Ragip Krasniqi shpallet i pafajshëm për armëmbajtje pa leje

Foto - rasti Ragip Krasniqi 3
Author

Raporton: Arrita REZNIQI

Shtator 14, 2018

Prishtinë – Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur të pafajshëm të akuzuarin për armëmbajtje pa leje, Ragip Krasniqi.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga kryetari i trupit gjykues, Vehbi Kashtanjeva, nuk është provuar se Krasniqi e ka kryer veprën penale që i vihej në barrë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paraprakisht, në seancën e së premtes mbrojtja paraqiti fjalën përfundimtare.

Avokatja Emine Bajrami–Statovci, tha se aktakuza është ngritur bazuar në një deklarim, që sipas saj është trillim, dhe se me asnjë provë nuk është vërtetuar se i mbrojturi i saj e ka kryer veprën penale të armëmbajtjes pa leje.

“Ali Binakaj e ka inskenuar këtë rast, siç edhe ka kryer vepra të tjera ndaj familjes Krasniqi. Qëllimi i tij ka qenë që të barazohet viktima me delinkuentin”, deklaroi avokatja Bajrami-Statovci, duke kërkuar nga trupi gjykues, që ta lirojë nga akuza të mbrojturin e saj.

Ndërsa, i akuzuari Krasniqi tha se nuk e ka kryer veprën penale me të cilën ngarkohej, e madje nuk ka pasur kurrë armë.

Ndryshe, prokurori Hivzi Bajrakatari, fjalën e tij përfundimtare e kishte paraqitur në seancën e mbajtur më 11 shtator, ku kishte kërkuar nga gjykata qe Krasniqi të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit.

Lidhur me këtë çështje penale, ish–Prokuroria Publike e Qarkut, kishte ngritur aktakuzë ndaj Ragip Krasniqit, sepse më 21 dhjetor 2007, rreth orës 18:05, afër Menzës së Studentëve në Prishtinë, derisa ishte duke lëvizur me veturë, ia ka bërë me shenjë që të ndalet të dëmtuarit Ali Binakaj, që po ashtu po lëvizte me veturë. Pasi i dëmtuari është ndalur dhe ka dalë nga vetura, edhe i akuzuari ka dalë, duke mbajtur në dorë një revole.

Sipas aktakuzës, i dëmtuari është munduar t’ia largojë revolen, me ç’rast ka dalë një person tjetër nga vetura e të akuzuarit dhe i është drejtuar atij me fjalët “mos, mos” dhe është tërhequr.

Atëherë, i dëmtuari, duke ia liruar dorën të akuzuarit i ka thënë “gjuaj pasi je me familje”, gjithnjë sipas aktakuzës, ndërsa, i akuzuari vetëm e ka shikuar dhe duke mbajtur armën në dorë, i ka thënë të dëmtuarit “shihemi” dhe është larguar me veturën e tij.

Me këtë, sipas aktakuzës, ai ka kryer veprën penale të shfrytëzimit të paautorizuar të armëve, nga neni 328 par. 1 i KPPK–së./Betimipërdrejtësi