Rasti i të akuzuarve për keqpërdorim dhe tregti të ndaluar me medikamente kalon në shqyrtim kryesor

Raporton: Gita LUSHI

Prishtinë –  Riza Brahimi dhe  Ivica Stanojkoviq të akuzuar për veprat penale “tregti e ndaluar” dhe “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” kanë vazhduar të  mohojnë akuzat që rëndojnë mbi ta.

Në shqyrtimin dytësorë të mbajtur të hënën në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ata janë deklaruar të pafajshëm, duke kundërshtuar aktakuzën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, e cila përfaqësohet nga prokurorja  Merrushe Llugiqi. Ndryshe, kundërshtimi i tyre, sipas kryetares së trupit gjykues, Nora Bllaca nuk është bërë me shkrim. Në konsultim me palët, gjykatësja Nora Bllaca caktoj seancën e radhës të shqyrtimit kryesor në këtë rast më 26 tetor 2016 në ora 9:30.

Ndërkohë, pjesë e kësaj aktakuze ka qenë edhe tashmë i ndjeri Naser Stublla, ndaj të cilit prokuroria  ka nxjerr aktvendim të veçantë për pushimin e procedurës penale.

Sipas aktakuzës së ngritur më 14 prill 2014, i ndjeri  Naser Stublla bashkë me të akuzuarin Riza Brahimi më 26 janar 2014,  në udhëkryqin e Lipjanit, me autobusin e Agjensionit Turistik NTT “Era Tours”, pronar i të cilit ishte i ndjeri Stublla,  janë ndalur dhe kontrolluar nga ana e Njësitit Anti-kontrabanda Qendrore në Prishtinë (AKQ.

Me këtë rast sipas aktakuzës është vërtetuar se i ndjeri Naser Stublla dhe i pandehuri Riza Brahimi pa autorizim kanë blerë dhe bartur me autobus më qëllim për t’i shitur 57 lloje të barnave- medikamenteve si dhe artikuj ushqimor të llojit kakao pluhur me sasi prej 1000 kilogramëve, me vlerë të përgjithshme prej 8584.36 euro.

Këtë mall, sipas prokurorisë, të pandehurit e kanë sjellë nga Maqedonia, duke e kaluar në pikën e kalimit kufitar në Gllaboqicë, edhe pse për të njëjtin nuk kanë pasur autorizim dhe dokumentacion të nevojshëm, mirëpo nga zyrtari doganor Ivica Stanojkoviq janë lejuar të kalojnë pa i kryer obligimet doganore, me ç ‘rast Doganës së Kosovës, i kanë shkaktuar dëm në vlerë prej 2369,36 euro.

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë