SMS-ët e të ndjerit Shkodra, Adem Grabovci i quan banal e idiot

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Dëshmitari i prokurorisë, Adem Grabovci, të mërkurën përfundoi dëshminë në gjykimin ndaj ish – ministrit të Ministrisë së Transportit dhe Postë Telekomunikacionit (MTPT) Fatmir Limaj dhe zyrtarëve tjerë të kësaj ministrie.

I pyetur rreth disa SMS-ëve që kishte pranuar nga biznesmeni nga Gjilani, tani i ndjeri Mehmet Shkodra, në lidhje me mirëmbajtjen e rrugëve, Grabovci tha se për këta SMS, është marrë njëherë në pyetje nga prokuroria ku kishte deklaruar se nuk e njeh Shkodrën, e as që ishte takuar me të ndonjëherë.

Prokurori Charles Hardaway e ballafaqoi Grabovcin me SMS-ët që Shkodra ia kishte dërguar atij.

“Z. Ministër, a janë fjalët qysh më keni thënë në nëntor, për mirëmbajtjen verore”, e kishte pyetur i ndjeri Shkodra, Grabovcin. “Mirëmrama z.Adem. A ka ndonjë ymyt që të kryhet qajo punë”, ishte SMS-i i radhës për Grabovcin nga Shkodra. Grabovci u përgjigj duke thënë se nuk e din se pse prokurori po e pyet prapë, pasi që më herët kishte thënë se nuk e njeh këtë person dhe asnjëherë nuk ishte takuar me të.

“Këta SMS kanë qenë një provokim banal dhe idiot i këtij personi. Unë nuk kam mundur ta ndaloj që të mos më shkruan ky person. Ky ka qenë as më pak e as më shumë, përveç se provokim”, tha Grabovci. I pyetur nga prokurori Haradaway, se si i shpjegon SMS-ët e Izmi Zekës dhe ish-kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafës, që i kishin kërkuar që të takohet me Shkodrën, Grabovci u përgjigj se ata i kishin kërkuar disa herë që të takohej me biznesmenin Shkodra, por ai asnjëherë nuk kishte pranuar.

“Nëse edhe 1 vjet rrina qetu, unë do t’ju them se at njeri nuk e kam takuar kurrë”, shtoi Grabovci.

I pyetur nga prokurori Hardaway, se a kishte njohuri për një bisedë të pretenduar në mes të akuzuarve Endrit Shala dhe Florim Zukës, ku i kërkohet këtij të fundit që të përfundoj obligimin e tij kur gjërat të hapen, Grabovci u përgjigj se nuk ka qenë përgjegjësi e tij vëzhgimi i bisedave të tjerëve.

“Duhet ta keni parasysh se unë kam qenë përfaqësues i shtetit tim si zëvendës ministër. I kam pasur përgjegjësitë e mija të caktuara sipas ligjit , dhe nuk kam mundur ta luaj rolin e spiunit. Unë nuk kam qenë një rrugaç. Po ndihem i fyer me këto pyetje”, tha Grabovci.

“Si është e mundur që asnjë nga këta SMS nuk i keni lexuar dhe nuk ju keni kthyer përgjigje”, ishte pyetja e prokurorit Hardaway për Grabovcin. Por, ai u përgjigj se e ka shprehi që nëse e lexon një SMS, edhe përgjigjet, por në rastin konkret nuk i ka lexuar fare, dhe se nuk bartë përgjegjësi se kush i shkruan.

“Telefoni e ka një sustë “delete” aty. Kur e shoh që janë ba ma shume se 20 ose 30 SMS, as nuk më intereson se çfarë ka dhe vetëm i fshij të gjitha”, tha Grabovci. Ai tutje shtoi se, kishte pranuar edhe shumë SMS kërcënues, por siç tha ai, prokurorit nuk i paskan bërë përshtypje.

Pasi që prokurori Hardaway dhe avokatët mbrojtës, nuk kishin më pyetje për dëshmitarin Grabovci, seanca u ndërpre për të vazhduar me dëshmitarët tjerë më 6 prill, në ora 10:00.

Ky shqyrtim gjyqësor ka filluar të zhvillohet nga fundi i shtatorit të vitit 2015. Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK) përfshihen ish-Ministri i Ministrisë së Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT) Fatmir Limaj, ish-Drejtori i Prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Zuka. Ata akuzohen për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me MTPT.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë