Rasti i të akuzuarit Hasan Hoti: Mbrojtja konteston ekspertizën financiare, gjykata urdhëron plotësimin e saj

Raporton: Adem KRASNIQI

Gjakovë, 5 shkurt 2016 – Ekspertiza financiare e Ali Shijakut është sfiduar ashpër nga mbrojtja në seancën gjyqësore të mbajtur të premtën në Gjykatën Themelore në Gjakovë kundër të akuzuarit Hasan Hoti. Ky i fundit, sipas aktakuzës së prokurorit Ali Uka, akuzohet se kishte keqpërdorur detyrën zyrtare derisa kishte ushtruar pozitën e zyrtarit për paga dhe pagesa në Kuvendin Komunal të Rahovecit. Aktakuza e ngarkon Hotin se gjatë periudhës kohore prej tetorit 2010 deri më 22 prill 2014 se kishte keqpërdorur pozitën zyrtare, duke paguar fatura të rrymës të dy shpenzuesve privat të energjisë elektrike, Gani Gashi dhe Nazmi Hajdës, të dy nga Rahoveci. Këto fatura i akuzuari Hoti i kishte paguar nga buxheti i Komunës së Rahovecit, duke dëmtuar buxhetin e komunës në shumën prej 2.371.90 euro.

Gjatë seancës të së premtes, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Nikollë Komani, ka bërë leximin e një sërë provash rreth këtij rasti, kryesisht fatura të KEDS-it në periudha të ndryshme kohore si dhe konstatuan leximin e ekspertizës financiare. Kjo e fundit, ishte përpiluar duke u bazuar në dokumentacion të fotokopjuar dhe jo në dokumentacion burimor apo origjinal. Mbrojtësi i të akuzuarit Hoti, avokati Teki Bokshi, theksoi se ka vërejtje në këtë ekspertizë pasiqë e njëjta nuk është bërë në përputhje me ligjin, duke u bazuar në dokumentacion autentik. Bokshi ka propozuar që kjo ekspertizë të plotësohet me dokumente shtesë origjinale për tu eliminuar të gjitha mangësitë që janë shfaqur në raportine ekspertit financiar.

Bilbil Oruqi, përfaqësues i autorizuar i palës së dëmtuar, në këtë rast Komunës së Rahovecit, nuk e ka kundërshtuar propozimin e avokatit për të nxjerrë provat origjinale, ndërsa ka njoftuar se Komuna e Rahovecit, ka pritur vendimin e gjykatës për vazhduar tutje me procedurat tjera për tu kompensuar dëmi.

Prokurori i rastit, Ali Uka, tha se dokumentacioni origjinal është siguruar me kërkesë të tij përmes Njësitit për Krime Ekonomike dhe Korrupsion në Prizren dhe se i njëjti dokumentacion është urdhëruar nga gjykata që të vihet në dispozicion të eskpertit financiar.

Trupi gjykes mori vendim që të lëshohet urdhëresë e veçantë ku përcaktohen detyrat specifike që eksperti financiar duhet t’i përmbushë me rastin e hartimit të ekspertizës plotësuese.

Seanca e radhës është shtyrë për kohë të pacaktuar, derisa eksperti financiar të përfundon plotësimin e ekspertizës dhe më pas do të ftohen të gjitha palët përmes ftesave të rregullta.

 

 

 

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë