RASTI MTPT – ZBULOHEN SMS-TË NË MES MUSTAFËS DHE SHKODRËS

Raporton: Bukurezë SURDULLI

Prishtinë – (E PLOTËSUAR) Në gjykimin kundër Famir Limajt dhe të tjerëve, përkatësisht në rastin e MTPT-së, prokurori vazhdoj Charles Hardaway të lexonte sms-të e shkëmbyer në mes të ish-Kryetarit të Gjilanit, Qemajl Mustafa dhe biznismenit të ndjerë, Mehmet Shkodra. Në njërin nga sms-të që Shkodra i kishte dërguar Mustafës, në maj të vitit 2009 thuhej “Puna i është dhënë Talit në janar të këtij viti dhe gjithçka që ka thënë Fatmiri gjatë kohës sa kemi ndejtë bashkë ka qenë një gënjeshtër” dhe një mesazh i tillë i është kujtuar edhe dëshmitarit Mustafa. Ky dëshmitar pohoj se këta SMS kishin të bëjnë me tenderin për mirëmbajtjen verore dhe dimërore të rrugëve regjionale për vitin 2009/10. Në njërin ndër SMS-të e tjerë që pasuan nga Shkodra për Kryetarin e atëhershëm të Komunës së Gjilanit, Shkodra i kishte thënë që nëse ky tender nuk anulohet, ai do të publikonte çdo gjë. E si përgjigje për këtë SMS, dëshmitari Mustafa ishte përgjigjur: “Do ta dëmtosh vetën më shumë se Limajn, mos e ekzagjëro, do të bëhet mirë, e vetmja gjë që mund të bësh me këtë është që ta prishësh punën tënde brenda PDK-së. E di se ke bërë ca investime, unë poashtu kam investuar qindra/mijëra në kesh dhe kam humbur. Klm shok”.  Për të gjitha këto mesazhe, dëshmitari tha që i kujtohen mirëpo jo saktësisht sepse ka pasur shumë mesazhe dhe ankesa nga Shkodra në drejtim të tij.

Gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarit të tretë në këtë rast u përmend edhe Kryetari i atëhershëm i degës së PDK-së, në Gjilan, Izmi Zeka. Emri i tij u shpalos në njërin nga mesazhet e rradhës që u prezantuan nga prokurori Hardaway, e i cili mesazh ishte shkruar nga Qemajl Mustafa për të ndjerin Mehmet Shkodra. Në këtë SMS, Mustafa i ishte drejtuar Shkodrës me pyetjen “Çka lypi Izmija në atë punë a e ka ni që ka lypë ryshfet a?”, ndërkaq në seancën e të martës Mustafa deklaroj para trupit gjykues, që e kishte përmendur ryshfetin për shkak se ishte i ndijshëm ndaj një fenomeni të tillë. Ai tha që  një pyetje të tillë e ka bërë që të sqaroj nëse dikush është duke kërkuar ose duke dhënë ryshfet. Tutje, dëshmitari i propozuar nga prokuroria, dekalroj që nuk është në dijeni nëse Izmi Zeka kishte aranzhuar ndonjë takim në mes të Mehmet Shkodrës dhe Adem Grabovcit.

Në seancën e së martës, prokurori Charles Hardaway nuk arriti që të parashtroj të gjitha pyetjet e tij, prandaj dëshmiari Qemaj Mustafa do të dëgjohet edhe në seancën e nesëme.

Kjo seancë ishte e hapur për publikun dhe u përcoll nga mediat e interesuar, mirëpo xhirimi i saj u lejua vetëm tre minuatat e parë. Kjo për shkak që dëshmitari që u dëgjua, Qemajl Mustafa, u deklarua që për shkak të ndjeshmërisë së rastit, do të preferonte që kjo seancë të xhirohej vetëm në minutat e para. Sipas tij po krijohen keqkuptime në publik kur është fjala tek proceset gjyqësore me ndjeshmëri të lartë. “Mesatarja e publikut nuk e dallon çka është aktakuza, çka është dyshimi, çka është dënimi. Shpesh njollosen njerëzit” u shpreh Mustafa.

PO VAZHDON DËSHMINË QEMAJL MUSTAFA NË RASTIN E NJOHUR MTPT (PLOTËSUAR)

Prishtinë – ( E PLOTËSUAR) Në vazhdimin e kësaj seance, prokurori Hardaway, ka kaluar tek pyetjet që kanë të bëjnë me të ndjerin, Mehmet Shkodra, i cili ishte pronar i kompanisë “Inter-Evropa”. Shkodra ishte dëshmitar në rastin MTPT, ku kishte garuar në njërin nga tenderët e përmendur në aktakuzë. Dëshmitari Mustafa, deklaroj që Mehmet Shkodra e kishte lutur atë disa herë që të takohej me ish-Ministrin Limaj dhe lidhur me këto kërkesa Mustafa tha që ka dashur që të ja bëj qejfin Shkodrës dhe t’i aranzhonte një takim me Limajn. “Unë e kam lutë ministrin të takohemi për shkak se i ndjeri ka qenë militant i partisë time, aktivist i mirë dhe punëtor i madh por ka qenë i ngutshëm dhe i frustruar” ka thënë Mustafa.

Ish Kryetari i Gjilanit, shtoj poashtu për të ndjerin që ai ishte gjithmonë i pakënaqur, duke kërkuar gjithmonë projekte të mëdha. “Ai gjithmonë mendonte se dikush po i bënte të padrejta, në fakt ai s’ishte i përgatitur, as me teknologji, as me profesionalizëm. Ai është marrë me diçka tjetër specialiteti i tij ka qenë prerja e drurit për djegje e jo ndërtimi i rrugëve” është shprehur Mustafa.

Prishtinë – ( E PLOTËSUAR) Tutje, Mustafa ka folur rreth parregullësive që kanë ndodhur në procedurat e tenderimit për mirëmbajtjen e rrugëve verore dhe dimërore në rajonin e Gjilanit. Sipas tij, ka pasur parregullësi dhe jo-profesionalizëm por për këto perregullësi sipas tij përgjegjës ka qenë Komuna e Gjilanit. Prandaj, nuk ka raportuar parregullësi të tilla në nivelin qëndror, pra në MTPT. Ai ka shtuar që në ato komisione që ka gjetur parregullësi, i ka suspenduar dhe nuk i ka kthyer më në punë. Lidhur me këto parregullësi, dëshmitari ka thënë që nuk ka dëshmi që fenomeni i korrupsionit ka qenë faktor për shkaktimin e këtyre parregullësive.

PO VAZHDON DËSHMINË QEMAJL MUSTAFA NË RASTIN E NJOHUR MTPT

Prishtinë – ( E PLOTËSUAR) Ish-Kryetari i Komunës së Gjilani, Qemajl Mustafa është duke dhënë dëshminë e tij në rastin e njohur si MTPT. Mustafa fillimisht po merret në pyetje nga Prokurori i kësaj çështje, Charles Hardaway. Deri më tash ai është pyetur kryesisht rreth takimeve që Komuna e Gjilanit kishte pasur me Ministrinë e Transportit dhe Post-Telekomit të Kosovës, përgjatë viteve 2008-2010, për projektet e ndërtimit të rrugëve. Mustafa rreth këtyre takimeve deklaroj që qëllimet e tyre kanë qenë kryesisht rreth biseduar rreth mundësisë së financimit të projekteve. Sipas tij, disa projekte të Komunës kanë qenë të financuara plotësisht nga MTPT, disa pjesërisht e ndërkaq ka pasur edhe projekte të vogla të cilat kanë qenë të financuara vetëm nga Komuna e Gjilanit. Ai poashtu, është pyetur edhe rreth kontakteve që ai ka pasur me ish-Ministrin, Fatmir Limajn, Adem Grabovcin dhe Hashim Thaëin. Mustafa deklaroj që ka pasur kontakte të here pas herëshme me personat e lartëpërmendur. Ndërkaq, sa i përket të akuzuarit tjetër në aktakuzën e prokurorisë, Endrit Shalën, Mustafa u përgjigje që deri vonë as nuk e ka njohur se kush ishte dhe se çfarë pozite kishte. “Kam dëgju shumë vonë që ka qenë këshilltar i Ministrit. Përndryshe, ka qenë në shoqëri të ministrit në terren. Unë e kam trajtu herë vozitës e herë shoqërues administrativ” ka thënë Mustafa. Ish-Kryetari i Komunës së Gjilanit shtoj se Shala nuk kishte marrë pjesë gjithmonë në këto takime.

QEMAJL MUSTAFA PRITET TË JAP DËSHMINË E TIJ NË RASTIN E NJOHUR MTPT

Prishtinë – Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të martën, pritet që të filloj dëshminë e tij ish Kryetari i Gjilanit, Qemajl Mustafa, në rastin e njohur si MTPT. Kjo seancë është shty për gjysmë ore për arsye të mungesës së të akuzuarit Florim Sukës. Mustafa do të dëshmoj lidhur me tenderët të cilët janë të përmendur në aktakuzë për mirëmbajtjen e rrugëve të Gjilanit.

Në këtë proces gjyqësor deri më tash kanë dëshmuar dy zyrtarët e prokurimit në ish Ministrinë e Transportit dhe Post Telekomit të Kosovës. Ndërkaq, ish-Kryetari Mustafa, është deshmitari i tretë në këtë rast.

Sipas aktakuzës së konsoliduar të akuzuarit Fatmir Limaj, Endrit Shala dhe Nexhat Krasniqi ngarkohen për veprat penale krim i organizuar, keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar, marrje ryshfeti, Shpëtim Telaku për veprat penale krim i organizuar dhe keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar dhe i akuzuari i fundit, Florim Zuka për veprat penale dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike. Përveq këtyre veprave penale, Fatmir Limaj akuzohet poashtu edhe për veprën mosdeklarim i parave për fushatë. Këto vepra të përmendura në akuzë, kanë të bëjnë me gjashtë tenderë për mirëmbajtjen dhe ndërtimin e rrugëve nga kjo Ministri.

Ky website përdor cookies për të përmirësuar përvojën tuaj. Ne do të supozojmë se jeni mirë me këtë, por ju mund të hiqni dorë nëse dëshironi. Prano Lexo më shumë