeri.

Kur nga prokurorja speciale Florije Salihu-Shamolli u pyet nëse i ishin bërë kontrolle në spitalin turk, dëshmitari tha se kontrollin ia kishin bërë në sallën ku e kishin operuar, me ç’rast edhe ia kishin vendosur një stentë.

Dy ditë pasi që i kishin vendosur stentën e parë, dëshmitari tha se e kishin njoftuar djalin e tij se është e nevojshme që t’i vendosen edhe dy stenta tjera.

Për këto tri stenta, dëshmitari tha se ka paguar nëntë mijë euro, apo tre mijë euro për secilën stentë, pagesë të cilën e kishte bërë para se të merrte fletëlëshimin.

“Dy stenta janë vendos dy ditë pasi që është vendos stenta e parë, për stentën e parë mjeku ka qenë shqiptar kurse për dy tjerat ka qenë turk. Në spital kam qëndruar 7 ditë. Pas stentave kam qenë mirë”, tha Imeri.

Pasi që kishte shkuar në Shkup ku tha se zakonisht i ka bërë kontrollet, Imeri tha se i kishte treguar mjekut se i ka vendosur tre stenta dhe i kishte dhënë edhe një CD që ia kishin dhënë nga spitali turk, por pasi që mjeku në Shkup e kishte shikuar CD-në, Imeri tha se i kishte thënë se e ka të vendosur vetëm një stentë.

Një konstatim i tillë nga mjeku në Shkup, Imeri tha se e kishte dëshpëruar shumë dhe nuk kishte shkuar më te spitali turk për t’i pyetur më lidhur me mos vendosjen e stentave.

Mirëpo, dëshmitari tha se pasi që kishte kuptuar se i ishte vendosur vetëm një stentë e jo tre, ishte paraqitur në prokurori, ndërsa lidhur me marrëveshjet që kishte pasur Ministria e Shëndetësisë me spitalet private, Imeri tha se nuk ishte njoftuar nga askush.

Për këto arsye, Imeri tha se e ndien veten të dëmtuar dhe paraqet kërkesë pasurore juridike në vlerën prej gjashtë mijë eurove.

Lidhur me këtë dëshmi, i akuzuari Gani Bajraktari tha se ka vërejtje në mënyrën se si i janë qasur hetimeve prokurorët, pasi tha se raporti i lëshuar nga spitali “IMH” thekson se janë vendos tre stenta, ndërsa raporti nga mjeku në Shkup shënon se është vendosur një stentë, e për konstatim të saktë, Bajraktari tha së është dashur të bëhet ekspertizë.

Kërkesë për bërjen e ekspertizës lidhur me konstatimin se a janë tri stenta apo një tek pacienti, bëri edhe mbrojtësi i të akuzuarit Daut Gorani, avokati Mustafë Radoniqi, ndërsa kësaj kërkese ju bashkëngjiten edhe të akuzuarit.

Vet i akuzuari Daut Gorani iu drejtua dëshmitarit me pyetjen se sa është paguar nga spitali në Shkup, mirëpo një pyetje e tillë nuk u lejua nga ana e trupit gjykues.

E i akuzuari tjetër në këtë rast, Sami Gjoka, e pyeti dëshmitarin se sa CD ia kishte prezantuar mjeku në Shkup, me dëshmitarin që u përgjigj se nga spitali turk kishte pranuar vetëm një CD dhe vetëm atë ia kishte prezantuar mjekut në fjalë.

Dëshmitari tjetër që u dëgjua të premten, Ardian Muqkurtaj, tha se nuk e ndien veten të dëmtuar në këtë rast e as nuk ushtron kërkesë pasurore juridike.

Kjo, pasi siç tha Muqkurtaj, nënën e tij e cila kishte qenë e sëmurë në vitin 2012, e kishin dërguar në QKUK për koronarografi, mirëpo pasi kishin shkuar aty, babai i tij së bashku me bashkëshortin e tezes e kishin takuar mjekun Daut Gorani në korridor të spitalit dhe nuk ishte vendosur fare në QKUK, e as nuk kishin hapur histori aty.

Mjeku Gorani, siç tha dëshmitari, i kishte rekomanduar që nënën e tij ta dërgojnë në privat për koronarografi pasi që kur e kishin pyetur se a bëhet në QKUK, i njëjti u kishte thënë se nuk është duke punuar pajisja në atë kohë.

Pasi kishin shkuar në spitalin turk “IMH”, dëshmitari tha se nëna e tij me pajtimin e tyre, kishte hyrë menjëherë në procedura dhe aty tha se nuk i kujtohet nëse i ishte vendosur një apo më shumë stenta.

Kur nga prokurorja Shamolli u pyet se nëse e kishin takuar mjekun Gorani në spitalin turk, dëshmitari tha se nuk i kujtohet, mirëpo tha se ishin pajtuar që t’i vendoset një stentë për të cilën tha se kanë paguar 5300 euro para kesh. Pas operimit, dëshmitari tha se gjendja e nënës së tij ka qenë e mirë.

Lidhur me dëshminë e tij, prokurorja Shamolli tha se dëshmitari në prokurori kishte deklaruar ndryshe dhe me këtë rast, e njëjta e ballafaqoi dëshmitarin me deklarimin e tij në prokurori ku sipas prokurores i njëjti kishte deklaruar se “në spitalin privat “IMH” kishin shkuar pasi rekomandimit të doktor Daut Gorani dhe pasi që kishin shkuar aty kishte qenë edhe Gorani, mirëpo dy stenta i ishin vendos nënës sime nga mjeku turk me mbiemrin Cakmak dhe nuk jam i sigurt nëse në operim ka marr pjesë edhe dr.Dauti”.

Pas leximit të deklaratës së dëshmitarit të dhënë në prokurori, prokurorja Shamolli e pyeti të njëjtin nëse kjo çka ka deklaruar është e vërtetë, me dëshmitarin i cili tha se kjo është e vërtetë dhe e prindërit e kishin pyetur Goranin për ndonjë propozim se ku të dërgojnë nënën e tij për shërim.

Dëshmitari tha se kanë kërkuar edhe kompensim nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo pasi nuk kishte pasur një histori të hapur në QKUK si dhe raportin nga 4-5 kardiologë të QKUK-së, nuk kishte arritur të siguron kompensimin.

3500 euro tha se kishte paguar për vendosjen e stentës më të mirë në spitalin turk “IMH”, por pas një viti tha se kishte pasur sërish probleme, tha dëshmitari tjetër që u dëgjua të premten, Azem Kryeziu.

Kryeziu tha se në 2012 kishte pasur probleme shëndetësore dhe ishte paraqitur në spitalin regjional të Prizrenit dhe pastaj në një klinikë private për koronarografi me ç’rast kishte dal se tre enë të gjakut janë të mbyllura.

Me 1 prill 2011, Kryeziu tha se ishte drejtuar për në “IMH”, ku i ishte bërë koronarografia dhe ishte konstatuar se një ene e gjakut është mbyllur.

Sa i përket mjekëve, dëshmitari tha se i kujtohet doktori Daut Gorani, pasi që tek i njëjti i kishte bërë kontrollet.

“Para vendosjes së stentës, kemi bisedu në “IMH”. Kanë qenë tre çmime të stentave, më i liri 1800, pastaj 2500 dhe 3500 euro. Jemi pajtu me djalin me vendos stentin më të mirë për 3500 euro. Afati i qëndrueshmërisë më thanë se është 14 deri 16 vjet, kjo në një bisedë gojore që patëm. Me ditë që del kaq shumë problem, çdo gjë e kisha bo me shkrim. Pastaj e vendosa stentën dhe pagesën e kom bo para stentimit”, tha dëshmitari.

Kur nga prokurorja Shamolli u pyet se a ka pasur dyshime lidhur me stentën e vendosur, dëshmitari tha se nuk ka pasur dyshime të tilla, por tha se e ndien vetën të dëmtuar, jo vetëm materialisht por edhe shkaku i stresit të shkaktuar nga krejt kjo procedurë, ndërsa kërkesë pasurore juridike tha se kërkon nga spitali turk “IMH”.

Mbrojtësi i Daut Goranit, avokati Radoniqi e pyeti dëshmitarin se ka qenë i akuzuari Gorani ai i cili i kishte treguar çmimet e stentave, me dëshmitarin që u përgjigj se dikush nga personeli i kishte treguar ndërsa tha se sigurisht edhe Gorani ka qenë prezent aty.

Dëshmitari tutje tha se tek Gorani kishte shkuar me rekomandim të mjekut Bajram Gollopeni dhe i kishte thënë se ka shtrëngime dhe se kërkon që të bën koronarografinë, kur për një gjë të tillë u pyet nga i akuzuari Gorani.

Tutje, dëshmitari tha se prokurori Besim Kelmendi i kishte treguar gjatë marrjes në pyetje se 41 persona kishin vdekur prej stentave dhe kur nga i akuzuari Besim Guda u pyet se a i kishte thënë prokurori se edhe dëshmitari mundet me pas një fat të tillë, ky i fundit u përgjigj se një gjë të tillë e kishte menduar vet ai pa pasur nevojë t’i thotë prokurori.

Koronarografinë e dytë të cilën e kishte bërë në QKUK, dëshmitari tha se nuk i kujtohet se kush ja ka bërë.

“Në prokurori keni thënë se kanë qenë dr.Daut Gorani, Sami Gjoka dhe Bedri Zaiti. A ju ka sugjeru najkush këta emra”, e pyeti dëshmitarin i akuzuari Petrit Ademaj.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se këta emra kanë qenë të shënuar në fletë lëshim dhe askush nuk i kishte sugjeruar.

Sa i përket asaj se nga kush mendon se është dëmtuar, për çka u pyet nga mbrojtësi i Gani Bajraktarit, avokati Qerim Zogaj, dëshmitari tha se është dëmtuar, por nga kush është dëmtuar tha se i mbetet gjykatës të vendos.

E deklarata e prokurorit Kelmendi se kanë qenë 41 vdekje nga stentat, dëshmitari tha se ka ndikuar që t’i shtohet frika, pasi që për një gjë të tillë u pyet nga i akuzuari Nexhmi Zeqiri.

Mbrojtësi i Goranit, avokati Radoniqi propozoi që edhe për këtë dëshmitar të bëhet një ekspertizë për të vërtetuar se sa kanë afat të qëndrueshmërisë stentat.

Kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri e ballafaqoi dëshmitarin Kryeziu me deklaratën e tij të dhënë në prokurori ku sipas gjykatëses i njëjti kishte deklaruar se në “IMH” e kishte kontrolluar mjeku Gorani dhe i njëjti i kishte treguar edhe çmimet e stentave dhe afatin e qëndrueshmërisë prej 14 deri 16 vjet, së bashku me një mjek turk dhe pas vendosjes së kësaj stentave, vazhdon dëshmia e dëshmitarit,  kishte pasur sërish probleme pas një vit për çka i kishin preferuar që të vendos sërish një stente.

E këtë deklaratë nuk e mohoi as dëshmitari, i cili tha se “bo vaki për shkak të kontaktit të shpeshtë më figuron se ka qenë ai, Daut Gorani, qashtu më kujtohet që kam thënë”.

Mirëpo, dëshmitari tha se nuk kishte shkuar për të vendosur sërish stentën, ashtu siç i kishin rekomanduar.

E dëshmitari i fundit që u dëgjua të premten ishte Exhevit Mejzini, mirëpo, i njëjti në dëshminë e tij nuk e përmendi emrin e asnjë të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, për çka reagoi avokati Radoniqi i cili tha se dëshmia e tij është vetëm humbje kohe në këtë rast.

Dëshmitari Mejzini tha se në vitin 2012 babai i tij, Nijazi Kryeziu kishte qenë i sëmurë dhe e kishte dërguar në emergjencë në Prizren, ndërsa nga aty e kishin dërguar në një spital privat te një mjek maqedonas.

“Mjekët (në Prizren) na thanë se ka sëmundje te zemrës, nuk e di cili mjek me ka thëne vetëm na njoftun se nuk ka mundësi mu sheru në Prizren. Vet mjeket e kane thirr ndihmën e shpejte, ata e morën pëlqimin tim por unë se kom dit në cilën klinike po e dërgojnë. Na kane thëne se duhet me shku ne Prishtine. Vetëm kur e kom pare qe ndihma e pare ka ardh në spital privat”, tha dëshmitari.

Pasi kishin shkuar në spital privat, dëshmitari tha se babait të tij i ishte bërë një kontroll dhe ishte konstatuar se i ishin mbyllur dy damar të zemrës dhe atë ditë menjëherë ishte intervenuar me dy stenta për të cilat tha se ka paguar 6 mijë euro si dhe 500 euro për një bifurkacion që mjekët tha se e kishin njoftuar më vonë se i ishte vendosur babait të tij.

Pas operimit, dëshmitari tha se e kishte dërguar babanë për kontroll, ndërsa rekomandimin për vendosjen edhe të një stente nga klinika private, dëshmitari tha se nuk e kishte përkrahur një mjek në Prizren ku i kishte bërë kontrollet babai i tij.

Lidhur më atë se a e ndien veten të dëmtuar, dëshmitari tha se ndjehet i dëmtuar me faktin se askush nuk i kishte treguar për marrëveshjet që MSH kishte me spitalet private dhe pasi nuk kishte arritur të marr kompensimin nga MSH, ndërsa për mjekët tha se e kanë kryer punën e tyre.

Edhe ky dëshmitar u ballafaqua nga prokurorja Shamolli me deklaratën e tij të dhënë në prokurori më 17 tetor 2014, ku kishte deklaruar se në spitalin e Prizrenit, një mjek me emrin Agim Susuri i kishte thënë ta dërgojnë babanë në spitalin “EDA”, dhe kishte qenë pikërisht ky mjek i cili e kishte thirrur ndihmën e shpejtë të spitalit “EDA”. Kur kishte shkuar në spitalin “EDA”, vazhdoi prokurorja me leximin e deklaratës së dëshmitarit, mjeku Lulzim Brovina i kishte thënë ta bëj koronografinë ndërsa mjeku Borche Petrovski i ksihte vendosur fillimisht një stent e pastaj i kishte thënë ta vendos edhe një stentë tjetër por me këtë nuk ishte pajtuar dëshmitari, dhe pasi e kishte dërguar te mjeku Mehdali Skeraj për kontroll, ky i fundit i kishte thënë se gjendja e babait të tij është e mire dhe s’ka nevojë për stentë tjetër.

“Ndoshta ka pas rekomandim në dokument nuk e di. E vërtetë që kam deklaruar ashtu, atëherë nuk kam pas dokumente, tash i kom” , tha dëshmitari.

Ndryshe, në fillim të kësaj seance gjykatësja Gërguri tha se ka pranuar disa shkresa nga e akuzuara Ferihane Sefa, për gjendjen e saj ndërsa prokurorja Shamolli propozoi që të bëhet ekzaminim për Sefën dhe të akuzuarin Murat Abazi se a mund të njëjtit t’i ndjekin seancat, ndërsa deri sa të kryhet ky ekzaminim, të veçohet procedura për të akuzuarën Sefa.

Seancat e radhës u caktuan të mbahen më 20 dhe 21 qershor nga ora 9:00.

Ndryshe, Gani Bajraktari, Sami Gjoka, Faik Shatri dhe 42 të akuzuar të tjerë të përfshirë në rastin “Stenta 2”, ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi