Rasti Menders Sinani: Dha fjalën përfundimtare i dëmtuari Bidajet Sylejmani dhe mbrojtja e të akuzuarit Sinani, avokati Aziz Rexha
Raporton: Adem KRASNIQI
Prishtinë – Të hënën para gjykatës, dha fjalën e tij përfundimtare i dëmtuari Bidajet Sylejmani dhe mbrojta e të akuzuarit Menderes Sinani, avokati Aziz Hoxha.
Bidajet Sylejmani, si palë e dëmtuar në këtë rast, tha se atij dhe familjes së tij, iu është vështirësuar jeta shumë gjatë këtij procesi gjyqësor. “Prej arrestimit tim e deri në këto momente, me veprimet e të akuzuarve, mua dhe familjes time na është shkaktuar shumë dëm material dhe moral. Neve si familje na kanë quajtur edhe si spiun të EULEX-it”, tha Sylejmani. Ai tutje shtoi se dëmi që i është shkaktuar biznesit familjar që ai kishte udhëhequr, është i pariparueshëm.
Në fjalën e tij përfundimtare, mbrojtja e të akuzuarit Sinani, avokati Aziz Rexha i kundërshtoi të gjitha akuzat që iu bënë nga tani i dëmtuari Bidajet Sylejmani. Gjithashtu fjala e tij përfundimtare u karakterizua me kritika të shumta ndaj prokurorit të rastit, Drew Angle.
Avokati Rexha tha se në shumicën e rasteve prokurori Angle, e ka fyer klientin e tij duke shpifur dhe duke thënë të pavërteta për të si “ky është ujk”, “ky është polic i keq”,”i rrezikshëm”,”ai është djalë i keq”, e shumë fyerje të tjera, që sipas tij të gjitha këto përbëjnë vepër penale. Rexha tutje shtoi se, prokurori Angle klientit e tij dhe familjes së tij, iu ka veshur atribute, të cilat sipas Rexhës, nuk janë as terme juridike e as forma të shprehjes juridike, duke mos respektuar fare prezumimin e pafajësisë së të akuzuarit.
“Prokurori Angle, vlerësimin e provave e ka bërë në mënyrë të njëanshme dhe selektive, ashtu siç ka dashur ai vet, duke i apostrofuar vetëm ato prova që kanë shkuar në favor të aktakuzës e jo edhe provat që shkojnë në favor të akuzuarit, duke vepruar kështu në kundërshtim me ligjin”, tha Rexha.
Tutje, avokati Rexha shtoi se gjatë shqyrtimeve gjyqësore, nuk është provuar se klienti i tij, Menderes Sinani, i ka kryer veprat si në aktakuzë dhe i propozoi gjykatës që të njëjtin ta liroj nga të gjitha akuzat. Kështu, avokati Rexha tha se ju do i shërbeni drejtësisë në Kosovë.
Ai gjithashtu shtoi se kërkesa pasuroro juridike, e parashtruar nga pala e dëmtuar, të mos pranohet dhe palët të udhëzohen në kontest civil.
Ndryshe, ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila më 27 dhjetor 2013 kishte akuzuar Menderes Sinanin, ku në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Gjithnjë sipas aktakuzës Vahid Tahiri, si punëtor i ndërtimtarisë ka kryer veprat penale “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “ dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar edhe pesë persona tjerë: Besim Shabani, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Burim Veseli.