Rasti “Çekiçi”, në prezencë të palëve shikohen pjesët e batanijeve që janë marrë në “Autoservisin Cali” dhe në vendin ku është gjetur kufoma

Raporton: Blerta BARKU

Prishtinë- Në Gjykatën Themelore në Prishtinë,  pjesët e batanijeve  që janë marrë nga Policia në “Autoservisin Cali” dhe në vendin e ngjarjes ku është gjetur kufoma e tani të ndjerit Naim Hajrizi, të njëjtat u administruan dhe në prezencë të gjitha palëve në procedurë u shikuan duke i hapur ato një nga një.

Në seancën e së hënës, kryetari i trupit gjykues, gjykatësit Vesel Ismajli, deklaroi se sigurimi i këtyre provave materiale ka qenë sipas kërkesës së palës mbrojtëse, në seancën e kaluar të shqyrtimit gjyqësor, gjë që trupi gjykues unanimisht kërkesën e palës mbrojtëse e ka aprovuar për sigurimin e këtyre provave materiale,  raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, i njëjti tha se kërkesa e palës mbrojtëse ka qenë që të sigurohen edhe rrobat e të akuzuarit Gëzim Ratkoceri të cilat janë sekuestruar përkohësisht nga pjesëtarët e policisë, siç tha ai edhe këtë kërkesë trupi gjykues e ka aprovuar, ka ushtruar urdhëresë për sigurimin e tyre në këtë seancë të shqyrtimit gjyqësor, por sipas njoftimeve që i ka marrë nga njësia e hetimeve rezulton se ato rroba nuk e ekzistojnë.

Ndryshe, në fillim të seancës pas leximit të provave materiale nga ana e gjykatësit Ismajli, mbrojtësja e të akuzuarit Ratkoceri, avokatja Kosovare Kelmendi ka pasur vërejtje për provat e caktuara materiale.

Avokatja Kelmendi deklaroi se të gjitha provat materiale përfshirë edhe 3 copë të batanijeve që janë konstatuar se janë gjetur në “Autoservisin Cali” më datë 30 prill 2009 ashtu sikurse figuron në shkresa të lëndës të njëjtën paraqesin provat të papranueshme, për shkak se të njëjtat prova janë të kundërligjshëm dhe nuk ka ekzistuar asnjë urdhëresë verbale, e as me shkrim e mbuluar në mënyrë retroaktive si përcaktohet me dispozitat e Kodit të Procedurës Penale.

Ajo tha se përveç që atë natë hetuesit kanë kryer bastisje të kundërligjshme pa pasur urdhëresë verbale dhe pa e siguruar  të njëjtën as me shkrim në afatin prej 12 orësh, të njëjtët  edhe të nesërmen më datën 1 maj 2009, sipas raporteve policore kanë bërë bastisjen dhe mbledhje apo sigurimin e provave pa prezencën e dëshmitarëve, pa prezencën e pronarit të “Autoservisit” apo pronarit të objektit sikurse kërkojnë dispozitat ligjore, duke formuar kështu një dosje respektivisht  foto dokumentacion, i cili nuk përmban as datën, as muajin as vitin, as kohën kur janë bërë këto fotografime.

Tutje, tha se janë 214 fotografi, duke mos pasur asnjë legjendë nën ato fotografi, si dhe duke dërguar një formular për ekspertim në Laboratorin e Forenzikës pa përshkruar saktësisht në atë formular se ku, çka  është gjetur prej provat e pretenduara.

Sipas avokates Kelmendi këto fotografi  të vendit të ngjarjes nuk përkojnë me raporte policore në raport me batanijen pjesë e gjetur në afërsi të trupit të viktimës, dhe atë e njëjta duke e argumentuar me fotografi të vendit ngjarjes ose vendi ku është gjet kufoma e tani të ndjerit se pas 13 viteve nuk po mund ta zbulojmë ku ka qenë.

Tutje tha sa i përket fotografive të bëra në vendin ku është gjetur kufoma mbrojtja bën vërejtje pikërisht lidhur me fotografinë numër 44 e cila i referohet një pjesë të batanijeve, ndërkaq tha se për të bindur edhe më tepër, provat e siguruara qoftë në vendin e ngjarjes ku është gjetur kufoma, qoftë në “Autoservisin Cali”, pjesa e batanijes së gjetur nuk është dërguar fare në ekspertizë.

Nga ana tjetër, e njëjta tha se nëse e analizoni  formularin i ekspertizës  i cili rreshton të gjitha provat të cilat janë dërguar për ekspertim e që i referohen edhe vendit ngjarjes edhe “Autoservisit Cali”, pjesa e batanijes të cilën sikurse u pa këtu mbante shifrën Vn5.1, sipas saj, nuk figuron askund në formular për ekspertiz, duke e shtuar se nuk është bërë asnjë ekspertizë e krahasimit të batanijes së pretenduar të gjetur në vendin ku është gjetur kufoma me pjesët e batanijes të cilat janë gjetur në “Autoservisit Cali”.

Bazuar në këto argumente dhe kontradikta e njëjta tha se bastisja dhe sigurimi i ashtuquajtura prova në “Autoservisin Cali” është bërë jo në mënyrë të kundërligjshme por edhe në mënyrë të çuditshme për të mos u shpreh ndryshe për shkak se siç tha “nuk flas unë po flasin provat”.

Avokatja Kelmendi tha se formulari për ekspertim Zymer Gashi dhe Lulzim Rustemi në rubrikën data e procesimit të vendit të ngjarjes është 30 prill 2009, provat e bashkangjitura në kallëzimin penal qysh në fillim të kësaj çështje penale, bastisjes dhe mbledhjes së provave në “Autoservisin Cali” i referohen datës 30 prill 2009, që do të thotë se është e saktë se në natën  e 30 prillit 2009 është kryer një bastisje e kundërligjshme në “Autoservisin Cali” , e cila ka vazhduar edhe me datën 1 maj 2009.

“Një ndër arsyet kurciale që është kjo çështje penale është kthyer në rigjykim sipas gjykatës instaciale të konstatuar  në aktvendimin e Gjykatës së  Apelit, gjykata instaciale ka konstatuar se ka munguar arsyetimi lidhur me pretendimin e ekzistimit të urdhëresës apo procesverbali të urdhër kontrollit për datën 30 prill dhe 1 maj 2009, për të arsyetuar  se a qëndrojnë pretendimet e mbrojtjes se në rastin konkret është vepruar në përputhje me normat ligjore ashtu siç kërkojnë dispozitat ligjore të KPP-së”, tha ajo.

Tutje, tha se propozimi i saj i bazuar, mbështetët në nenin 111 të KPP, i cili përcakton në mënyrë eksplicite se dëshmitë e marra gjatë kontrollës pa leje të gjykatës janë të papranueshme, nëse kontrolla nuk merr pëlqim gjyqësor retroaktiv në përputhje me dispozitat kushtetuese, sipas saj, ky ishte par 1.1 ndërkaq që pauzuesi, 1.2 thotë  bastisja e ndërmarrë pa urdhëresë të gjykatësit përkatës paraqet shkelje të dispozitave të këtij ligji.

Po ashtu ajo tha se  dispozita e ligjore e nenit 257 të KPP par 2, përcakton se dëshmitë e mbledhura me shkelje e dispozitave të procedurës penale,  sikurse në “Autroservisin Cali” nuk janë të pranueshme dhe par 3 obligon gjykatën se nuk mund vendimin ta bazojnë në dëshmi të papranueshme.

Në fund, avokatja Kelmendi tha se si ka mundësi që të merren rrobat e të akuzuarit Gëzim Ratkoceri, të merren mostrat për AND, nga i akuzuari Ratkoceri e të mos bëhet asnjë ekspertizë, ne nuk kemi qoftë pro qoftë kundër  ekzistencës së  gjurmëve të ADN-së së tij në qebe, në cilido pjesë tjetër apo provë në afërsi ose direkt me kufomën e tani të ndjerin Naim Hajrizi.

Duke shtuar se profilin e  AND-së të Gëzim Ratkocerit nuk e kanë askund dhe tha se të është e  bindur që nëse do të ekzistonte nuk do të ishte kursye dhe do të gjendej në shkresa të lëndës

Andaj, avokatja Kelmendi  i ka propozuar gjykatës që të gjitha provat materiale të lexuara sot si prova të cilat janë gjetura në “Autoservisin Cali” në mungesë edhe të kohës se kur janë bërë ato dhe në mungesë të urdhëresës të gjykatës të shpallen të papranueshme dhe të njëjtat të veçohen nga shkresat e lëndës.

(Në foto pjesët e batanijeve  që janë marrë nga Policia në “Autoservisin Cali” dhe në vendin e ngjarjes ku është gjetur kufoma e tani të ndjerit Naim Hajrizi)

Lidhur me këtë propozim prokurorja speciale, Florie Shamolli ka kërkuar të refuzohet nga trupi gjykues me arsyetimin se të njëjtat prova janë marrë konform dispozitave ligjore, po ashtu me këto prova njëri i akuzuari, Osman Spahiu është shpallur fajtor dhe tani aktgjykim është i plotfuqishëm.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Berat Tmava e ka përkrahur prokuroren  speciale dhe ka bërë një elaborim të shkurt të provave sa i përket propozimit të avokates Kelmendi.

Tmava deklaroi se dëshmitari Hajrush Sopi, në momentin kur e ka identifikuar një trup që ka qenë i të ndjerit Hajrizi, menjëherë e ka lajmëruar policinë e Lipjanit, vendi i ngjarjes është siguruar fizikisht nga policët e Stacionit të Lipjanit dhe atë me shirit të veçantë ku nuk ka pasur qasje asnjë person i paautorizuar.

Tutje ka thënë se një pjesë e trupit ka qenë e djegur,  në kokë kishte të vendosur  një qese të kaltër të najlonit të padjegur e të lidhur për fyti me tel të metaltë, këmbët dhe duart gjithashtu i ka pasur të lidhura me tel si dhe në kokë është vërejtur se ishte i goditur me mjete të forta dhe është bërë fotografimi detal i vendit të ngjarjes ku është lokalizuar saktësisht se  ku është gjetur trupi i pajetë i viktimës.

Gjithashtu ai tha se nga Forenzika është përpiluar edhe skica e vendit të ngjarjes, po ashtu nga ekipi i Forenzikës që ka bërë vendshiqimin është përpiluar  zinxhiri i ruajtjes dhe përshkrimi i fotografimit, sipas tij në këto dy prova vërtetohet se në vend ngjarjes është gjetur  një  pjesë e batanijes me ngjyrë hir, e cila ishte e përlyer me ngjyra të tjera e regjistruara si provë VN-5.3.

Tutje tha se sipas procesverbalit mbi identifikimin e sendeve përmes  të prezantimit direkt të përpiluar  më 1 maj 2009 të policisë, ka dal se tani i dënuari Osman Spahiu atëherë në cilësinë e dëshmitarit janë prezantuar batanijet- qebet me ngjyra të ndryshme, si pasojë e ngjyrosjes të automjeteve dhe një jelek e ngjyrës së zeze duke shtuar se në vijim të këtij  procesverbalit është konstatuar se  pjesa  e batanijes është   identike me batanijet të cilat i përdorin për ngjyrosje e automjeteve në punëtori të Gëzim Ratkocerit.

Avokati Tmava tha se  me vetë faktin se gjatë seancës  u prezantuan qebet-batanijet rezulton se të njëjtat janë identike si ajo që gjetur në vendin ku është gjetur viktima, sikurse  ato që janë marrë nga autoservisi Cali.

Ndërsa, avokatja Kelmendi deklaroi se propozimi ishte bërë me përkatësisht me ligjshmërinë e tyre a janë marrë të njëjtat konform dispozitat ligjore apo jo.

Ndërkaq, e njëjta sa i përket përshtypjes vizuele të kolegut tha se qebet ishin identike ne nuk jemi ekspert këtë do të kishin thënë ekspertët nëse do të ishte bërë ekspertizë, dhe se vetëm me sy laik ju do të vëreni në fotografi se dy copa qebes  më të vogla ndërsa  dy më të mëdha , duke potencuar me sy laik, prandaj, sipas saj do ishte mirë nëse do të ishte bërë ekspertizat mirëpo sipas saj edhe ekspertiza do të  mund të bëhej nëse të njëjtat  do të ishin siguruar në mënyrë të ligjshme.

Pas kësaj, kryetari i trupit gjykues Vesel Ismajli i ka pyetur palët nëse kanë ndonjë propozim eventual për plotësimin  e procedurës së provave, ndërsa lidhur me propozimin e palës mbrojtëse rreth  ligjshmërisë apo paligjshmërisë  të sigurimit të provave në “Autoservisin Cali”, trupi gjykues do ta shqyrtojë  dhe në seancën e radhës do të jep verdiktin.

Pasi që nuk patën propozime nga palët në procedurë, gjykatësi Ismajli konstatoi që  seanca e sotme përfundoj ndërsa e radhës pritet të mbahet më 17 qershor 2022.

Ndryshe, paraprakisht gjykatësi Vesel Ismajli pas konstatimit të palëve në seancë  ka njoftuar se nga Njësia e Hetimeve Krimeve, kanë pranuar në bazë urdhëresës së lëshuar 3 qebe, bazë mbështjellësit 3 pjesë të qebes janë marrë në “Autosallonin Cali” kurse një është marrë në vendin ku është gjetur edhe kufoma  në një arrë me grurë në fshatin Smallushë Komuna e Lipjanit.

Retkoceri po akuzohet se më 29 prill të vitit 2009, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin privuar nga jeta tani të ndjerin Naim Hajrizi, ashtu që pas rrëmbimit të ndjerin e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e ku më pas viktimës ia kishin djegur trupin me qëllim të fshehjes së gjurmëve.

Në këtë rast, i akuzuar për vrasje të rëndë në bashkëkryerje ishte edhe Osman Spahiu, por pas ricilësimit në fjalën përfundimtare të shqyrtimit të kaluar gjyqësor nga ana e prokurores Fikrije Fejzullahu, Spahiu ishte akuzuar për dhënien e ndihmës në kryerjen e kësaj vepre penale, për çka edhe e kishte pranuar fajësinë dhe ishte dënuar me 10 vjet burgim.

Ndërkaq, Retkoceri ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.

Aktgjykimi në këtë rast ishte shpallur nga Gjykata Themelore në Prishtinë, më 21 janar 2020, por që kundër këtij aktgjykimi ishte ushtruar ankesë nga mbrojtja dhe prokuroria.

Lidhur me këto ankesa, kolegji i Apeli kishte mbajtur seancën më 15 korrik 2020. Pas shqyrtimit të ankesave, kolegji i përbërë nga gjyqtarët, Tonka Berishaj, Driton Muharremi dhe Vaton Durguti, kishte vendosur që të aprovojë si të bazuar ankesën e mbrojtëses së të akuzuarit Retkoceri, avokates Kosovare Kelmendi kurse ankesat e prokurorisë dhe palës së dëmtuar i ka vlerësuar si jo lëndore tani për tani.

“Gjykata e Apelit më vëmendje ka shqyrtuar aktgjykimin e shkallës së parë, ankesën e mbrojtëses të të akuzuarit si dhe shkresat e lëndës dhe vlerëson se përsëri aktgjykimi i shkallës së parë në këtë rast penal është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale si dhe vërtetim të gabuar dhe jo të plotë të gjendjes faktike”, thuhej në aktgjykimin e Apelit.

Sipas aktgjykimit të Apelit, duke qenë se kjo lëndë edhe njëherë tjetër ishte kthyer në rigjykim në shkallën e parë, kjo e fundit, sipas Apelit, në masë të madhe nuk i kishte përfillur udhëzimet e dhëna nga gjykata e shkallës së dytë.

Sipas vlerësimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka dhënë arsye për faktet vendimtare duke pas kundërthënie në mes dispozitivit dhe aktgjykimit si pasojë e mos arsyetimit të secilës provë veç e veç dhe duke mos i ndërlidhur me njëra tjetrën për të ardhur deri te një gjendje faktike e drejtë dhe e plotë.

Sipas Apelit, shkalla e parë nuk analizuar dhe vlerësuar provat si të vetme se çka vërtetojnë dhe të gjitha provat e ndërlidhura me njëra tjetrën çfarë gjendje faktike vërtetojnë. Po ashtu, sipas aktgjykimit të Apelit, shkalla e parë nuk ka specifikuar veprimet inkriminuese të secilit të akuzuar në raport me kryerjen e eventuale të vrasjes.

Siç thuhet në aktgjykimin e Apelit, nuk janë dhënë arsye në aktgjykimin e shkallës së parë se ku janë marrë njollat e gjakut të cilave iu është bërë profili i ADN-së dhe të cilat rezultuan se i takojnë tani të ndjerit Naim Hajrizi. Pastaj, nuk është sqaruar çështja e gjetjes së bykut të drurit dhe nuk është sqaruar çështja e çekiçit gjegjësisht si ka arritur i njëjti në gjykatë dhe cila është rëndësia e të njëjtit në këtë çështje penale.

“Këto udhëzime të Gjykatës së Apelit edhe pse të detyrueshme për gjykatën e shkallës së parë nuk janë përfillur dhe të njëjtat kanë pasur edhe në aktgjykimin tjetër i cili është objekti i vlerësimit tani nga kolegji i kësaj gjykate”, thuhet në aktgjykimin e Apelit.

Në fund, Apeli thekson se gjykata e shkallës së parë ka lirinë e veprimit rreth vlerësimit të provave ndërsa Gjykata e Apelit vetëm bën rivlerësimin e provave dhe nëse gjen gabime, vetëm në raste të jashtëzakonshme bën administrimin e provave me hapjen e shqyrtimit në shkallë të dytë. Në rastin konkret, Apeli thekson se ka gjetur se përshkrimi faktik nuk është bërë si duhet në aktgjykim dhe se arsyetimi është i pamjaftueshëm.

Ndryshe, ky rast ishte kthyer edhe më herët në rigjykim nga Gjykata e Apelit, më 4 maj 2016. Apeli kishte anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, e cila më 7 korrik 2015, dy të akuzuarit për vrasjen e Naim Hajrizit, Gëzim Retkoceri dhe Osman Spahiu i kishte dënuar me nga 30 vjet burgim.

Me rastin e kthimit në rigjykim, Gjykata e Apelit, kishte konstatuar se Gjykata Themelore në Prishtinë kishte shkelur dispozitat e procedurës penale dhe se dispozitivi i aktgjykimit nuk ishte hartuar ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, Retkocerin po e akuzon se më 29 prill 2009, me qëllim që vetit t’i sjellin dobi pasurore, së bashku me një person të panjohur me nofkën “Qeli”, e kishin rrëmbyer tani të ndjerin Naim Hajrizin, me qëllim që ta privojnë nga jeta.

Sipas aktakuzës, tani të ndjerin Hajrizi e kishin goditur me mjete të forta në kokë, duke ia lidhur këmbët dhe duart, e kishin vrarë tani të ndjerin, pastaj e kishin dërguar në një lokacion ndërmjet fshatit Smallushë dhe Dobratin dhe për të fshehur gjurmët, e kishin djegur trupin e tij. /BetimipërDrejtësi

Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë