Rasti i Badivukut: Dëshmitarët kritikojnë prokurorin Shala për ndërhyrje në deklarimet e të akuzuarëve

Raporton: Hyrije MEHMETI

Prishtinë, 10 shkurt 2016 – Një nga katër dëshmitarët e marrë në pyetje gjatë seancës së parë të shqyrtimit kryesor në çështjen penale kundër prokurores Vahide Badivuku dhe dy të akuzuarve tjerë Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, ka deklaruar se prokurori i çështjes Admir Shala kishte ndërhyrë në deklaratën e të akuzuarit Smakolli të cilën e kishte dhënë në prokurori gjatë vitit 2015.
Edhepse i propozuar nga vetë prokurori Shala, dëshmitari Mursel Uka, në seancën e së mërkurës të zhvilluar në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin e njohur të prokurores Vahide Badivuku, iu ka kundërvënë atij rreth dëshmisë së dhënë.

Gjatë dëshmisë së tij dëshmitari Uka tha se në lidhje me çështjen e arrestimit të të akuzuarit Kelmendi, kishte biseduar me të akuzuarin tjetër Isak Smakolli. Sipas tij, Isak Smakolli, i kishte thënë dëshmitarit Uka se gjatë dhënies së deklaratës së tij në prokurori, ai nuk e kishte përmendur emrin e të akuzuarit Idriz Kelmendi si i përfshirë në këtë çështje. Madje, dëshmitari tha se, sipas Smakollit, prokurori Shala i kishte thënë atij që ta përmendte Idriz Kelmendin. “Isaku më ka thënë se në fillim nuk e kam përmend emrin e Idrizit, por gjatë procesit prokurori i ka thënë që ta përmend emrin e Idrizit” është shprehur dëshmitari Uka. Për më tepër, Smakolli i kishte thënë atij se nuk ka rëndësi se kush është i përfshirë, por fakti se e ka marrë në qafë një person, i cili nuk ka të bëjë me këtë punë.

Këtë dëshmi të dëshmitarit Uka e ka kundërshtuar prokurori special, Admir Shala, duke kërkuar nga kryetari i trupit gjykues që ta fshijië këtë pyetje dhe përgjigje nga procesverbali i kësaj seance, me arsyetimin se i akuzuari Smakolli është marrë 2-3 herë në pyetje dhe asnjëherë nuk e ka thënë të vërtetën. Mirëpo, Uka, në fund të dëshmisë së tij thekson se e gjithë deklarata e tij është e vërtetë, dhe në rast se provohet e kundërta, kërkon që po i njëjti trup gjykues ta dënojë atë edhe me 50 vite burgim.

Gjatë këtij shqyrtimi, janë marrë në pyetje edhe tre dëshmitarë të tjerë, prej të cilave dy të propozuar nga prokurori special dhe tjetri i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarës Vahide Badivuku.
Dëshmitari Arton Hasani, gjatë marrjes në pyetje ka deklaruar se të akuzuarit Smakolli i ka dhënë në total 33 mijë euro ryshfet, 10 mijë euro për lirimin e familjarëve të tij nga masa e paraburgimit, dhe 22 mijë euro tjera për kthimin e mjeteve të sekuestruara, çështje të cilat kishin të bënin me një procedurë penale ku të pandehur përveç dëshmitarit ishin edhe Esan, Hasan dhe Driton Hasani, ndërsa prokurore e rastit ishte Vahide Badivuku. Hasani ka shpjeguar se këtë shumë të parave e kishte paguar tek Smakolli, pasi nuk kishte mundur t’i kryente punët përmes avokatit të tij. “Nuk e di se ku kanë përfunduar ato para, as për shumën 10 mijë euro e as për 22 mijë”, ka shtuar ai. Tutje dëshmitari ka theksuar se Smakolli nuk e kishte përmendur asnjëherë emrin e të akuzuarit Kelmendi.

Ndërkaq, dëshmitari Avni Ferizi, gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar se prokuroren Badivuku e njeh që disa vite, dhe se ka pasur disa raste kur ajo ka marrë hua nga ai, por asnjëherë gjatë  kohës kur ka qenë prokurore. Ferizi shpjegon se huatë nuk kanë pasur të bëjnë me shuma të mëdha, ashtu siç janë të cekura në aktakuzë, por në vlerën nga 500 e deri në 1 mijë euro.
Gjatë kësaj seance në cilësi të dëshmitari është dëgjuar edhe Besim Maliqi, i propozuar nga mbrojtja e të akuzuarës Vahide Badivuku. Maliqi ka deklaruar lidhur me rrethanat e arrestimit të prokurores në fjalë, duke theksuar se policët civilë nuk kanë shpjeguar arsyet e kontrollimit të udhëtarëve gjatë kohës kur e akuzuara po udhëtonte për në Austri. Përveç kësaj, ata as nuk i kanë njoftuar për ndalimin e një udhëtareje, por këtë e kanë vërejtur pasi janë nisur për destinacionin e tyre.
Vahide Badivuku, Idriz Kelmendi dhe Isak Smakolli, më 17 nëntor të vitit 2015 akuzohen nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës me arsyetimin se kanë kryer veprat penale si marrja e ryshfetit, keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe ushtrimi i ndikimit.
Seanca e radhës është caktuar të mbahet të enjtën më 11 shkurt 2015 me fillim nga ora 10:00, ku palët do të paraqesin propozimet e tyre për dëshmitarë apo prova shtesë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë