Rasti i grabitjes në Istog ku mbeti i vrarë polici, njëri i akuzuar pranon se ndihmoi grabitësin, për tjetrin pushojnë hetimet

Ujkan foto
Author

Raporton: Driton NOCAJ

Mars 13, 2019

Pejë – Fajtor është deklaruar Ujkan Metaj, i cili akuzohet se e kishte ndihmuar tani të ndjerit Kamer Metaj, për të kryer grabitjen e bankës në Istog, ku si pasojë e kësaj, ishte vrarë polici Izet Demaj.

Gjatë kësaj grabitjeje, gjatë shkëmbimit të zjarrit me pjesëtarë të policisë, kishte mbetur i vdekur edhe grabitësi Kamer Metaj.

Në shqyrtimin fillestar, të mbajtur të mërkurën në Gjykatën Themelore në Pejë, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Sahide Gashi, i akuzuari Metaj, që është kushëriri i tani të ndjerit Kamer Metaj, ka thënë se e pranon fajësinë dhe se shpreh keqardhje për rastin që ka ndodhur.

Më pas, prokurorja Gashi, ka thënë se pajtohet me pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit Metaj, pasi që sipas saj, të gjitha provat materiale nga aktakuza e vërtetojnë përtej çdo dyshimi se i akuzuari e ka ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, për të kryer grabitjen.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të pandehurit, avokati Arben Kelmendi, ka deklaruar se klienti i tij, e kishte pranuar fajësinë me vullnet, duke shtuar se ai ka shprehur keqardhje për rastin e ndodhur.

Përfaqësuesi i viktimave Demë Hasani, ka theksuar se kanë kontaktuar me familjen e policit Demaj, për përpilimin e deklaratës së dëmit.

Kryetarja e trupit gjykues, Lumturije Muhaxheri, e ka miratuar pranimin e fajësisë nga ana e të akuzuarit.

Ndryshe, në këtë rast për ndihmë në kryerjen e kësaj grabitje, ka qenë i akuzuar edhe vëllai i tani të ndjerit Kamer Metaj, Ylber Metaj, mirëpo ndaj tij kanë pushuar hetimet.

Prokurorja Sahide Gashi, ka thënë për “Betimi për Drejtësi”, se me asnjë provë nuk është vërtetuar se ai ka qenë i përfshirë në këtë rast.

Shpallja e aktgjykimit ndaj të akuzuarit Ujkan Metaj, është caktuar të bëhet më 15 mars 2019, në ora 09:45.

Ndryshe, sipas aktakuzës të Prokurorisë Themelore në Pejë, të ngritur më 15 shkurt 2019, e akuzon Ujkan Metaj se me 27 dhjetor 2018, rreth orës 14:30, në Istog, në filialin e “NLB Bank”, me dashje e ka ndihmuar të dyshuarin tani të ndjerë Kamer Metaj në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabiqare.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Ujkan Metaj, ngarkohet se me veturën e tani të ndjerit Kamer Metaj, të cilin e dërgon tek rruga “Kadri Keqa”, në Istog, ndërsa pasi i dyshuari Kamer Metaj del nga vetura i armatosur për të kryer grabitjen, i akuzuari Ujkan Metaj kthehet në fshatin Shushicë.

Sipas aktakuzës, i akuzuari kishte ndihmuar tani të ndjerin Kamer Metaj, ku i njëjti më pas kishte hyrë në bankën “NLB” dhe nën kërcënimin e armës kishte grabitur shumën prej 3636 euro, ndërsa pasi polici Izet Demaj e urdhëron të ndalojë, i akuzuari ka shtënë në drejtim të tij duke i shkaktuar policit Demaj plagë të rënda ku ndërron jetë.

Ndërkaq, policia gjatë shkëmbimit të zjarrit e ka goditur për vdekje tani të ndjerin Kamer Metaj. /BetimipërDrejtësi