“Qetësi” në Gjykatën e Kamenicës, asnjë seancë e natyrës urgjente

Kamenica me bore
Author

Raporton: Blerim JAKUPI

Mars 24, 2020

Kamenicë – Nga vendimi i Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGjK), që në Gjykatat Themelore dhe degët e saj të trajtohen vetëm rastet e natyrës urgjente, në Gjykatën Themelore në Gjilan, dega në Kamenicë, nuk është mbajtur ndonjë seancë, qoftë ajo për caktimin e masën së paraburgimit dhe masave tjera, apo edhe të natyrave të tjera.

Këtë gjë, për “Betimi për Drejtësi”, të martën e ka konfirmuar gjykatësi, Sadri Krasniqi. “Jo, nuk ka pasur ndonjë kërkesë për paraburgim, apo edhe raste të tjera në gjykatën tonë”, ka thënë gjykatësi Krasniqi.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar edhe gjykatësin tjetër kujdestar, në lëminë civile, Blerim Beshtica, i cili po ashtu, ka thënë se nuk është paraqitur ndonjë rast urgjent, për të cilin do duhej të mbahej seancë gjyqësore në Gjykatën e Kamenicës.

“Të them të drejtën, këto raste më të rënda edhe para vendimit të KGjK-së kanë qenë të pakta apo shumë të rralla në Gjykatën e Kamenicës. Do ta keni bashkëpunimin tonë si çdoherë, dhe besoj se do të njoftoheni për seancat që eventualisht do të mbahen”, ka thënë gjykatësi Beshtica.

Ndryshe, pas konfirmimit të rasteve të para pozitive me koronavirus në Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK)  kishte marrë vendim për reduktimin e të gjitha aktiviteteve në kuadër të KGjK-së dhe atyre të Gjykatave të Kosovës.

Përmes një njoftimi, KGjK kishte bërë të ditur se kryetarët e gjykatave duhet të caktojnë  gjyqtarët dhe stafin administrativ të mjaftueshëm për të kujdestaruar dhe realizuar vetëm veprimtaritë e natyrës urgjente.

“Ato të caktimit të masave për sigurimin e prezencës së të pandehurve-paraburgimit apo masave tjera, rastet e dhunës në familje, masave tjera si dhe rasteve tjera urgjente që eventualisht mund të paraqiten”, thuhej në njoftim.

Gjithashtu, KGjK kishte autorizuar Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit të KGjK-së që të reduktojë esencialisht stafin në zyre dhe të realizojnë vetëm veprimtaritë esenciale administrative në kuadër të Sekretariatit.

“Në të gjitha rastet kur është e mundur dhe e lejuar me ligj, të punësuarit e sistemit Gjyqësor aktivitetet dhe punën e tyre t’i realizojnë nga vendet e tyre të banimit përmes formave të ndryshme të komunikimit elektronik”, thuhej në vijim të njoftimit.

Ky vendim ka hyrë në fuqi me 16 mars dhe masat e theksuara në këtë vendim do të vlejnë deri në një vendim të ri të KGjK-së.

Vlen të theksohet se, deri më tani, në Komunën e Kamenicës nuk ka pasur asnjë të infektuar nga koronavirusi. /BetimipërDrejtësi