Rasti Menderes Sinani me shokë: Avokati i palës së dëmtuar kërkon dëmshpërblim 118.900 euro

Raporton : Adem KRASNIQI

Prishtinë – U dha fjala përfundimtare nga pala e dëmtuar në rastin e ish-togerit të Ferizajit, Menders Sinani. Pala mbrojtëse e të dëmtuarit Bidajet Sylejmani, avokati Bekim Sylejmani, përveç dënimit të të akuzuarve, tha se do të paraqet edhe kërkesë për kompensim për klientin e tij.

“Që nga 30 maji kur është arrestuar për herë të parë, i mbrojturi im dhe familja e tij, kanë pësuar rënie ekonomikisht dhe shpirtërisht. Pasi që z. Sylejmani e ka udhëhequr vet firmën e tij “Lubeteni”, firma nuk ka punuar dhe si pasojë s’ka mundur që t’i paguaj kreditë. Familjarët e tij dhe vet i dëmtuari kanë pësuar kriza psikike nga krejt këto, ku i kemi prezantuar edhe raportet e mjekëve specialist”, tha avokati Sylejmani.

Tutje, avokati Sylejmani  kërkoi nga gjykata që në aktgjykim të përfshihet edhe kërkesa pasuroro juridike për klientin e tij, të cilën kërkesë tha se do ta bëjë sot, ku siç tha ai dëmi material dhe ai jomaterial është 118.900 euro.

Në seancën e së premtes ishte paraparë që fjalën përfundimtare ta jep edhe pala mbrojtëse e të akuzuarit Menders Sinani, avokati Aziz Rexha por që i njëjti tha se nuk e kishte përgatitur në tërësi fjalën përfundimtare dhe kërkoi nga gjykata që këtë ta bëjë për seancën e radhës, e cila u caktua më 26 tetor 2016, në ora 09:00.

Ndryshe, ky gjykim po zhvillohet në bazë të aktakuzës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, e cila më 27 dhjetor 2013 kishte akuzuar Menderes Sinanin, ku në cilësi të Udhëheqësit të Njësisë për Anti-Trafikim në Ferizaj kishte kryer veprat penale “shpërdorim i pozitës zyrtare në bashkëkryerje”, “marrje e ryshfetit në bashkëkryerje”, “ushtrim i ndikimit në bashkëkryerje”, “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Gjithnjë sipas aktakuzës Vahid Tahiri, si punëtor i ndërtimtarisë ka kryer veprat penale “shmangie nga pagesa e taksave të detyrueshme doganore në bashkëkryerje”, “ dhënie e ndihmës kryesve, pas kryerjes së veprës penale”, “moslajmërim i veprave penale apo kryesve të tyre” dhe “ mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Në këtë proces gjyqësor janë të akuzuar edhe pesë persona tjerë: Besim Shabani, Sami Matoshi, Ramadan Ajvazi, Agron Matoshi dhe Burim Veseli.

 

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë