Rasti i të akuzuarit Mehdi Ugzmajli drejt fundit

Diana BERISHA

Ferizaj, 5 shkurt 2016 – Për pesë orë me radhë në seancën gjyqësore të mbajtur në Gjykatën Themelore në Ferizaj, eksperti i gjeodezisë Hamit Basholli u sfidua nga pyetjet e shumta nga prokurori, pala e dëmtuar, mbrojtja dhe trupit gjykues. Sfidat e shumta nuk mjaftuan që të qartësohet sa duhet situata rreth problemeve pronësore dhe raportit të ekspertit në lidhje me këtë rast.

Sipas aktakuzës së prokurorit, Rasim Maloku, në këtë rast, akuzohet Mehdi Ugzmajli, i cili më 4 tetor 2014 si person zyrtar në Zyrën Kadastrale në Komunën e Ferizajt kishte regjistruar një informatë të rreme rreth të drejtave mbi pronën e paluajtshme me çka kishte kryer veprën penale të falsifikimit të dokumentit zyrtar.

Në seancën e së premtës, kryetari i trupit gjykues Musa Kongjeli, ka ftuar ekspertin e gjeodezisë Hamit Basholli që të prezantoj ekspertizën e tij. Basholli ka elaboruar raportin e ekspertizës, për të cilën tha se ka pasur vështirësi të shumta që të arrijë ta analizojë çështjet e kadastrit, sistemit kadastral dhe përmbajtjen e tij. “Për shkak të mungesës së të dhënave kadastrale, Komuna e Ferizajit ka hasur në probleme të shumta për gjetjen e tyre sa i përket zhvillimeve, të cilat kanë ndodhur para luftës, përkatësisht në vitet 1995 – 1997”.

Eksperti Basholli tha se për këtë lëndë nuk ka asnjë dokument përkatës dhe asnjë fletëposedim kadastral që do të mund të ekzekutohej si veprim i viteve të mëparshme.  “Konsideroj se vetëm më kaq pak prova që janë në posedim është e pamundur të jepet një konstatim real apo i precizuar qartë për saktësimin e parcelës edhe pse në dokumentacionin e kësaj lënde ekzistojnë skica në bazë të së cilave bëhet kordinimi i pikave si dhe saktësimi i pronës”.

Në vazhdim eksperti është marrë në pyetje nga prokurori i rastit, Rasim Maloku, i cili kërkoj të njoftohet gjykata se si ishte bërë precizimi dhe konstatimi i kësaj ekspertize. Përgjigja e ekspertit Basholli ishte e shkurtër, duke deklaruar se çështja e sistemit kadastral në Kosovë është shumë e vështirë për tu elaboruar, pasi që ka mungesë të madhe të të dhënave për zhvillimet e ndarjes së ngastrës kadastrale.

Në pyetjen e trupit gjykues se a janë të drejtat dhe detyrimet e pronarëve në përputhje me parcelat kadastrale, eksperti Basholli theksoi se nuk është në gjendje të përgjigjet meqenëse ka hasur në shumë pa qartësi si pasojë e mungesës së shkresave të lëndës.

Në shumicën e pyetjeve që iu shtruan ekspertit të gjeodezisë Hamit Basholli, përgjegjet e vetme të tij ishin se për të si ekspert kishte qenë shumë e vështirë precizimi i kësaj ekspertize për shkak se kishin munguar të dhënat thelbësore, të cilat i përkasin ngastrës kadastrale për të cilën bëhej fjalë.

Epilogu i këtij rasti të ndërlikuar duket afër, pasi në seancën e radhës të caktuar më 9 mars 201 në orën 10:00, gjykata ka paralajmëruar mbajtjen e fjalëve përfundimtare dhe shpalljen e aktgjykimit.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë