Rasti i MTPT-së: Avokati Khan kërkon përjashtimin e kryetares së trupit gjykues, dyshon në anshmërinë e saj
Raporton : Adem KRASNIQI
Prishtinë – Në seancën e së premtes të mbajtur në Gjykatën Themelore në Prishtinë, avokati i Fatmir Limajt, Karim Khan, kërkoi që të përjashtohet kryetarja e trupit gjykues Maria Tuma. Ai këtë kërkesë e arsyetoi me faktin se gjyqtarja Tuma kishte qenë e pjesë e Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, e cila i kishte ndjekur penalisht ish-komandantët e UÇK-së Ramush Haradinaj e Fatmir Limaj.
Avokati Khan, tha se për këtë arse po dyshon që gjyqtarja Tuma është e njëanshme dhe si pasojë ka ndikuar edhe në anëtarët e tjerë të trupit gjykues, për të cilët tha se nuk beson se edhe ata janë të paanshëm.
Në anën tjetër, prokurori Charles Hardaway, e kundërshtoi kërkesën e avokatit Khan, duke thënë se nuk ka bazë ligjore. Ai paralajmëroj se në seancën e radhës, prokuroria do ta kundërshtojë këtë kërkesë me shkrim.
Në seancën e 13 shtatorit, prokurori Hardaway kishte kërkuar përjashtimin e mbrojtjes së Nexhat Krasniqit, avokatin Florent Latifaj, i cili njëkohësisht është edhe avokat mbrojtës i Adem Grabovcit, i cili pritet të thirret në cilësinë e dëshmitarit për rastin MTPT.
Gjykatësja Tuma tha se për përjashtimin e avokatit Florent Latifaj, do të marrin vendim seancën e radhës e cila u caktua të mbahet më 5 tetor 2016 në ora 10:00.
Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës përfshihen pesë persona të akuzuar për keqpërdorime, marrje e dhënie ryshfeti dhe vepra të tjera, lidhur me disa tenderë që lidhen me ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomunikacionit (MTPT).
Ndër ta janë ish Ministri i MTPT-së, Fatmir Limaj, ish-Drejtori i prokurimit Nexhat Krasniqi, Endrit Shala, Shpëtim Telaku dhe Florim Suka.