Rasti “Medicus” në Apel, mbrojtja e Lutfi Dervishit kërkon rigjykim, ofron mbi gjysmë milion euro dorëzani për tu liruar nga paraburgimi

Lavdim Bajraktari - Rasti Medicus - 06.11.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Nëntor 6, 2018

Prishtinë – Kthimin në rigjykim për herën e dytë të rastit të njohur si “Medicus”, po e kërkon nga Gjykata e Apelit, mbrojtja e njëri prej të akuzuarve në këtë rast, urologut Lufti Dervishi.

Po ashtu, mbrojtësi i Dervishit, avokati Besnik Berisha i propozoi Apelit, që urologut Dervishi, masa e paraburgimit ku gjendet momentalisht t’i zëvendësohet me masën e dorëzanisë, e ku si dorëzani, Berisha tha se i ofrojnë gjykatës patundshmëri në vlerë mbi 500 mijë euro që është në emër të familjarëve të të akuzuarit Dervishi.

Kurse, aktgjykim refuzues për të akuzuarin tjetër të përfshirë në këtë rast, Sokol Hajdinin, me arsyetimin se ka arritur parashkrimi absolut i veprës penale, po kërkon mbrojtësi i tij, avokati Ramë Gashi.

Këto ankesa të mbrojtësve të të akuzuarve, ishin objekt shqyrtimi në një seancë të Gjykatës së Apelit që u mbajt këtë të marte.

Gjykata Themelore në Prishtinë, në maj të këtij viti, Lutfi Dervishin e kishte shpallur fajtor për veprat penale, krim i organizuar dhe trafikim me qenie njerëzore dhe të njëjtin e kishte dënuar me shtatë vjet e gjashtë muaj burgim, si dhe 8.000 euro gjobë.

Kurse, anesteziologu Sokol Hajdini, për lëndim të rëndë trupor ishte dënuar me një vit burgim.

Mjekut Dërvishi, i ishte ndaluar edhe ushtrimi i profesionit të urologut prej dy vjetësh nga koha kur dënimi me burg është kryer, kurse në dënimin e shqiptuar, do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, nga 4 nëntori 2008 deri me 3 dhjetor 2008, si dhe 10 janar 2017 deri në ditën kur ky aktgjykim bëhet i formës së prerë.

Një ankesë voluminoze prej rreth 70 faqesh, kundër këtij aktgjykimi, ka ushtruar në Apel mbrojtësi tjetër i të akuzuarit Dervishi, avokati Valon Hasani.

Sipas kësaj ankese, të cilën e referoj gjykatësi raportues për këtë rast, Driton Muharremi, gjykata e shkallës së parë kishte zbatuar gabimisht të drejtën materiale kur nuk kishte arritur  bëj dallimin mes ushtrimit të veprimtarisë mjekësore pa licencë dhe trafikimit të njerëzve.

Siç thuhet në ankesë, transplantimi i veshkave, kur bëhet pa licencë paraqet ushtrim të pandërgjegjshëm të veprimtarisë mjekësore, për çka edhe akuzohej edhe Dervishi, mirëpo, për këtë vepër penale, siç thuhet në ankesë, ka arritur parashkrimi.

Tutje, sipas avokatit Hasani, shkalla e parë ka gabuar kur e ka shpallur fajtor urologun Dervishi, pasi sipas tij, as në dispozitiv e as në arsyetim të aktgjykimit të saj, nuk është vërtetuar gjendja faktike ku i akuzuari Dervishi qoftë vet apo në bashkëkryerje të ketë mashtruar dikën ose keqpërdorur gjendjen e ndjeshme të pacienteve.

Sa i përket krimit të organizuar, për çka Dervishi ishte shpallur fajtor nga shkalla e parë, sipas avokatit Hasani, një gjë nuk mund të qëndrojë pasi që, për të ekzistuar një vepër e tillë duhet të ekzistojë marrëveshje mes të paktën tre personave, e jo të qëndroj si vepër e tillë vetëm me një person.

“Sa i përket pagesave për klinikën, faturat gjoja të lëshuara nga “Medicusi” janë të falsifikuara. Këto dëftesa nuk janë të vulosura me vulën e “Medicusit”. Pranuesit kanë pas motiv t’i falsifikojnë këto pagesa në mënyrë që të marrin parat nga kompanitë e sigurimeve”, thuhet tutje në ankesën e avokatit Hasani.

Një shkelje tjetër në këtë rast, sipas ankesës së avokatit Hasani, është bërë edhe me rastin e vazhdimit të hetimeve nga ana e prokurorisë, ku hetimet fillimisht kishin përfunduar më 12 maj 2009, ndërsa vazhdimi i tyre ishte bërë me 10 ditë vonese, për çka edhe gjykata në atë kohë kishte refuzuar një vazhdim të tillë me arsyetimin se prokuroria kishte lëshuar afatin.

Por, siç thuhet në ankesë, vazhdimi i hetimeve ishte lejuar pastaj nga një panel prej tre gjykatësve tjerë.

Duke u bazuar në të gjitha këto, mbrojtja e të akuzuarit Dervishi, ka konsideruar se i njëjti nuk ka pas gjykim të drejtë.

E aktgjykimin e Themelores, mbrojtësi i tanishëm i të akuzuarit Dervishi, avokati Besnik Berisha, e quajti si aktgjykim pa zemër, e si i tillë, siç tha Berisha nuk mund të ketë as jetë.

“Një trup që s’ka zemër nuk mund të ketë jetë. Ky aktgjykim nuk ka zemër dhe nuk do të ketë jetë. Zemra i mungon për shkak të hetimit që është zgjatur pa bazë”, tha Berisha në fjalën e tij.

Krejt ky rast sipas atyre që e kanë ndjekur, vazhdoi Berisha, ka tronditur edhe Këshillin e Sigurimit dhe është bërë për arsyetuar pagat dhe financat e atyre që paguheshin nga ky buxhet.

“Standardi që Eulexi apo trupi gjykues me përbërje me shumicë të Eulexit, ka përdorur për vërtetimin e gjendjes faktike konsiston në dyshimin e arsyeshëm se të akuzuarit, pra përtej dyshimit të arsyeshëm është provuar fajësia për transplantet. Një standard të tillë, Kodi nuk e lejon dhe ky nuk është gabim teknik apo gjuhësor por është ekzaktësisht i shprehur në aktgjykim që e kemi në dy gjuhë”, tha Berisha

Përveç se ky standard i përdorur nga Eulexi është minimal, Berisha tha se të njëjtit i mungon edhe përshkrim i veprimeve të Lutfi Dervishit.

Faktin se shkalla e parë, Lutfi Dervishin në njërën anë e ka përshkruar si një anëtar të grupit kriminal kurse në anën tjetër, për të njëjtin thotë, se vet ka rekrutuar shtatë persona dhurues, pastaj ka bërë reklamimin në internet, ka kontaktuar me pacientët, i ka strehuar ata, i ka bartur nga aeroporti, e të tjera, sipas avokatit Berisha, është një gjë kontradiktore.

“Pra në qoftë se se ky dispozitiv flet se gjithçka e paska kryer zotëri Dervishi, atëherë kush është krimi i organizuar, kush është grupi i strukturuar, kush janë rolet e ndara, kush është misioni i atij grupi?”, vazhdoi Berisha.

Shkelje tjetër që sipas Berishës ka bërë shkalla e parë, është edhe fakti se disa dëshmitarë nga Ë1 deri në P1, nuk janë ftuar të dëshmojnë, por dëshmitë e tyre janë lexuar dhe atë, me arsyetimin se misioni i Eulexit përfundon shpejt.

Për të gjitha këto shkelje të cilat i ceki avokati Berisha, i njëjti i propozoi kolegjit të Apelit që të anulojë aktgjykimin e shkallës së parë dhe rastin ta kthej në rigjykim.

I shkurt në deklarimin e tij para kolegjit të Apelit, ishte vet i akuzuari Dervishi, i cili tha se asnjëherë nuk i ka ikur ligjit, kurse për Eulexin tha se ka përdorur një lojë fjalësh por të pabazuara në asnjë fakt.

“Jam shumë i interesuar që e vërteta të del në shesh. Nga ana ime nuk ka pas keqpërdorim të pacientëve. Besoj në drejtësi”, tha Dervishi.

Mbrojtësi i të akuzuarit tjetër në këtë rast, Sokol Hajdinit, avokati Ramë Gashi, tha se në bazë të aktgjykimit, periudha kohore për të cilën akuzohet i mbrojturi i tij, përfshinë kohën nga 1 maji 2008 deri më 31 tetor 2008, e që nga ajo kohë deri më sot, avokati Gashi tha se ka arritur afati i parashkrimit absolut i veprës penale.

“Kjo vepër penale me ligj parashihet dënimi nga 6 muaj deri në 5 vjet dhe bazuar në nenin 90 paragrafi 1, pika 4 lidhur me dispozitën e nenit 91, paragrafi 6 të KPK-së, por edhe sipas dispozitave mbi parashkrimin të ndjekjes penale të KPRK-së, në rastin konkret ndaj Sokol Hajdinit ndjekja penale duhet të ndalohet”, tha Gashi.

Në anën tjetër, Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese dërguar gjykatës së shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që të refuzon ankesat e mbrojtësve të të akuzuarve.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 15 tetor 2010 kishte ngritur aktakuzë kundër urologut Lutfi Dervishi, djalit të tij Arban Dervishi, mjekëve Driton Jilta dhe Sokol Hajdini, si dhe ish-sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, Ilir Rrecaj. Pas 5 ditësh, më 20 tetor, ishte ngritur aktakuzë edhe kundër mjekëve Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla. Që të dyja këto ishin bashkuar në një aktakuzë të vetme më 29 nëntor 2010, dhe janë konfirmuar me 27 prill 2011.

Pas 106 seancave gjyqësore të mbajtura, Gjykata Themelore në Prishtinë më 29 prill 2013 kishte shpallur verdiktin final për këtë rast. Sipas atij aktgjykimi, Lutfi Dervishi ishte dënuar me 8 vjet burg e 10 mijë euro për veprat penale të “trafikimit me njerëz në bashkë-kryerje” dhe “krimit të organizuar”, ndërkaq ishin refuzuar akuzat për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, “lëndim të rëndë trupor”, “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve”. Të njëjtit i  ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit nga ushtrimi i profesionit të urologut në kohëzgjatje prej dy vitesh. Për të njëjtat vepra penale ishte dënuar edhe djali i tij Arban Dervishi, me 7 vjet e 3 muaj burg dhe me 2.500 euro gjobë. Ndërkaq i njëjti ishte liruar nga akuzat për “lëndim të rëndë trupor”, kurse akuzat për “mashtrim” dhe “falsifikim të dokumenteve” u refuzuan.

Me atë aktgjykim, Sokol Hajdini ishte liruar nga akuza për “krim të organizuar”, por ishte dënuar për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” me 3 vjet burg. Ndaj të njëjtit, ishte shqiptuar edhe dënimi plotësues i ndalimit të ushtrimit të profesionit të anesteziologut në kohëzgjatje prej 1 viti. Kurse, akuzat për “trafikim me njerëz” dhe “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”, ishin refuzuar.

Anesteziologët Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla ishin shpallur fajtorë për veprën penale “lëndim i rëndë trupor” dhe ishin dënuar me burgim me kusht për një vit, ndërkaq ndaj tyre ishte refuzuar akuza për “ushtrim të kundërligjshëm të veprimtarisë mjekësore”.

Në fund, ish-sekretari permanent në Ministrinë e Shëndetësisë, Ilir Rrecaj ishte shpall i pafajshëm për “shpërdorim të pozitës zyrtare apo autorizimeve”, përderisa akuza për “falsifikim të dokumenteve zyrtare” ishte refuzuar. Ndërkaq, Driton Jilta i pati shpëtuar dënimit, pasi veprat për të cilat ai akuzohej “ushtrim i kundërligjshëm i veprimtarisë njerëzore” dhe “shpërdorim i pozitës zyrtare apo autorizimeve” ishte vjetërsuar.

Tutje, me 25 nëntor 2013, Gjykata Themelore kishte urdhëruar mbylljen dhe konfiskimin e Klinikës “Medicus”.

Ndaj këtyre dy vendimeve, mbrojtësit e pesë të dënuarve dhe prokurori kishin paraqitur ankesë në Gjykatën e Apelit. Kjo e fundit, më 6 nëntor 2015 kishte shpallur aktgjykim, sipas të cilit vërtetohen dënimet e të pandehurve dhe lirohet objekti i klinikës “Medicus” me arsyetimin se nuk ka bazë për konfiskim.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës së Apelit, përveç që dërgohen në burg tre të akuzuarit kryesor të këtij rasti, për dy prej tyre kishte rritur dënimet deri në dy vjet.

Arban Dervishi nga 7 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë, dënohet me 8 vjet burgim, si dhe Sokol Hajdini nga 3 vjet sa ishte dënuar nga shkalla e parë vetëm për “lëndim të lehtë trupor”, dënohet me 5 vjet burgim, duke u shpallur fajtor edhe për “krim të organizuar”.

Ndërkaq, dy të dënuarit me kusht nga shkalla e parë, Islam Bytyqi dhe Sulejman Dulla, ishin shpallur të pafajshëm nga shkalla e dytë.

Më 5 prill 2016, mbrojtësi i Lutfi Dervishit, avokati Linn Slattengren kishte kërkuar nga Gjykata Supreme  që të pezullojë zbatimin e aktgjykimeve të kundërshtuara, e cila kërkesë ishte refuzuar më 16 prill të po atij viti.

Njëkohësisht me kërkesat për mbrojtjen e ligjshmërisë, Sokol Hajdini dhe Lutfi Dervishi kishin parashtruar ankesa kundër aktgjykimit të Gjykatës së Apelit. Me një vendim të marrë më 26 maj 2016, Gjykata Supreme kishte hedhur ankesën e Lutfi Dervishit si të palejuar.

Më 20 shtator 2016, Gjykata Supreme, duke vendosur sipas kërkesave të mbrojtësve të akuzuarve, e kishe kthyer në rigjykim rastin ndaj Lutfi Dervishit dhe Sokol Hajdinit, kurse ndaj të akuzuarve të tjerë ishin vërtetuar aktgjykimet.

Ndryshe, emri i kësaj klinike kishte zënë hapësirë të madhe edhe në raportin e senatorit zviceran, Dick Marty. /Betimipërdrejtësi