Rasti i padisë për shpifje, Ramush Haradinaj e Gazmend Muhaxheri sërish shmangin përballjen në gjykatë

Ramushi
Author

Raporton: Rita MAZREKAJ

Tetor 10, 2018

Pejë – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj dhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, sërish kanë shmangur përballjen e tyre në gjykatë.

Haradinaj në vitin 2015, kishte ushtruar padi ndaj Muhaxherit, me pretendimet se kryetari i Pejës, në një intervistë për gazetën austriake “Der Standard”, kishte thënë se Haradinaj po bënë para duke kontrolluar biznesin e naftës dhe lojërave të fatit.

Haradinaj e Muhaxheri, as në seancën e së mëkrurës në Gjykatën Themelore në Pejë, nuk kanë marr pjesë, derisa ky proces gjyqësor ka vazhduar vetëm me përfaqësuesit e tyre, avokati Arianit Koci, që përfaqëson Haradinajn, kurse, avokati Besnik Berisha që përfaqëson Muhaxherin.

Kjo seancë është duke vazhduar.

Deri më tani, Ramush Haradinaj e Gazmend Muhaxheri kanë shmangur përballjen në gjykatë, pasi që të dy vazhdimisht kanë munguar në seancat e caktuara, derisa shumë prej tyre kanë dështuar të mbahen.

Edhe seanca e paraparë të mbahej më 9 korrik 2018, kishte dështuar për shkak të grevës që në atë kohë ishin futur stafi i gjykatave dhe prokurorive në nivel vendi.

Haradinaj e Muhaxheri, kishin munguar edhe në seancën përgatitore të mbajtur më 5 qershor të këtij viti.

Në këtë seancë, Haradinaj ishte përfaqësuar nga avokati Arianit Koci, ndërsa kishte munguar edhe avokati i Muhaxherit, Besnik Berisha.

Gjykatësja Ganimete Puka, kishte deklaruar se i padituri Muhaxheri, e ka njoftuar gjykatën se ai nuk ka pasur mundësi të vijë në seancë për arsye objektive.

Gjatë seancës përgatitore, përfaqësuesi i paditësit, Ramush Haradinaj, avokati Arianit Koci, kishte deklaruar se i padituri Gazmend Muhaxheri në prononcimin e tij në gazetën austriake “Der Standard”, më 11 prill 2015, ka shpifur ndaj paditësit Ramush Haradinaj, me ç’rast sipas tij, është dëmtuar reputacioni i paditësit Haradinaj.

Kurse, në përgjigjen në padi të paditurit Muhaxheri, të dhënë me 21 janar 2018, theksohet se i padituri e konteston në tërësi padinë dhe kërkesën e saj si të pabazuar dhe përmes përgjigjes ka propozuar të dëgjohet në cilësinë e dëshmitares gazetarja e gazetës austriake “Der Standard”, Adel Heit Volf.

Përfaqësuesi i paditësit Ramush Haradinaj, avokati Koci lidhur më përgjigjën në padi, kishte deklaruar se pretendimi i të paditurit Gazmend Muhaxheri se është keqkuptuar dhe keqinterpretuar në atë artikull është një tentim i pasuksesshëm për tu shfajësuar.

Gjykatësja Puka, kishte marr aktvendim me të cilën ishte aprovuar propozimi i të paditurit për leximin e artikullit të gazetës “De Standard” , po ashtu edhe artikullin e publikuar në portalin “Dialog Plus”.

Ndërkaq, kishte refuzuar propozimin e të paditurit Gazmend Muhaxheri që në cilësinë e dëshmitarit të procedohet gazetarja Adel Heit Volf, me arsyetimin se dëshmia e saj është irrelevante.

Ndryshe, sipas padisë së ushtruar më 3 nëntor 2015, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj si paditës, pretendon se është fyer dhe i është cenuar personaliteti dhe prestigji i tij, nga i padituri Gazmend Muhaxheri, kryetar i Komunës së Pejës, në intervistën e dhënë në gazetën austriake “De Standard”.

Sipas pretendimeve të padisë, i padituri Muhaxheri gjatë një interviste të dhënë në të përditshmen austriake “Der Standard”, me një gjuhë denigruese për Haradinajn ka shpifur duke e ndërlidhur të njëjtin më biznese të pompave të benzinës dhe me lojërat e fatit, po ashtu edhe me disa përleshje që kane ndodhur pas luftës në Kosovë.