Rasti MTPT – jep dëshminë e tij zyrtari i Agjencionit Kundër Korrupcion Ekrem Demolli

Raporton: Adem KRASNIQI

Prishtinë – Në seancën e së enjtes në Gjykatën Themelore të Prishtinës u morë në pyetje nga prokurori Charles Hardaway, zyrtari i Agjencionit Kundër Korrupcion, Ekrem Demolli.

Demolli kishte qenë zyrtari i AKK-së, me të cilin tani i ndjeri Mehmet Shkodra, kishte folur në lidhje me pretendimin e tij se, atij i ishte bërë e padrejtë në lidhje me një tender të shpallur nga MTPT, për mirëmbajtje të rrugëve në Gjilan.

Pasi që Shkodra e kishte paraqitur rastin në AKK, ata e kishin ftuar që të bëjnë një intervistë në lidhje me problemin e paraqitur nga ai. Ai gjatë kësaj interviste me zyrtarin e AKK-së Demolli, kishte përmendur emra e mbiemra të zyrtarëve të lartë të MTPT-së, për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Tutje, dëshmitari Demolli tha se, Shkodra ju kishte siguruar dokumente të ndryshme në lidhje me rastin, e që më vonë të njëjtat ia kishin dorëzuar prokurorisë së EULEX-it.

Pasi që mbaroi orari i punës, gjyqtarja Maria Tuma, e ndërpreu seancën, për të vazhduar me marrjen në pyetje të dëshmitarit Demolli më 11 tetor në ora 10:00.

Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së  Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të  tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit (MTPT).

Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë