Rasti i Shukri Bujës, e akuzuara thotë kishte pranuar një urdhëresë nga kryetari Buja për bartjen e pronave në emër të Ferronikelit

Lavdim Bajraktari - Rasti Shukri Buja dhe te tjeret - 20.07.2018
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Korrik 20, 2018

Prishtinë – Të premten, në Gjykatën Themelore në Prishtinë, ka vazhduar marrja në pyetje e të akuzuarve në rastin ku ish-kryetari i Komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe tetë zyrtarë të kësaj Komune, po përballen me akuza  për vepra që lidhen me korrupsion.

I akuzuar në këtë rast është edhe biznesmeni Fahri Retkoceri.

Mbrojtjen e saj në seancën e së premtes e dha Magbule Sadiku, zyrtare në Drejtorinë për Gjeodozi dhe Kadastër në Komunën e Lipjanit.

Duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Agron Bajrami, e akuzuara Sadiku tha se kishte pranuar një urdhëresë nga ana kryetarit Buja dhe zyrtarit për çështje pronësore Nebih Zeqiri, në lidhje me bartjen dhe regjistrimin e pronave të zonës kadastrale, Magure dhe Medvec, në emër të kompanisë së Ferronikelit.

“Po ka qene një urdhërese që është dërguar, përmes se cilës është kërkuar veprimi konkret, që të bëhet regjistrimi dhe bartja e pronave ne emër të Ferronikelit dhe njëkohësisht është shkruar në urdhërese që janë kryer të gjitha obligimet financiare ndaj të gjithë ish-pronarëve”, tha Sadiku në fjalën e saj.

Një urdhëresë të tillë, Sadiku tha se nuk kishte ndodhur që të pranonte asnjëherë më parë.

Mirëpo siç tha Sadiku, edhe po të mos i vinte një urdhëresë e tillë, vendimi në fjalë do të përpilohej nga ajo, pasi që për të refuzuar një kërkesë duhet të ketë bazë ligjore.

Urdhëresën në fjalë, e akuzuara tha se e ka kuptuar si një obligim ligjor kur për një gjë të tillë u pyet nga ana e mbrojtësit të Shukri Bujës, avokati Granit Vokshi.

Kjo përgjigje e të akuzuarës Sadiku erdhi pasi që ajo paraprakisht tregoi se në rastin konkret, Ferronikeli kishte bërë kërkesë në komunën e Lipjanit për regjistrimin e këtyre pronave të shpronësuara në emër të Ferronikelit, e ku në atë kërkesë kishte bashkangjitur edhe dokumentacionin e nevojshëm.

Mirëpo, kur u pyet nga ana e prokurorit Bajrami se a kanë qenë në këtë kërkesë të bashkangjitura edhe dëshmitë mbi pagesën për kompensimin e këtyre pronave, Sadiku tha se legjislacioni në fuqi nuk e kishte paraparë kërkimin e dëshmisë së pagesave te kompensimeve te aktet administrative, e as te aktet gjyqësore.

Për aktet të cilat i ka nxjerrë Drejtoria për Gjeodozi dhe Kadastër, ku e akuzuara Sadiku punon, e njëjta tha se nuk ka qenë e obliguar që të nënshkruajë edhe ajo si nëpunëse.

Sa i përket vendimit mbi eksproprijim të lëshuar nga Komuna e Lipjanit në emër të Ferronikelit, e për të cilën akuzohet edhe Sadiku, e akuzuara tha se e kishte ndier si presion faktin që ishte thirrur që të nënshkruante vendimin gjatë kohës së pauzës.

“Jo, veç ashtu siç kam thëne me parë, jam thirr në kohë të pauzës nga drejtori i Drejtoriatit, Halit Gashi, për të hapur zyrën dhe nënshkruar vendimin. Ketë e konsideroj si lloj presioni”, tha Sadiku në fjalën e saj.

Kur u pyet nga ana e mbrojtësit të saj, avokatit Isuf Bytyqi se pse ishte kërkuar nga ajo që të nënshkruajë kur nënshkrimi i saj nuk ka prodhuar ndonjë efekt juridik, Sadiku tha se një gjë e tillë, që edhe nëpunësit të nënshkruheshin, kishte qenë praktikë në Komunën e Lipjanit.

E pikërisht ngutia e nënshkrimit të këtij vendimi, Sadiku tha se është njëra ndër arsyet se pse vendimi në fjalë, i nënshkruar, i ishte dhënë përfaqësuesit të Ferronikelit, kurse vendimi që kishte mbetur në Komunën e Lipjanit kishte mbetur i panënshkruar.

Këtë fakt, Sadiku tha se e ka kuptuar më vonë mirëpo raste të ngjashme tha se kishte pasur edhe më vonë.

Mbrojtjen e tij në seancën e së premtes e dha edhe Hasim Viseshella, i cili akuzohet për vepra korruptive të kryera në cilësinë e shefit për planifikim dhe urbanizëm në Komunën e Lipjanit.

Lidhur me lejen e ndërtimit për objektin e Fahri Retkcoerit, që ceket në aktakuzë, Viseshella tha se vetëm ka bërë përgatitjen teknike të lëndës dhe pastaj lënda i është dorëzuar Drejtorisë së Urbanizmit.

I akuzuari Viseshella tha se nuk ka pasur asnjë presion për marrjen e një vendimi të tillë, edhe pse e pranoi se ishte thirrur në telefon nga ana e Fahri Retkocerit nga i cili ishte kërkuar përshpejtimi i procedurave për leje.

E vet i akuzuari Fahri Retkoceri, kur i erdhi radha që të jap mbrojtjen e tij, tha se pas konsultimit me mbrojtësin e tij, ka vendosur që të mbrohet në heshtje.

Po ashtu, të premten përfundoi marrja në pyetje edhe e të akuzuarit Edmond Hoxha, ish-drejtor në Drejtorinë e Urbanizmit në Komunën e Lipjanit.

Rexhepi në mbrojtjen e tij, e dha një shpjegim të detajuar të mënyrës së si është e rregulluar procedura e dhënies së lejeve urbane dhe ndërtimore.

“Me 1 qershor 2010 pala ka bërë kërkesë për revidimin e planit urban. Me marrjen e kërkesës nga pala është bërë inspektimi i lokacionit ku pala ka bërë kërkesë për revidim dhe është vërtetuar se mund të procedohet shqyrtimi i lëndës. Pastaj është analizuar në aspektin e planifikimit urban lidhur me atë lokacion dhe gjatë asaj analize është konstatuar mos përshtatja e destinimit të lokacionit ku me planet rregulluese dhe urbane në fuqi ajo zonë ka qenë zonë ekonomike. Me 2 korrik 2011, nga drejtorati ynë, është marrë aktvendim për refuzimin e lëndës me arsyetimin e mos përshtatjes së destinimit të parcelës”, deklaroi Rexhepi.

Pas refuzimit, Rexhepi tha se Fahri Retkcoeri i ishte drejtuar me kërkesë Kuvendit Komunal të Lipjanit, për ridestinim të asaj zone, nga zonë ekonomike në zonë ndërtimore, e cila kërkesë në një mbledhje të mëvonshme edhe ishte miratuar nga ai Kuvend.

“Leja ndërtimore për objektin në fjale është dhëne sipas kushteve ndërtimore të projektit i cili është miratuar nga Kuvendi Komunal. Nuk kemi marr vërejtje për vendimin e marr për lejen ndërtimore”, tha Rexhepi.

Tutje, Rexhepi tha se për objektet që janë në ndërtim e sipër, nuk lejohet lëshimi i lejeve.

Pas kësaj përgjigje, prokurori Bajrami e pyeti Rexhepin nëse kishte qenë në dijeni se objekti në fjalë kishte qenë në ndërtim e sipër kur ishte lëshuar leja, mirëpo Rexhepi e mohoi se kishte qenë në dijeni për një gjë të tillë.

Seanca e radhës për këtë rast, ku do të vazhdoi marrja në pyetje edhe e tre të akuzuarve të fundit, u caktua të mbahet më 13 shtator në ora 9:00.

Ndryshe, aktakuza e ngritur nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) bashkë me Bujën akuzon edhe tetë zyrtarë të Komunës së Lipjanit dhe një biznesmen.

PSRK ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqiri – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të  Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

Sipas Prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës  iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, Prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.