Rasti “Stenta 2”, dëshmitari: Emergjenca e QKUK-së vepronte si urë për dërgimin e pacientëve në klinika private

Lavdim Bajraktari - Rasti Stenta 2 - 10.09.2019
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Shtator 10, 2019

Prishtinë – I ftuar për të dëshmuar në gjykimin ndaj 42 mjekëve që po akuzohen për korrupsion, në rastin e njohur si “Stenta 2”, dëshmitari Abaz Osmani, të martën, ka deklaruar se Emergjenca e Qendrës Klinikës dhe Universitare të Kosovës (QKUK), vepronte si urë për dërgimin e pacientëve në klinika private.

Një gjë të tillë, Osmani ka thënë se e ka përjetuar vet, kur në vitin 2013, ishte paraqitur në emergjencën e QKUK-së për një kontroll.

Osmani, në këtë proces gjyqësor e ka edhe cilësinë e palës së dëmtuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“Me 4 shkurt 2013, jam paraqitur në emergjencë në QKUK ku kam shku me këmbë të mia. Kur e kom bo hapin e parë në institucion që e ka për detyrë për mu kujdes për shëndetin e qytetarit i udhëhequr nga parimet humane, e kam parë që jom bo pjesë e atij sistemi, siç thotë një fjalë popullore, “sikur cjapi te kasapi”, tha dëshmitari në fjalën e tij.

Atë ditë, Osmani tha se mjeku Masar Gashi, e kishte kontrolluar dhe ia kishte bërë një EKG, e ku sipas Gashit, Osmani tha se e kishte pasur gjendjen kritike.

“Unë i thash se nuk jom në gjendje kritike dhe nuk po e ndjej veten keq po përgjigja e tij ke se “ju jeni në rrezik sepse keni pësuar infarkt miokardit dhe fatkeqësisht ne nuk mund të ju ndihmojmë”, tha dëshmitarit Osmani.

Sipas dëshmitarit, arsyeja që i ishte dhënë se pse nuk mund t’i ndihmojnë në QKUK, kishte qenë se nuk kishin pasur mjete, andaj, vazhdoi dëshmitari, nuk kishin shkuar as pesë minuta dhe në QKUK kishte ardhur ndihma e shpejtë e spitalit privat “EDA”, e cila e kishte transportuar për në atë spital.

Pasi kishte shkuar në spitalin “EDA”, dëshmitari tha se i ishte bërë koronarografia, e sipas së cilës, i ishte thënë se aorta e zemrës i ishte mbyllur në masën 95 %.

“Më thanë se duhet vendosur stenta dhe familja ime ishte e gatshme me pagu sa të është nevoja vetëm që të shpëtohet jeta ime”, vazhdoi dëshminë e tij, Osmani.

Kur nga prokurorja e rastit, Florije Salihu – Shamolli u pyet se kush ia kishte thënë këto fjalë, dëshmitari tha se në atë kohë, drejtor i klinikës “EDA”, kishte qenë Borche Petrovski, si dhe dy mjek tjerë, Lulzim Brovina dhe Blerim Zuna.

Tek spitali “EDA”, Osmani tha se kishte paguar 14 mijë euro për vendosjen e gjashtë stentave, mirëpo, pas një kontrolle që tha se e kishte bërë në klinikën e mjekut Tefik Bekteshi, dëshmitari tha se ka dal diskutabile, se a e ka vetëm një stentë të vendosur apo më shumë.

“Mjeku që ma ka bo ultrazërin më ka thënë se nuk e di a ki pas nevojë për stenta apo s’ke pas”, deklaroi dëshmitari Osmani.

Pas kësaj përgjigje të dëshmitarit, pati reagime nga të akuzuarit të cilët thanë se mjeku e ka gënjyer.

Ndërhyrjet e shpeshta nga të akuzuarit, por edhe avokatët, bën që kryetarja e trupit gjykues për këtë rast, Shadije Gërguri t’ua tërheq palëve vërejtjen për mos mbajtjen e qetësisë në gjykatë.

Tutje, dëshmitari tregoi se ditëve në vijim pasi që kishte përfunduar operimin, në spitalin “EDA”, kishte shkuar te mjeku Masar Gashi, për çka dëshmitari tha se ishte ndier mirë pasi kishte menduar se Gashi po tregonte përkujdesje për pacientët e tij.

Mirëpo, Osmani tha se nga një motër medicinale aty e kishte kuptuar që mjeku nuk kishte ardhur aty për tu interesuar për dëshmitarin, por siç i kishte thënë ajo, Gashi kishte shkuar për të marr pjesën e vet të të hollave që e kishte dërguar Osmanin për shërim në “EDA”.

“Emri i asaj motrës medicinale nuk me kujtohet, por e di qe ka punuar aty. Unë kesh i gëzuar se thash ka ardhur doktori mu interesu për mu, por ajo më tha se ai është ardh për tjetër sen”, rikujtoi bisedën e tij, me motrën medicinale në fjalë, dëshmitarit Osmani.

Gjatë kohës që kishte qëndruar në spitalin “EDA”, dëshmitari tha se kishin qenë edhe shtatë apo tetë pacientë në atë spital me gjendje të njëjtë sikurse ai dhe siç tha Osmani, atij i ishte dukur e çuditshme se si tek të gjithë pacientët, përqindja e mbylljes së aortës kishte qenë e njëjtë, 95 %.

Lidhur me këtë, Osmani tha se e kishte pyetur një mjek që kishte qenë si pacient në spital, Xhelil Karavidaj, se sa janë mundësitë që të ndodhtë që te të gjithë pacientët përqindja e mbylljes të jetë e njëjtë, ndërsa përgjigja që ia kishte dhënë Karavidaj dëshmitarit, sipas këtij të fundit, kishte qenë se një gjë e tillë ndodh shumë rrallë.

Lidhur me shpenzimet që kishte pasur për operim, prokurorja Shamolli e pyeti dëshmitarin se a kishte paraqitur kërkesë pasurore juridike në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH).

“Jo. Me është refuzu kërkesa nga MSH. Madje një nen aty në udhëzim administrativ thuhet  se në raste urgjente kur pacienti paraqitet ne klinikë dhe paraqitet nevoja të shkojë jashtë institucioneve publike për shërim, pacienti duhet brenda ditës me marr pëlqimin konsiliumi mjekësor prej tre profesorëve dhe këtu paraqitet pyetja a mundet njeri në shtratin e vdekjes me vrapu mi gjet nënshkrimet e profesorëve. Unë këtë çështje e kam ngrit edhe tek Avokati i Popullit”, ishte përgjigja e dëshmitarit.

Para se të bënte pagesën për stenta, dëshmitari tha se kishte biseduar me doktorin Borche Petrovski dhe i njëjti i kishte premtuar se do t’i ofronin një çmim të lirë pasi dëshmitari është pensionist, mirëpo një gjë e tillë nuk kishte ndodhur.

“Kur unë i thash mjekut qe jam pensionist, më vonë ata e kuptuan që djali jem punon në OSBE, mirëpo ai nuk i ka pasur 14 mije euro mi pagu”, deklaroi dëshmitari.

Kur nga prokurorja Shamolli u pyet se a e konsideron veten të dëmtuar në këtë rast, dëshmitari tha se e konsideron veten të dëmtuar në aspektin shëndetësor, material, etik si dhe në aspektin e humbjes së besimit në institucione shëndetësore.

Pyetje dëshmitarit i parashtroi edhe mbrojtësi i Elfedin Muhaxherit, avokati Arianit Koci, i cili nga dëshmitari kërkoi të dijë se pse kishte shkuar në spital pasi kishte thënë se me shëndet kishte qenë mirë dhe çfarë kishte ndodhur pasi ishte paraqitur në emergjencën e QKUK-së.

“Unë kam thënë se kam pasur shtrëngime, kam thënë se kam shkuar me këmbë të mia në spital, por s’kam thënë se kam qenë me shëndet të shkëlqyer. Qendra Emergjente ka qenë katapultë për mi shpërnda pacientët në klinika private. Kjo është e saktë për aq sa e kam përjetuar vetë”, u përgjigj dëshmitari.

“Ju sot deklaruat se sipas kontrollit që keni bërë në QKUK, është konstatuar se ju keni pësuar një sulm në zemër. A mendoni që doktori Masar Gashi ju ka shpëtuar jetën”, ishte pyetja pasuese e Kocit për dëshmitarin.

Mirëpo, Osmani e mohoi se Gashi ia kishte shpëtuar jetën pasi siç tha, nuk kishte pësuar fare sulm në zemër.

Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Koci, dëshmitari tregoi se si mjeku Xhelil Karavidaj, që gjatë kohës së operimit të dëshmitarit kishte qenë po ashtu pacient në spitalin “EDA”, i kishte treguar se kishte qenë pikërisht drejtori i ambulancës ku ka punuar Karavidaj, i cili e kishte dërguar këtë të fundit në spitalin “EDA”, dhe se për këtë kishte marr 500 euro.

“Në mënyrë analoge nëse e shikojmë, nëse ai i ka marr 500 euro, edhe ky i ka marr 500 euro, apo 200 euro apo 50 euro”, tha dëshmitari, duke iu drejtuar të akuzuarit Masar Gashi, i cili ishte apostrofuar nga një motër mediciniale e spitali “EDA” se kishte marr para për dërgimin e dëshmitarit në atë spital.

E se pse po e konsideron veten të dëmtuar kur më herët deklaroi se është me shëndet mirë, e pyeti dëshmitarin, i akuzuari Masar Gashi.

“Unë kam përjetuar stres, ju e dini çka është me fut at sajllën në damar të gjakut, ai është maltretim fizik dhe në aspektin psikik, unë nuk e eliminoj mundësinë që me pas naj sëmundje tash por kam frikë me ju afru institucioneve shëndetësore”, tha dëshmitari.

“A po konsideroni se unë kam gabu me diagnozë kur të kam thënë se ke pas infarkt”, e pyeti Gashi dëshmitarin, me këtë të fundit që u përgjigj se nuk është me rëndësi çka mendon ai, por me rëndësi janë faktet, incizimet dhe analizat tjera.

“A ke gabu ti a jo, e vendos gjykata”, deklaroi Osmani.

Ndryshe, seanca është duke u vazhduar ndërsa përveç dëshmitarit Osmani, në këtë seancë pritet të dëshmojë edhe dëshmitari Bedri Haxhijaj.

Në rastin “Stenta 2”, kanë qenë të përfshirë 45 mjekë, por për shkaqe shëndetësore, gjatë seancave të kaluara ishte veçuar procedura për të akuzuarit Ferid Susuri, Murat Abazi dhe Ferihane Sefa.

Me akuzat e PSRK-së në këtë rast, tashmë janë duke u përballur 42 të akuzuar, përkatësisht, Gani Bajraktari, Nexhmi Zeqiri, Daut Gorani, Elfedin Muhaxheri, Reshat Emra, Hamza Selmani, Ismajl Avdimetaj, Sali Shala, Nehat Rexhepaj, Agron Besimi, Petrit Ademaj, Bajram Mziu, Agron Leka, Driton Miftari, Besim Guda, Mirdi Strana, Shemsedin Shabollari, Fisnik Hima, Luan Pazhari, Galin Berisha, Bajram Preteni, Lulzim Kamberi, Sami Gjoka, Faik Shatri, Ejup Pllana, Florim Sadiku, Halim Halili, Agim Krasniqi, Hajdin Çitaku, Edmond Haliti,  Besnik Koliqi, Afrim Poniku, Banush Gashi, Nebih Musliu, Dardan Koqinaj, Xhevdet Krasniqi, Lazër Prekpalaj, Rexhep Manaj, Kelmend Pallaska dhe Arlind Batalli.

Këta të akuzuar ishin deklaruar të pafajshëm në lidhje me akuzat për të cilat ngarkohen nga ana e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), në shqyrtimin fillestar që ishte mbajtur për këtë rast, në shkurt të vitit 2018.

Në këtë rast, të përfshirë kishin qenë edhe ish-ministri i Shëndetësisë (MSH), Ferid Agani, ish-sekretari i MSH-së, Gani Shabani dhe 11 të akuzuar të tjerë, mirëpo, rasti ishte veçuar në tri pjesë në shqyrtimin fillestar.

Gjykimi ndaj ish-ministrit Agani dhe ish-sekretarit Shabani tashmë ka përfunduar në shkallë të parë. Agani është dënuar me 2 vjet e 6 muaj burgim efektiv, ndërsa Shabani është dënuar 2 vjet burgim efektiv. Kurse, procesi gjyqësor në rastin “Stenta 3”, ku janë të përfshirë kryesisht, drejtorë e mjekë të spitaleve private është ende në fazën fillestare.

Të akuzuarit në rastin “Stenta 2”, ngarkohen nga PSRK-ja me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar dhe marrje ryshfeti.

Sipas aktakuzës së PSKR-së, ekziston dyshimi i bazuar mirë, se nga 1 janari 2011 e deri më 31 dhjetor 2015, duke vepruar në bashkëkryerje nga pozita e mjekëve në SHSKUK, kanë keqpërdorur pozitat dhe autoritetin e tyre zyrtar, në atë mënyrë që duke i tejkaluar kompetencat e tyre si anëtarë të komisioneve konziliare të Klinikës së Kardiologjisë, me dashje dhe dijeni ua kanë lëshuar letrat referuese për trajtim jashtë institucioneve publike shëndetësore së paku 233 persona edhe pse të njëjtit i kishin kryer trajtimet mjekësore.

Sipas aktakuzës, një gjë e tillë ishte bërë që personave në fjalë, tua mundësonin kompensimin e shpenzimeve nga Ministria e Shëndetësisë, për trajtim mjekësor në institucione private edhe pse, siç thotë aktakuza, në bazë të nenit 53 të Ligjit mbi Shëndetësinë, Nr.2004/04, të 19 shkurtit 2014 dhe neneve 16 dhe 25 të Ligjit për Shëndetësinë Nr.04/L-125 të 13 dhjetorit 2012, letrat referuese duhej t’u lëshohej pacientëve në momentin kur konstatohej se pacientët nuk kishin mundësi të trajtoheshin brenda sistemit publik shëndetësor.

Me këto veprime të të akuzuarve, PSKR pretendon se dëmi që i është shkaktuar buxhetit të Kosovës është 4,555,553.00 euro.

Po ashtu, aktakuza i ngarkon mjekët në rastin “Stenta 2”, se kanë keqpërdorur pozitën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet, ashtu që, në vend se pacientët që kanë shkuar për kontroll në institucione publike shëndetësore, t’i referonin në njësinë kompetente invazive në Klinikën Kardiologjisë në SHSKUK në Prishtinë, të njëjtit pacientët i kanë referuar në spitale private dhe për këto veprimet kanë marr ryshfet.

Sipas aktakuzës, për çdo pacientë që e dërgonin për vendosjen e stentave, merrnin nga 500 euro ryshfet, ndërsa për koronarografi merrnin nga 150 euro ryshfet.

Këto veprimet të tyre, sipas PSRK-së, të akuzuarit i kishin kryer në bashkëpunim me të akuzuarit që tashmë janë të përfshirë në rastin “Stenta 3”, ku janë kryesisht pronar e mjekë të spitaleve private.

Prokuroria e Shtetit më 15 qershor 2016, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-ministrit të Shëndetësisë, Ferid Agani, ish-sekretarit të përgjithshëm të MSh, Gani Shabani dhe 62 personave të tjerë, për veprat penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”,  “marrje e ryshfetit”, “dhënie e ryshfetit”, “trajtimi i pandërgjegjshëm mjekësor”, “ushtrimi i kundërligjshëm i veprimtarisë mjekësore dhe farmaceutike” dhe “shmangia nga tatimi “.

Në ndërkohë, prokuroria kishte hequr dorë nga ndjekja penale ndaj kardiologut Afrim Bekteshi, me arsyetimin se i njëjti është përfshirë gabimisht në aktakuzë.

Në ketë çështje penale hetimet fillimisht janë zhvilluar kundër 116 personave fizik dhe 4 personave juridik.  Mirëpo për 56 persona fizik nuk janë plotësuar kushtet ligjore që të përfshihen në këtë aktakuzë, andaj për të njëjtit janë pushuar hetimet.

Mbrojtja e të akuzuarve ka ngritur dilema të shumta rreth ligjshmërisë së kësaj aktakuze, e cila sipas tyre, përveçse përmban prova të papranueshme ajo është ngritur në mënyrë të kundërligjshme nga prokurori i Zyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi. Sipas mbrojtjes, Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit nuk ka kompetenca në ngritjen e aktakuzave siç ka ndodhur në këtë rast. /BetimipërDrejtësi