Rasti “Stenta 2”, dëshmitari i prokurorisë thotë se dëshiron që kardiologët e akuzuar të shpallen të pafajshëm

Lavdim Bajraktari - Rasti Stenta 2. - 10.09.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Shtator 10, 2019

Prishtinë – Dëshmitari i propozuar nga prokuroria, Abaz Osmani, ka deklaruar se është dëshirë e tij, që 42 mjekët e akuzuar për korrupsion në rastin “Stenta 2”, të shpallen të pafajshëm.

Këtë deklaratë, Osmani e dha të martën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ku ka vazhduar gjykimi ndaj Gani Bajraktarit dhe 41 mjekëve të tjerë që po akuzohen në këtë rast.

Duke iu përgjigjur pyetjeve së të akuzuarit Besim Guda, se si mendon dëshmitari se do duhej të vepronin mjekët e akuzuar me të gjatë kohës sa kishte qenë pacient, Osmani tha se do duhej të operonin në Njësinë Koronare të Qendrës Klinikës Universitare të Kosovës (QKUK), e jo ta dërgonin në spitale private.

“Është dashtë që në njësinë koronare, aty të intervenojnë mjekët e jo me më dërgu atje ku edhe metalikun e fundit ma kanë marrë. Prokuroria ka mbledh prova e hetime që ju keni manipulu me pacientë, por më besoni qe dëshira ime është qe ju te dilni të pastër”, deklaroi dëshmitari Osmani.

Në dëshminë e tij, që zgjati afër gjashtë orë, dëshmitari Osmani u është përgjigjur edhe pyetjeve së të akuzuarit Gani Bajraktari, i cili dëshmitarin e pyeti nëse në QKUK kishte shkuar me udhëzim dhe se nëse ishte konsultuar me dikë lidhur me atë se a kishte pësuar dëshmitari infarkt, apo jo.

“Jom shku pa udhëzim. Duke pasur parasysh gjendjen time shëndetësore, unë mendoj që nuk kam pasur infarkt sepse dihet cilat janë simptomat e infarktit dhe unë ato nuk i kam pasur”, u përgjigj Osmani.

“Ju thatë se nuk keni pasur nevojë për vendosjen e stentave dhe se kjo ja u ka përkeqësu gjendjen shëndetësore. Tash, ketë konstatim a e keni bo vet apo ju ka thëne ndonjë mjek?”, ishte pyetja pasuese e Bajraktarit.

Mirëpo, dëshmitari e mohoi se ishte konsultuar me ndonjë mjek, por tha se i ka ndier vet abuzimet që i ishin bërë, por për fat, Osmani tha se nuk kishte pasur përkeqësim të gjendjes shëndetësore.

“Abuzimi ka të bëj me aspektet psikologjike dhe traumat që kam pasur nga ato shpumje, stenta, është bërë një lloj eksperimenti me trupin tim, i panevojshëm” u përgjigj dëshmitari.

Tutje, Osmani tha se një kohë ka punuar edhe në Kuvendin e Kosovës, ku tha se vazhdojnë të punojnë ende disa kolegë të tij, nga të cilët tha se ka mësuar se në vitin 2013 nga QKUK ishin blerë nëntë mijë stenta, por vetëm rreth 100 janë përdorur nga njësia koronare e QKUK-së.

Siç tha Osmani, po atë vit, nga një raport që ishte bërë kishte dalë konstatimi se në spitalin turk “IMH”, atë vit ishin vendosur 5 mijë stenta kurse në spitalin “EDA”, 4 mijë stenta, për çka ngriti dyshimin se ato stenta u ishin shitur këtyre spitaleve.

“Tash le të kallxojnë këtë sa jon shitë”, u drejtua dëshmitari duke aluduar në të akuzuarit, çka shkaktojë reagime nga të akuzuarit.

Si gënjeshtra dhe llafe të kafeve, e konsiderojë këtë deklarim të dëshmitarit, i akuzuari Faik Shatri, duke shtuar se QKUK asnjëherë nuk ka blerë nëntë mijë stenta, ndërsa për reagimin e Shatrit, Osmani tha se vetëm po tregohet karakteri dhe morali i të akuzuarit Shatri dhe se nuk po dëshiron të polemizojë me të.

Shatri po ashtu propozoi që të sjellën në gjykatën për të dëshmuar infermieret e spitalit “EDA”, për të vërtetuar një deklaratë që dëshmitari e kishte dhënë ku kishte thënë se njëra nga to i kishte thënë se doktori Masar Gashi kishte shkuar në spitalin “EDA”, për të marrë “bakshishin” për pacientin që ua kishte dërguar.

Shatri kërkoi të dijë nga dëshmitari se pse nuk e kishte paditur spitalin “EDA”, për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, me këtë të fundit që tha se një gjë e tillë siç e kishte cekur edhe më herët ka qenë punë e prokurorisë.

Sa i përket deklaratës që dëshmitari kishte dhënë më herët kur kishte thënë se nga një kontrollë që kishte bërë te mjeku Tefik Bekteshi, kishte dalë se nuk i kishte gjashtë stenta, i akuzuari Nexhmi Zeqiri kërkoi të dijë nga Osmani nëse një konstatim të tillë e ka me shkrim apo vetëm gojarisht i ishte thënë.

“Unë e posedoj at konstatim, e kom rezultatin dhe jonë incizimet e ultrazërit dhe në raportin që ma ka dhënë nuk shkrun qe e kom vetëm një stent por gojarisht me ka thëne qe e kam vetëm një stent”, u përgjigj Osmani.

Duke u përgjigjur në pyetjet e parashtruara nga ana e të akuzuarit Banush Gashi, dëshmitari sqaroi edhe numrin e koronografive që kishte bërë, ku tha se as në QKUK e as në spitalin “EDA” nuk i ishte bërë koronografia, mirëpo shtoi se kjo ka mundur të bëhet nga mjekët gjatë procesit të stentimit.

Dëshmitari Osmani tha se kishte pasur letra referuese për trajtim në spitale private, pasi për një gjë të tillë u pyet nga ana e gjykatësit Shashivar Hoti.

Ky i fundit, pati edhe një polemikë me të akuzuarin Shatri, gjatë kohës kur po diskutohej çështja e udhëzimeve administrative që rregullonin çështjen e letrave referuese për trajtim jashtë institucioneve publike, ku pasi fillimisht i akuzuari Shatri iu drejtua gjykatësit Hoti me fjalët “nuk po din”, ky i fundit iu përgjigj të akuzuarit duke i thënë “ulu, se s’je kërkah”.

Po ashtu, gjykatësi tha se si trup gjykues e kanë obligim që të lexojnë ligjin dhe të gjitha udhëzimet administrative për çështjen në fjalë.

Lidhur me dëshminë e Osmanit, i akuzuari Gani Bajraktari, i propozoi trupit gjykues që të ftojë si dëshmitar mjekun Tefik Bekteshi që të dëshmojë lidhur me atë që kishte deklaruar dëshmitari se nuk i kishin vendosur gjashtë stenta.

Po ashtu, Bajraktari propozoi që të ftohet si dëshmitare edhe Alberie Thaqi, infermiere e kardiologjisë nga e cila tha se duhet të kërkohet të deklarohet saktësisht se sa pacientë janë stentu nga viti 2010 deri në vitin 2015, sa stenta janë blerë dhe sa pacient me infarkt akut janë trajtuar deri më 10 shtator 2014, kur Bajraktari ishte zgjedhur drejtori i Klinikës së Kardiologjisë.

“Ju lus te lexoni edhe nenin 24 te Ligjit për Shëndetësi qe i obligon mjeket qe te referon pacientet per shërim jashtë institucionit publik per ato sëmundje qe nuk shërohen ne QKUK”, tha Bajraktari.

Shumë më i shkurtë në deklarimin e tij, ishte dëshmitari tjetër që u dëgjua të martën, Bedri Haxhijaj.

Ky i fundit tha se nëna e tij, kishte qenë e sëmurë nga zemra, për çka edhe ishte operuar në spitalin “IMH”, ndërsa për këtë operim kishte paguar 7500 euro.

Lidhur me përzgjedhjen e spitalit, Haxhijaj tha se e kishte bërë vet dhe nuk ia kishte imponuar askujt, ndërsa shtoi se nuk e ndien veten të dëmtuar, e as nuk paraqet kërkesë pasurore juridike.

Haxhijaj u pyet nga kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri lidhur me disa SMS që kishin shkëmbyer mjeku tashmë i akuzuar, Sali Shala me mjekun tjetër Astrit Bakiqi, ku ky i fundit i kishte pranuar një SMS nga mjeku Shala me përmbajtje “R.Haxhijaj – Istog”.

Siç e citoi gjykatësja përgjigjen e Haxhijajt dhënë në prokurori, dëshmitari kishte deklaruar se mjeku Shala nuk e kishte informuar asnjëherë atë se pse ja ka dërguar emrin e nënës së tij dikujt në IMH dhe nuk e di pse ka thënë kështu.

“Po është e vërtetë, kështu kam thënë”, deklaroi dëshmitari Haxhijaj.

Seancat e radhës për këtë rast do të mbahen më 19 dhe 20 shtator, ku priten të dëgjohen dëshmitar tjerë.

Në rastin “Stenta 2”, kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi dhe Ferihane Sefa.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 42 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galin Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi