Rasti “Stenta 2”, dëshmitari thotë se babait të tij i ishin mbyllur stentat një vit e gjysmë pas vendosjes

Lavdim Bajraktari - Rasti Stenta 2. - 09.09.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Shtator 9, 2019

Prishtinë – Një vit e gjysmë pasi që babai i tij, Avdyl Abdullahu, i kishte vendosur dy stenta në spitalin privat “EDA”, dëshmitari Shefket Abdullahu tha se të njëjtat i ishin mbyllur dhe kishte pasur nevojë për operim të ri.

Një gjë të tillë, Abdullahu e tha të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku dha dëshminë e tij në gjykimin e rastit “Stenta 2”, ku për korrupsion janë duke u gjykuar 42 mjekë të spitaleve publike të Kosovë.

Abdullahu tha se babai i tij, asnjëherë pas vendosjes së stentave në spitalin “EDA”, nuk e kishte ndier veten mirë dhe pas një kontrolle që e kishte bërë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), rreth një vit e gjysmë pasi që kishte vendosur stentat, i ishte thënë se të njëjtat janë të mbyllura dhe duhet bërë “bypass”.

Siç tha dëshmitari, mjekët në QKUK i kishin thënë se qysh në fillim nuk ka qenë dashur të vendosen stentat.

Operimin e dytë të babait të tij, dëshmitari tha se e ka bërë në QKUK një mjek që kishte ardhur në Ankara, mirëpo, katër-pesë orë pas operimit, babai i tij kishte ndërruar jetë.

Para se të shkonte për kontroll në QKUK, dëshmitari tha se babai i tij të gjitha kontrollet i kishte bërë në spitalin “EDA”, derisa herën e fundit kishte shkuar për kontroll, dëshmitari tha se një mjek maqedonas i kishte thënë se duhet bërë disa analiza për të shikuar nëse stentat janë në rregull.

Kjo analizë, dëshmitari tha se i ishte thënë se kushton 2800 euro, mirëpo pasi që pacienti i kishte vendosur stentat në spitalin “EDA”, çmimi kishte rënë në 2500 euro.

“Nëse nuk del mirë analiza, mjeku na ka thana se duhet me intervenu prapë, Ne nuk kemi pranuar ta bojmë atë kontroll dhe kemi vazhdu me kontrolla në QKUK”, tha dëshmitari.

Pasi që e kishte kuptuar se babait të tij i ishin mbyllur stentat, dëshmitari tha se bashkë me vëllain e tij kishin shkuar në spitalin “EDA”, për të kërkuar përgjegjësi nga ta, pasi siç tha, para operimit, i ishte thënë gojarisht se këto stenta kanë garancion nga pesë deri në 10 vjet.

Mirëpo, dëshmitari tha se në spitalin “EDA”, ishte pritur shumë keq dhe një mjek për të cilin tha se nuk i kujtohet emri, i cili i ishte drejtuar me fjalët se “na nuk jem dal në udhe me ju thirr po ju vet keni ardhur”.

Po ashtu, pasi që kryetarja e trupit gjykues lexoi një pjesë të deklaratës që dëshmitari kishte dhënë në prokurori, Abdullahu e pranoi se pasi kishte kërkuar përgjegjësi nga spitali “EDA”, një mjek i gjatë me flokë të thinjura i kishte thënë “shko ankohu ku të duash dhe nëse don shihemi në gjykatë”.

Pas problemeve që i ishin shfaqur me tension babait të tij dhe e kishin dërguar në QKUK, dëshmitari tha se i ishte thënë që të dërgojnë në spitalin “EDA” apo spitalin turk për shërim pasi që siç tha, në QKUK i kishin thënë se nuk kanë mjete për operim.

Se kush e kishte drejtuar që të shkojë në spitale private, dëshmitari tha se nuk i kujtohet, mirëpo siç tha, pas koronografisë që i ishte bërë te “EDA”, një mjek me emrin Blerim, ju kishte thënë se i ka arteriet e mbyllura dhe se po ta largojnë nga salla e operimit mund të vdes në rrugë pacienti.

Operimi në spitalin “EDA”, dëshmitari tha se ju ka kushtuar 7500 euro për dy stenta, si dhe shpenzime tjera për koronografi dhe qëndrimin në spital.

Dëshmitari tha se pas vdekjes së babait, nuk ka pranuar që të njëjtit t’ia bëjnë obduksionin, kur për një gjë të tillë u pyet nga prokurorja, Florije Salihu-Shamolli.

Kjo e fundit, e pyeti dëshmitarin edhe lidhur me disa emra të mjekëve që dëshmitari i kishte përmendur në prokurori, si emrin e Basri Sejdiut apo Bedri Zaitit, mirëpo, Abdullahu tha se nuk i ka përmendur këta emra.

Pas kësaj, prokurorja e lexoi një pjesë të deklarimit të dëshmitarit në prokurori ku sipas saj, Abdullahu kishte deklaruar se “pas një vit e gjysmë, babai ka pasur probleme dhe unë e kam dërguar përsëri ne QKUK dhe aty babait i është bërë koronografia dhe në bazë të asaj koronografie doktor Basri Sejdiu, Sami Gjoka dhe Bedri Zaiti me kane thëne se stentat që ishin vendosur në EDA, janë të mbyllura”.

E pasi që lexoi këtë pjesë të deklaratës së tij, dëshmitari Abdullahu e pranoi pastaj se kishte deklaruar kështu dhe kishte përmendur emrat në fjalë.

Dëshmitari Abdullahu tha se nuk kishte qenë i njoftuar nga askush për kompensimet që Ministria e Shëndetësisë ju kishte dhënë pacientëve në raste të tilla, prandaj tha se e ndjen edhe vetën si palë të dëmtuar dhe paraqet kërkesë pasurore juridike.

Duke u përgjigjur në pyetjet e të akuzuarit Masar Gashi, dëshmitari tha se nuk ka vërejtje në punën e Gashit mirëpo tha se e ndjen veten të dëmtuar nga spitali “EDA”.

Vërejtje në dëshminë e dëshmitarit pati i akuzuari Masar Gashi, i cili tha se dëshmitari i ndërruar deklaratat pasi në prokurori ka përmendur vetëm spitalin “EDA”, kurse tash në seancë e përmendi edhe spitalin turk.

Pas përfundimit të dëshmisë së Abdullahut, i akuzuari Gani Bajraktari i propozoi gjykatës që të vërtetojë nëse në kohën për të cilën foli dëshmitari të vërtetohet nëse ka qenë duke punuar kardiologjia invazive dhe nëse ka pasur stenta në atë kohë në QKUK.

Po ashtu, sa i përket deklaratës së dëshmitarit se mjekët në QKUK i kishin thënë se nuk është dashur që të vendos stenta, Bajraktari tha se duhet bërë një ekspertizë mjekësore për të vërtetuar nëse ka pasur ndonjë gabim profesional në këtë rast.

“Edhe diçka tjetër, asnjë mjek nuk i thotë pacientit se stenta ka afat 5 vjet, se ajo është për të gjithë jetën”, tha Bajraktari.

Në seancën e së hënës ishte paraparë që të dëshmoi edhe dëshmitari Shaban Shala, mirëpo, edhe pse i njëjti ishte i pranishëm në gjykatore në fillim të seancës, i njëjti sic tha gjykatësja Gërguri ishte larguar nga gjykata për shkak se nuk kishte qenë mirë më shëndet.

Po ashtu, në seancën e së hënës nuk ishte i pranishëm edhe dëshmitari Bujar Agani.

Seanca pritet të vazhdojë edhe të martën, më 10 shtator, ku pritet që të dëgjohen dëshmitarët tjerë.

Ndryshe, në rastin “Stenta 2”, kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi dhe Ferihane Sefa.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 42 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galin Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi