Rasti “Ferronikeli”, prokuroria kërkon dënime më të ashpra për Shukri Bujën dhe të tjerët, mbrojtja lirimin e tyre nga akuzat

Shukri Buja etj.
Author

Raporton: Lavdim BAJRAKTARI

Dhjetor 15, 2020

Prishtinë – Dënime më të ashpra për ish-kryetarin e Komunës së Lipjanit, Shukri Buja dhe të akuzuarve tjerë në rastin e njohur si “Ferronikeli”, po kërkon Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK).

Po ashtu, PSRK po kërkon nga Apeli që t’i dënojë edhe tre të akuzuarit në këtë rast, Magbule Sadiku, Burim Kodra dhe Driton Avdiu, që ishin liruar nga shkalla e parë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në anën tjetër, mbrojtësit e të akuzuarve që ishin dënuar në shkallë të parë, përmes ankesave të ushtruara në Gjykatën e Apelit, i kanë propozuar kësaj të fundit që të ndryshon aktgjykimin e Themelores dhe të njëjtit t’i liron nga akuzat.

Ankesa e PSRK-së dhe ato të mbrojtësve, u shqyrtuan të martën nga një kolegj i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjyqtarët, Vaton Durguti, Kreshnik Radoniqi dhe Burim Ademi.

Gjykata Themelore në Prishtinë, më 18 shtator 2020, ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, e kishte është dënuar me dy vjet burgim për korrupsion. Ky dënim i shqiptuar ndaj tij, kishte ardhur pas rigjykimit dhe pasi që në gjykimin e parë, Buja ishte dënuar me tre vjet burgim për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fajtor për keqpërdorim të pozitës apo autoritet zyrtar ishin shpallur edhe zyrtarët tjerë komunal, Bajram Rizani, Halit Gashi, Edmond Rexhepi, kurse për marrje ryshfeti, fajtor ishte shpallur Hasim Viseshella.

Të akuzuarit Rizani, Gashi dhe Rexhepi ishin dënuar me nga gjashtë muaj burgim, mirëpo, ky dënim, me pëlqimin e tyre është zëvendësuar me gjobë në vlerë prej 2 mijë euro.

Kurse, i akuzuari Viseshella ishte dënuar me pesë muaj burgim. Edhe për këtë të akuzuar,  dënimin me burg ishte zëvendësuar në dënim në gjobë, në vlerë prej 1 mijë e 500 euro.

Ndërsa, Magbule Sadiku, Driton Avdiu dhe Burim Kodra ishin liruar nga akuzat për keqpërdorim të pozitës zyrtare, në mungesë të provave.

Ndaj Bujës, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shpallur aktgjykim refuzues për pesë pika të akuzës, ku ngarkohej me veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare dhe ushtrimit të ndikimit.

Edhe ndaj të akuzuarit Fahri Retkoceri, gjykata kishte shpallur aktgjykim refuzues për veprat penale të dhënies së ryshfetit dhe punimeve ndërtimore të kundërligjshme. Kjo, sipas kryetarit të trupit gjykues, Beqir Kalludra, ka ardhur pasi që veprat penale janë parashkruar.

Gjykata ka detyruar të akuzuarin Buja, që të kompensojë Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit, në lartësi prej 79,155.00 euro, kurse për kërkesat tjera pasurore-juridike, Komunën e Lipjanit dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit i ka udhëzuar në kontest civil.

Sa i përket propozimit për anulimin e vendimeve të cekura në aktakuzë, gjykata ka vendosur që të njëjtat janë jo-lëndore pasi janë nxjerrë në procedura administrative.

Në këtë rast, i akuzuar është edhe Nebih Zeqiri, mirëpo për shkaqe shëndetësore, gjykata kishte veçuar procedurën për të.

E pakënaqur me lirimin nga akuzat të tre të akuzuarve dhe me lartësinë e dënimit të akuzuarve tjerë, PSRK ka ushtruar ankesë në Apel, nga e cila po kërkon të ndryshon aktgjykimin e Themelores.

Sipas ankesës së PSRK-së, sa i përket të akuzuarve që ishin liruar nga akuza, pretendohet se dispozitivi i aktgjykimit është i paqartë dhe se arsyetimi nuk përmban arsye të mjaftueshme, kurse ato që janë dhënë, janë në kundërshtim me provat e administruara. Sipas prokurorisë, me provat e njëjta për të cilat janë dënuar disa të akuzuar, të tjerë të akuzuar janë liruar nga akuzat.

E përfaqësuesi i palës së dëmtuar në këtë rast, Agjencisë Kosovare të Privatizimit, Naim Gjikolli, tha se e mbështet ankesën e prokurorisë duke shtuar se dëmi që i është shkaktuar AKP-së kap shumën prej 108.840,15 euro.

Në anën tjetër, lirimin nga akuzat për Shukri Bujën e kërkojë mbrojtësi i tij, avokati Arianit Koci.

Sipas ankesës së mbrojtjes së Bujës, dispozitivi i aktgjykimit është në kundërshtim me faktet vendimtare dhe se nuk është arsyetuar saktësia e provave kundërthënëse.

Po ashtu, mbrojtja e Bujës thirret edhe në parashkrimin e veprës penale si dhe faktit se në rigjykim, gjykata kishte refuzuar propozimet për dëshmitar dhe prova, pa dhënë ndonjë arsyetim.

Në fjalën e tij para kolegjit të Apelit, Koci tha se nëse lexohet aktgjykimi i shkallës së parë, krijohet përshtypja se mes shkallës së parë dhe asaj të dytë ka një qasje inati, pasi siç tha, asnjë rekomandim i Apelit nuk është përfillur nga gjykatësi i shkallës së parë.

Madje, Koci tha se ka pasur raste kur për shkak të presionit që kjo lëndë të kryhet sa më shpejt që është e mundur dhe refuzimit të krejt propozimeve, i është “gërditur” edhe profesionit.

“Gjykata nuk e bën as dallimin mes transaksionit ligjor dhe atij financiar. Ju lutem shiqone mirë dhe kjo së paku duhet të prishet apo të ndryshohet se po krijohen praktika që po na pamundësojnë me punu se nuk po ka një jurisprudencë të unifikuar në gjyqësi”, përfundojë fjalën e tij, avokati Koci.

Vet i akuzuari Shukri Buja nuk ishte i pranishëm në seancë, siç nuk ishte as edhe prokurori nga Prokuroria e Apelit.

Lirimin e tij nga akuzat e kërkojë edhe i akuzuari Halit Gashi. Gashi pretendon se vepra për të cilën është dënuar ai, ka arritur parashkrimin, pasi sipas tij, në rastin konkret është dashur të aplikohet Kodi i Përkohshëm si ligj më i favorshëm.

Rigjykim të rastit apo lirimin nga akuzat të të mbrojturit të saj, Hasim Viseshella, i ka propozuar Apelit, avokatja Nadire Hoxha.

Sipas ankesës së kësaj të fundit, aktgjykimi i Themelores është i bazuar në prova të papranueshme ndërsa sipas saj, fajësia e të mbrojturit të saj është bazuar vetëm në deklaratën e Fahri Retkocerit.

“Gjykata nuk e ka vërtetuar ndonjë fakt se Hasim Viseshella ka pas kontakt me Fahri Retkocerin, ose telefon ose drejtpërdrejtë. Vetëm ja fal besimin një bisede të atij me djalin e tij. Asnjëherë nuk ka thëne se cilin veprim Hasimi Viseshella ka pas me kry pas marrjes se ryshfetit”, tha në fjalën e saj avokatja Hoxha.

Pretendime të ngjashme me mbrojtësit e tjerë pati edhe mbrojtësi i të akuzuarit Edmond Rexhepi, avokati Shemsedin Piraj.

Sipas Pirajt, shkalla e parë nuk ka aplikuar fare rekomandimet e Apelit kur kjo e fundit e kishte kthyer lëndën në rigjykim. Siç tha avokati, në këtë rast nuk është precizuar as dëmi i shkaktuar ndërsa shtoi se edhe vepra penale në këtë rast ka arritur parashkrimin absolut.

Se Themelorja s`ka vepruar sipas rekomandimeve të Apelit, e tha edhe mbrojtësi i Bajram Rizanit, avokati Selman Bogiqi. Ky i fundit shtoi se është e habitshme se si është shpallur fajtor i mbrojturi i tij, i cili nga pozita e Drejtorit të Inspeksionit i kishte udhëzuar inspektorët të rrënonin një objekt pa leje gjë që s`kishte ndodhur pastaj.

“Kjo i bjen se çdo inspektor që kryn vepër penale përgjegjës mbahet Drejtori i Inspeksionit. Bajram Rizani oshte akuzuar dhe dënuar veç se ka qenë drejtor kur ka qene një parti tjetër”, tha Rizani në fjalën e tij.

Ndërsa, të akuzuarit që ishin liruar nga shkalla e parë, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, i propozuan Apelit që të vërteton aktgjykimin e shkallës së parë, propozim të cilin e pati edhe mbrojtësi i të akuzuarit Fahri Retkoceri, avokati Ramë Gashi.

Lidhur me këto ankesa është deklaruar edhe Prokuroria e Apelit, e cila përmes një parashtrese drejtuar shkallës së dytë, i ka propozuar kësaj të fundit që aprovon ankesën e PSRK-së kurse të refuzon ankesat e mbrojtjes.

Ndryshe, ish-kryetari i Lipjanit, Shukri Buja, më 5 nëntor 2018, ishte dënuar me tre vjet burgim efektiv, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale, keqpërdorim i detyrës zyrtare në vazhdimësi dhe në bashkëkryerje.

Për keqpërdorim të pozitës zyrtare, fajtorë ishin shpallur edhe të akuzuarit e tjerë në këtë rast, Nebih Zeqiri, i cili ishte dënuar me dy vjet e gjashtë muaj burgim, Halit Gashi me gjashtë muaj burgim, Edmond Rexhepi ishte dënuar me gjashtë muaj burgim, Bajram Rizani me gjashtë muaj burgim, kurse Hasim Viseshella ishte shpallur fajtorë për marrje ryshfeti dhe ishte dënuar me pesë muaj burgim.

Ndërsa, ishin liruar nga akuzat, Magbule Sadiku, Burim Kodra si dhe Driton Avdiu, kurse ndaj biznesmenit Fahri Retkoceri, aktgjykim lirues ishte marrë për veprën penale, punimet ndërtimore të kundërligjshme.

Gjykata e shkallës së parë, kishte nxjerrë aktgjykim refuzues për të akuzuarit Buja dhe Zeqiri, për katër pika të aktakuzës, sa i përket veprës penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare për shkak se kishte vlerësuar se ka arritur afati i parashkrimit.

Për të njëjtën arsye, kalimin e afatit të parashkrimit, Themelorja kishte refuzuar edhe pikat II.3 dhe II.2 të aktakuzës, ku Buja akuzohej për veprat penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare, marrjes së ryshfetit dhe ushtrimit të ndikimit, kurse Retkoceri akuzohej për veprën penale të dhënies ryshfetit.

Mirëpo, pas ankesave të ushtruara nga ana e Prokurorisë Speciale dhe mbrojtësve së të akuzuarve, Gjykata e Apelit më vendimin e marrë më 12 qershor 2019, e kishte anuluar këtë aktgjykim të Themelores dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Sipas Apelit, aktgjykimi është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, ngase dispozitivi i tij është i pakjartë për shkak se pjesa dënuese është në kundërshtim me pjesën liruese dhe atë refuzuese.

Kjo, pasi siç kishte vlerësuar Apeli, nga një gjendje e njëjtë faktike për të akuzuarin Shukri Buja, gjykata e shkallës së parë, për disa vepra e ka shpallur fajtor dhe i ka shqiptuar dënim, ndërsa, për disa ka nxjerrë aktgjykim refuzues me arsyetim se ka arritur parashkrimi absolut e për disa tjera ka nxjerrë edhe aktgjykim lirues, edhe pse sipas Apelit, kemi të bëjmë me një gjendje të njëjtë faktike dhe periudhë të njëjtë kohore për të cilën akuzohet se i ka kryer veprat penale.

Siç thuhet në aktvendimin e Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar as dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe ka dështuar të vërtetojë edhe elementin e dashjes.

Në rigjykim, Apeli e kishte udhëzuar Themeloren që të vërtetojë dëmin e shkaktuar nga të akuzuarit si dhe të merr parasysh pretendimet e ankimore lidhur me parashkrimin absolut të veprave penale.

Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 13 shkurt 2017 kishte ngritur aktakuzë me të cilën i ngarkon ish-kryetarin e Lipjanit, Shukri Buja, Nebih Zeqirin – zyrtar për çështje pronësore në zyrën e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, Halit Gashi – në cilësinë e drejtorit të  Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore, kanë ndërmarrë veprime për shpronësimin, eksproprijimin dhe më pas kanë tjetërsuar pronat shoqërore dhe komunale, në dobi të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

Buja akuzohet se në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Lipjanit, kishte nxjerrë vendim për shpalljen e interesit të përgjithshëm, për eksproprijimin e patundshmërive në Medvec dhe Magure, me gjithsej sipërfaqe 76.30.37 ha, edhe pse për eksproprijimin për eksploatim ka qenë kompetent niveli qendror.

Sipas prokurorisë, i pandehuri Shukri Buja, në kundërshtim me Ligjin për Shpronësimin e Pronës së Paluajtshme ka caktuar komisionin për vlerësimin e paluajtshmërive, edhe pse ky vlerësim është në kompetencë të nivelit qendror. Lidhur me punën e këtij komisioni, i pandehuri Buja sipas aktakuzës  iu ka drejtuar “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”, nga i cili ka kërkuar pagesën për punën e komisionit në shumës prej 21.500 euro, dhe atë në llogarinë e cila ka rezultuar të jetë e të pandehurit, Nebih Zeqiri.

Tutje, Buja pretendohet se duke tejkaluar kompetencat zyrtare, në emër të Komunës së Lipjanit ka nënshkruar memorandum mirëkuptimi më “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”. Në bazë të këtij memorandumi siç thuhet në aktakuzë, Buja i ka dhënë me qira “Neë Co Ferronikel Complex L.LC” një objekt komunal në afat prej 10 vjet, me çmimin prej 1 euro, me të cilat veprime i ka shkaktuar dëm Komunës së Lipjanit.

Në një rast tjetër, prokuroria pretendon se të pandehurit Shukri Buja dhe Nebih Zeqiri, duke shfrytëzuar autoritetin zyrtar, në kundërshtim me ligjin kanë nënshkruar marrëveshje për kompensimin e paligjshmërisë së eksproprijuar me “N Co Ferronikel Complex L.LC”, për parcelën me 0.94,75 ari. Me kërkesë të të pandehurve, mjetet nga kjo marrëveshje, në shumën prej 39.795 euro, janë paguar në llogarinë rrjedhëse të klubit futbollistik “Ulpiana”. Sipas prokurorisë, e njëjta procedurë dhe e njëjta mënyrë e eksproprijimit dhe shpronësimit të ngastrave tjera, është përdorur edhe në raste tjera, e të cilat mjete janë transferuar në llogarinë bankare të klubit futbollistik “Ulpiana”.

Prokuroria i ngarkon të akuzuarit Shukri Buja, Nebih Zeqiri, Halit Gashi, në cilësinë e drejtorit të Drejtorisë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan dhe Magbule Sadiku – zyrtare në Drejtorinë për Gjeodezi dhe Kadastër në Lipjan, se në kundërshtim me dispozitat ligjore kanë nxjerrë urdhëresë për regjistrimin dhe bartjen e pronës në mënyrë të kundërligjshme, në emër të “Neë Co Ferronikel Complex L.LC”.

I pandehuri Fahri Retkoceri, akuzohet për veprat penale “punime ndërtimore të kundërligjshme” dhe “dhënie e ryshfetit”. I pandehuri Retkoceri akuzohet se ka filluar ndërtimin e një objekti kolektiv-banesor, pa u pajisur me leje ndërtimi. Po ashtu, Retkoceri akuzohet se të akuzuarit Buja ia kishte riparuar një automjet të tipit “Mercedes ML”, i cili kishte qenë pronë e Komunës së Lipjanit. Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Retkoceri e kishte bërë për të ndikuar tek inspektorët komunal që të mos ia ndërprenë punimet në objektin e nisur.

E për veprimin e lartcekur, prokuroria e ngarkon edhe Bujën pasi sipas aktakuzës, me dashje ka ndikuar tek zyrtarët tjerë komunal që të mos e pengojnë Retkocerin në ndërtimin e objektit kolektiv-banesor.

I pandehuri Hasim Viseshella – në cilësinë e shefit të sektorit në Drejtorinë e Planifikimit dhe Urbanizmit dhe Mbrojtjen e Mjedisit në Komunën e Lipjanit dhe i pandehuri Edmond Rexhepi-Drejtor për Planifikim dhe Urbanizëm në komunën e Lipjanit, ngarkohen me veprat penale ‘keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar’ dhe “marrje e ryshfetit”, për faktin se kanë lëshuar leje ndërtimi për të pandehurin, Fahri Retkoceri.

Të akuzuarit, Driton Avdiu dhe Burim Kodra, akuzohen për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Prokuroria, pretendon se dy të akuzuarit në cilësi të inspektorëve komunalë, me rastin e inspektimit në ndërtimin e objektit banesor nga i pandehuri, Fahri Retkoceri, nuk i kanë ndërmarrë masat për pezullim të punimeve.

Ndërsa, i pandehuri Bajram Rizani – në cilësinë e drejtorit në Drejtorinë e Inspekcionit në Komunën e Lipjanit, nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, duke qenë në dijeni se i pandehuri, Fahri Retkoceri, po ndërtonte objekt pa leje, nuk ka kërkuar nga vartësit e tij pezullimin e ndërtimit të objektit, me çka akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Për të gjitha këto veprime, PSRK e ngarkon Bujën me veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit” dhe “Marrje ryshfeti”.

Për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, akuzohen edhe Nebih Zeqiri, Halit Gashi, Magbule Sadiku, Burim Kodra, Driton Avdiu dhe Bajram Rizani.

Hasim Viseshella akuzohet për veprën penale “Marrje e ryshtetit”, kurse i akuzuari Fahri Retkoceri akuzohet për veprat penale “Punimet ndërtimore të kundërligjshme” dhe “Dhënia e ryshfetit”.  /BetimipërDrejtësi